e shtunë, 11 prill 2009

“Do rikthehem për Interin dhe titullin”

Sulmuesi i skuadrës së Juventusit, Amauri, është shumë optimist për rikthimin e tij në fushë, pas dëmtimit të pësuar para pak javësh. Në fakt, ndryshe nga çfarë është parashikuar, ai ka premtuar se do të bëjë një rikthim të rëndësishëm, në një ndeshje po aq të rëndësishme, pikërisht ndaj zikaltërve të Interit. “Nëse gjithçka shkon mirë, javën e ardhshme do filloj të stërvitem me shokët e skuadrës dhe më pas të jem i gatshëm për të luajtur në ndeshjen ndaj Interit. Është një përballje shumë e rëndësishme, të cilën nuk dua ta humbas, pasi dua të jap kontributin tim për të ndihmuar Juventusin. Të gjithë kemi nisur një rrugë së bashku dhe tashmë që është fundi dhe pjesa më e vështirë e sezonit, unë dua të jem së bashku me shokët e mi në fushë,” – tha Amauri. Në fakt, është e vërtetë që sulmuesi duhet të jetë optimist për rikthimin e tij, pasi analizat e fundit treguan që ka bërë shumë përparime përsa i përket riaftësimit nga dëmtimi. “Nuk dua të minimizoj dëmtimin, pasi është e vërtetë që nuk është i lehtë, por kam besim që nuk do të kem probleme dhe do të rikthehem shumë shpejt siç ishte parashikuar. Do jap më të mirën time,” – shtoi ai. Në fakt, bardhezinjtë do të përballen këtë javë kundër Chievos dhe për të kjo sfidë ka edhe emocione të tjera, duke qenë se ka luajtur për tre sezone me ekipin veronez. Gjithsesi, ai është i detyruar ta shikojë nga tribuna. “Aventura ime me Chievon ka qenë shumë e bukur. Kam kaluar tre sezone me të vërtetë të rëndësishëm për karrierën time, pasi më pas u transferova te Palermo. Ata më kanë ndihmuar shumë që të tregoj vlerat dhe aftësitë e mia. E ndiej si detyrim moral t’i falënderoj që sot luaj me një klub të madh si Juventusi. Gjithsesi, normalisht dua që tani të fitojnë bardhezinjtë, pasi kemi synime të mëdha për të arritur dhe nuk na lejohen gabimet. Jam i bindur që nuk do të dështojmë për të marrë tre pikët,” – përfundoi Amauri. Në fakt, braziliani dëshiron shumë të kthehet për sfidën ndaj Interit, e cila është cilësuar si një përballje shumë vendimtare në luftën për titull. Nëse zikaltrit fitojnë, atëherë titulli kampion është i tyre. Në të kundërt, gjithçka është e hapur dhe bardhezinjtë do jenë pretendentë shumë të fortë.

Nuk ka komente: