e shtunë, 11 prill 2009

Giovinco: Një gol për viktimat e tërmetit

Sebastian Giovinco, me kalimin e ndeshjeve po shndërrohet gjithmonë e më shumë në një siguri për formacionin e Claudio Ranierit, por në këto ditë kaq shumë të vështira për Italinë, si rrjedhojë e tërmetit të tmerrshëm në krahinën e Abrucos, 22-vjeçari kërkon të shkëputë disi vëmendjen nga sporti dhe t’i bashkohet dhimbjes së popullit të tij. “Për mendimin tim, pas një tragjedie të tillë që përfshiu vendin tonë, do të kishte qenë më mirë të ndërprisnim kampionatin, ndonëse diçka e tillë vendoset nga drejtuesit e federatës sonë dhe jo nga ne futbollistët. Aktualisht është një kohë e vështirë për të festuar, por nëse këtë të shtunë do të arrij të shënoj në transfertën ndaj Genoas nuk do të festoj, por do t’ia dedikoj golin tim krahinës së Abrucos. Mund t’iu duket e çuditshme, por që nga momenti i kësaj drame, edhe ne futbollistët nuk kemi folur për gjë tjetër, të paktën ne juventinët. Pikërisht për këtë arsye, edhe si skuadër, duam të ndihmojmë në maksimum familjet e përfshira në këtë tragjedi, sipas mënyrës sonë”. Giovinco më pas ndalet te mbarëvajtja e kampionatit dhe tema e titullit, që tashmë duket një mision i pamundur për juventinët. “Pas barazimit me Chievon, gjërat janë ndërlikuar shumë dhe tashmë asgjë nuk është në dorën tonë. Kishim mundësinë të vazhdonim të mbanim nën presion Interin, por gabuam, ndërkohë që zikaltrit përfituan. Gjithsesi, tani duhet të mendojmë ta mbyllim sa më mirë këtë kampionat, duke filluar që nga ndeshja e së shtunës kundër Genoas, të cilën duhet ta fitojmë me çdo kusht”, përfundon sulmuesi bardhezi.

Nuk ka komente: