e shtunë, 11 prill 2009
“Juvja mund të shpresojë titullin”
Fiorentina, Genoa dhe Roma do të rifillojnë betejën në kampionat për të siguruar vendin e katërt, që do të thotë edhe garantimin e pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve. Për momentin janë verdhekuqtë më larg nga ky synim, me pesë pikë disavantazh nga Genoa. Por nga përfundimi i kampionatit kanë mbetur ende edhe nëntë ndeshje për t’u zhvilluar, ose më mirë siç është bërë e modës për ti quajtur, janë edhe 27 pikë në lojë. Në kryeqytet ekziston optimizmi, një optimizëm që e ka shprehur edhe trajneri legjendar roman, Carleto Mazzone: “A do ta përfundojë Roma sezonin në vendin e katërt? – ka deklaruar ish-trajneri i verdhekuqve – Përsa i përket planit të vlerave dhe të forcës, Fiorentina luan mirë, por Genoa është shumë e freskët fizikisht, me një futboll të shpejtë dhe të mirëorganizuar, plot me entuziazëm. Është një situatë e vështirë për ta komentuar, sepse janë dy skuadra të forta dhe me karakteristika shumë të ndryshme nga njëra-tjetra”. Më pas ai ka analizuar betejën për titullin kampion të Serisë A që ka si protagonistë Intrein dhe Juventusin, edhe pse kanë një distancë të konsiderueshme prej shtatë pikësh: “Bardhezinjtë janë një makineri që jep maksimumin dhe po bën paraqitje shumë të mira. Ranieri ka bërë një punë të shkëlqyer. Edhe pse kanë shumë lojtarë të dëmtuar ai di gjithmonë të zgjedhë më të mirët dhe grumbullon përherë lojtarë të rinj shumë të talentuar. Juventusi nuk është një skuadër që për momentin mund të synojë titullin, por në futboll asnjëherë nuk i dihet, mund të ndodhë gjithçka. Në futboll duhet të jesh i aftë dhe me fat”, përfundon Mazzone.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment