e hënë, 19 janar 2009

Bardhezinjtë fitojnë një tjetër pikë ndaj Interit

Lazio-Juventus, super sfida e që mbyll zyrtarisht fazën e parë të Serisë A përfundon në barazim 1-1 dhe të dyja skuadrat janë dukur shumë të kënaqura nga pika e marrë. Bardhezinjtë e Claudio Ranierit, ndonëse me një fitore mund të kishin ngushtuar drastikisht diferencën nga kryesuesit milanezë (në vetëm 1 pikë) janë gjithsesi të kënaqur, edhe me një tjetër pikë të fituar kundrejt zikaltërve të Mourinhos. Tashmë diferenca ndërmjet tri skuadrave të vendeve të para, Inter, Juventus dhe Milan është e ndarë në tri pikë secila. Lazialët, ndonëse me tredhëmbëshin e tyre, Pandev-Rocchi-Zarate nuk shqetësojnë shpesh portën e mbrojtur nga Manninger, i cili merr përsipër përgjegjësinë e fajit për golin e pësuar nga Juventusi, pas një daljeje të gabuar në çastin e goditjes së dënimit të Ledesmas në minutën e 25-të. Gjithsesi, Mellberg, vetëm pesë minuta më vonë do të zvogëlojë dëmet, duke i dhuruar juventinëve barazimin dhe minutat e tjera të ndeshjes nuk ofrojnë asgjë tjetër të veçantë me përjashtim të traversës së goditur nga Legrottaglie në minutat e fundit pas një goditjeje të fortë nga jashtë zone. Në fund të takimit, të dy trajnerët janë shprehur shumë të kënaqur nga pika e marrë, edhe pse të dy ëndërronin fitoren. Një shuplakë e rëndë për Interin në transfertën e Bergamos, i cili përballë Atalantës thyet në më pak se 30 minuta lojë. Fillimisht një gol i Floccarit, i dhjeti për të në këtë kampionat, dhe më pas dopietta e kapitenit, Cristiano Doni, gjunjëzojnë zikaltrit e Jose Mourinhos. Në sekondat efundit të takimit Zlatan Ibrahimovic shpëton nderin e Interit, pasi realizon golin e vetëm për kryesuesit e Serisë A dhe të dymbëdhjetin personal. Nëse Interi ndalet, Roma vazhdon të shkëlqejë falë “mrekullive”që dhuron në fushën e lojës, braziliani, Julio Baptista. Pas dopietës së shënuar në mesjavë, në ndeshjen e prapa mbetur me Sampdorian,“bisha” verdhekuqe është sërish vendimtar për skuadrën e Luciano Spallettit falë një eurogoli me gjysmë rafishatë në minutën e 92-të, padyshim goli më i bukur i javës së 19-të të Serisë A. Roma vazhdon të shkëlqejë, por edhe Genoa mrekullon, pasi duke fituar në transfertën e Lecces me rezultatin 0-2, me gola të Sculit dhe Jankovic i fal tifozerisë së saj vendin e katërt të renditjes. Viti 2009 ka nisur pozitivisht për skuadrën e Chievos. Pas barazimit në javën e kaluar kundër Bolognas,verdheblutë e Di Carlos fitojnë 2-1 në shtëpi ndaj Napolit, falë dy penalltive të transformuara në gol nga Marcolini. Për Napolin barazonte momentalisht Lavezzi, ndërkohë që Hamshik përjashtohet me karton të kuq dhe do të mungojë në ndeshjen e ardhshme ndaj Romës. Catania vazhdon të konfirmohet në krizë, pasi mundet 1-2 në shtëpi nga Bologna e Mihajlovic, në ndeshjen e tij të tetë radhazi pa njohur humbje. Kriza vazhdon edhe për Udinesen, që regjistron një tjetër humbje 2-0, këtë herë në transfertë me Cagliarin. Rezultatet negative nuk kanë fund edhe për Sampdorian, e cila këtë herë i është dorëzuar në shtëpinë e saj Palermos së Ballardinit me rezultatin e pastër 2-0.

Nuk ka komente: