e hënë, 12 janar 2009

Magji e Del Pieros, Juvja i afrohet Interit


Një gol nga goditja standarde e kapitenit e mban “Zonjën” në garë: Është akoma shpejt për titullin

Vrapimi filloi. Pak njerëz në shtëpinë bardhezi besonin dhe shpresonin të “rrëmbenin” dy pikë në një javë me ndeshjen Inter-Cagliari (1-1, u luajt të shtunën) dhe Juventus-Siena (1-0, dje). Por ndodhi, edhe pse paraqitja e skuadrës së Ranierit nuk ishte e jashtëzakonshme. Megjithatë, ndeshja në “Olimpico” pati si protagonist të zakonshmin Alessandro Del Piero. “Jemi të lumtur, - komentoi kapiteni bardhezi, autori i golit të vetëm të ndeshjes, - fituam një ndeshje shumë të vështirë, si për meritë të Sienës, ashtu edhe pse pas pjesës së dytë e ulëm disi ritmin e garës.” Numri dhjetë bardhezi, më pas nënvizoi: “Po vazhdojmë të kemi një ecuri të mirë, por është e qartë që kundërshtarët tanë duhet të humbin disi terren, ndonëse lufta është akoma e gjatë. Pra, duhet të shohim veten tonë. Duhet të shohim faktin që morën shumë sot (dje), me meritë e sakrificë”. Mes notave pozitive të pasdites në “Olimpico”, ishte edhe paraqitja e portierit austriak Alexander Manninger. Zëvendësi i Buffonit ka bërë disa pritje të shkëlqyera ndaj toskanëve: “Ishte shumë i mirë, - vazhdon Del Piero, - ishte i shkëlqyer, sepse u tregua menjëherë i gatshëm, siç kanë qenë të gjithë djemtë e skuadrës deri tani. Po vazhdojmë të kemi probleme të mëdha formacioni për shkak të dëmtimeve. Ai që po rikthehet, po luan mirë. Kjo është meritë e mënyrës së stërvitjes”. “Unë ato tituj kampionë i kam fituar në fushë dhe jam i lumtur kështu”. Edhe Aleks Del Piero thotë fjalën e tij mbi dy titujt e hequr të Juventusit pas skandalit të “Calciopolit”, në fund të javës pas seancës së shkallës së parë të procesit “Gea” dhe pas deklaratave të presidentit bardhezi, Cobolli Gigli, mbi dorëzimin e atyre titujve të marrë një herë, që do të jetë dëshmi e pafajësisë së të akuzuarve. Ndërkohë trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri është i kënaqur për suksesin e vuajtur ndaj Sienës, ku goli u shënua nga një goditje fantastike standarde e Del Pieros: “E dinim që ishte një kondërshtar jo i lehtë, - pranoi Ranieri. Edhe në ditë jo të mira të skuadrës, Aleksi arrin të nxjerrë diçka të rëndësishme. Rinisemi me një fitore të rëndësishme, që vjen pas rezultateve të 2008-ës. Kërkohen gjithnjë zgjidhje të veçanta për problemet dhe Del Piero ka një këmbë dhe një shënjestër të shkëlqyer. Kur nuk arrin të zhbllokosh këto ndeshje ndaj skuadrave që nuk të lënë të luash, mund të fitosh vetëm me kampionë si Del Piero. Nuk duhet të mendojmë vetëm për Interin.” Ajo kundër Sienës sigurisht që ishte ndeshja e fundit si titullar e Manningerit, duke parë riaftësimin e Buffonit: “Ka qenë një zëvendës i shkëlqyer, na ka dhënë siguri e qetësi, kemi pësuar pak gola, është një “numër 2″ i vërtetë, sepse luan te Juventusi. Shpresojmë të riaftësojmë sa më shpejt edhe lojtarët e tjerë, por edhe ata që kanë luajtur, kanë qenë të shkëlqyer”.

Nuk ka komente: