e shtunë, 11 prill 2009

Del Piero zhgënjen, rinovimi në dyshim

“Zëvendësimi i Del Pieros? Janë zgjedhje. Sigurisht nuk mund të hiqja Iaquintën”. Deklarata e bërë nga Ranieri në përfundim të ndeshjes nënvizon qartë momentin e vështirë, që po kalon kapiteni bardhezi, që ka arritur kulmin kundër Chievos kur është zëvendësuar pas 45 minutash zhgënjyese. Del Piero ka treguar se nuk ishte në formë në aspektin fizik. E gjitha kjo në moshën 34-vjeçare, me një kontratë që i skadon në vitin 2010-të, që Aleksi pretendon ta rinovojë. Gjëra mbi të cilat Juventusi mund të reflektojë për të ardhmen. Pikërisht, sepse drejtuesit bardhezi po mendojnë edhe për të ardhmen e skuadrës, për rolin e Giovincos tek klubi juventin, për blerjen e mundshme të Cassanos ose atë të Diegos. Plane që përzihen me njëri-tjetrin, midis të tashmes dhe të ardhmes, në momentin më të rëndësishëm të sezonit, kur Juventusi, në bazë të vetë fjalëve të trajnerit, provon (ose provonte) të arrinte Interin kryesues, duke rekuperuar lojtarët më të rëndësishëm, që këtë vit kanë munguar për një kohë të gjatë nga Buffon tek Trezeguet, duke kaluar për nga Camoranesi. Kështu, duket një problem serioz fakti që kapiteni, në një fazë kaq delikate të sezonit, tregon se është në vështirësi. Kundër skuadrës së Di Carlos, Aleks, ka zhgënjyer pak a shumë në të gjitha këndvështrimet. Nuk e kanë shpëtuar as goditjet e dënimit, të paktën tre, që ka pasur mundësi të ekzekutojë para përfundimit të pjesës së parë. I pagabueshëm në fillimin e sezonit sa i pasaktë dje në “Olimpico”. Për rrjedhojë, është e vështirë edhe për Ranierin, tani, ta administrojë si duhur këtë situatë. Del Piero, edhe me paraardhësit e teknikut roman, ka lënë të kuptohet gjithmonë se nuk i pëlqejnë shumë zëvendësimet dhe akoma më pak qëndrimi në stol. Tetë ndeshje ende për t’u zhvilluar, një gjysëmfinale kthimi në Kupën e Italisë për t’u luajtur: sezoni bardhezi ka mundësi që të mbarojë në mënyrë të mirë. I sigurt është fakti se, me një “tjetër” Del Piero, gjithçka do të ishte më e lehtë. Ndërkohë, Gigi Buffon nuk e ka festuar në mënyrën më të mirë ndeshjen e 300 me fanellën e Juventusit. Portieri bardhezi nuk shkëlqeu në barazimin 3-3 ndaj Kievos së ringjallur. Gjithsesi, portieri i kombëtares italiane ngushëllohet me numrin e ndeshjeve të arritura, pas 8 sezonesh.

Nuk ka komente: