e shtunë, 11 prill 2009

Buffon: Titulli? 9 pikë janë shumë

Gianluigi Buffon nuk kërkon t‘u japë tifozëve shpresa të kota në luftën për titullin kampion të Serisë A. Në sajtin e tij zyrtar, portieri i Juventusit shkruante: "Fitimi i titullit është mjaft i komplikuar. Kemi përballjen direkte me Interin, por diferenca prej nëntë pikësh në klasifikim është e madhe, sepse kanë mbetur vetëm tetë ndeshje për t‘u zhvilluar". "Gardiani" konfirmon se pavarësisht situatës aktuale në elitën e futbollit italian, bardhezinjtë nuk do të dorëzohen. "Natyrisht që ne do të vazhdojmë luftën deri në fërshëllimën finale të sezonit, por nuk do të jetë aspak e lehtë". Pas barazimit 3-3 me Chievon, numri 1 i Juventusit nuk duket në humor të mirë. Kjo edhe për shkak të episodeve që karakterizuan kampionatin e skuadrës së Claudio Ranierit: "Ndoshta ishte e thënë që gjatë këtij viti të mos i gëzohesha në momentet e festave. Ditëlindja u prish me humbjen përballë Udinezes, ndërsa kjo e 300 ndeshjeve me fanellën bardhezi me Chievon. Ky barazim mund të rezultojë deciziv në garën për titull, edhe sepse Interi përfitoi, duke marrë tri pikët e plota në Udine".

Nuk ka komente: