Një dramë e vërtetë është zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Torinos ku janë takuar Zonja e Vjetër dhe skuadra e Erjon Bogdanit, Chievo Verona. Takimi i zhvilluar të dielën, ndërmjet Juventusit dhe Chievos, ka përfunduar me rezultat të barabartë, 3-3. Mysafirët nga Verona u treguan skuadër shumë e rrezikshme sidomos me anë të kundërsulmeve, dhe falë shpejtësisë dhe shkathtësisë së lojtarit të ndeshjes Sergio Pellissier, Chievo arriti të marrë një pikë të artë nga kjo përballje e vështirë. Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 25-të kur Sergio Pellissier u shkëput në mënyrë të përsosur nga mbrojtja e Juventusit dhe e mposhti Gigi Buffonin. Bianconerët barazuan rezultatin me anë të mbrojtësit Giorgio Chiellini (34’), i cili e shfrytëzoi një top të kthyer nga Mauro Camoranesi, për të çuar në këmbë tifozët në Torino. Pa përfunduar pjesa e parë (44’), Pellisier bëri një lëvizje paksa të ngjashme me të parën dhe sërish e dënoi Juven duke i çuar skuadrat në pushim me rezultatin 1-2. Në minutat e para të pjesës së dytë (53’), bardhezinjtë sërish barazuan shifrat, kur një goditje me kokë të Camoranesit, e plasoi në portën e tij mbrojtësi Santiago Morero. Vendasit vazhduan me sulmet, me ç’rast në minutën e 78-të, arritën që të kalojnë për herë të parë në epërsi, me anë të sulmuesit Vincenzo Iaquinta, i cili pranoi një krosim të Camoranesit për ta mposhtur portierin Sorrentino. Atëherë kur mendohej se Juventusi do të del fitues nga kjo përballje, sërish doli në skenë Sergio Pellissier, i cili kompletoi hat-trickun e tij (90’+1) duke nxjerrë një pikë të artë për skuadrën mysafire dhe duke ia zbehur shpresat Zonjës së Vjetër për ta fituar Scudetton këtë sezon, kur dihet që Interi gjendet shtatë pikë përpara dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Të dhëna rreth ndeshjes JUVENTUS-CHIEVO 3-3 (1-2).
Golashënues: 25’ , 44’ dhe 91’ Pellissier, 34’ Chiellini, 53’ Morone (autogol), 78’ Iaquinta.
JUVENTUS: Buffon; Grygera (46’ Zebina), Mellberg, Chiellini, Molinaro; Salihamidzic (24’ Camoranesi), Tiago, Marchisio, Giovinco; Iaquinta, Del Piero (46’ Trezeguet). Në dispozicion: Chimenti, Poulsen, Marchionni, Nedved. Trajner Ranieri.
CHIEVO VERONA: Sorrentino; Sardo (70’ Mandelli), Morero, Yepes, Mantovani; Luciano, Rigoni, Marcolini (84’ Langella); Pinzi; Pellissier, Bogdani (64’ Esposito). Në dispozicione: Squizzi, Scardina, Colucci, Italiano. Trajner Di Carlo.
Gjyqtar kryesor: Mazzoleni di Bergamo.
Karton të verdhë: 28’ Sardo.
e shtunë, 11 prill 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment