e martë, 20 janar 2009

Tare, shuplakë Zarates në sfidën me Juventusin

Igli Tare vazhdon të jetë protagonist te Lazio. Ish-sulmuesi shqiptar e ka marrë shumë seriozisht detyrën e tij si menaxher i skuadrës në klubin bardhekaltër, aq sa nuk toleron që asnjë nga lojtarët të ketë pretendime. Barazimi 1-1 në sfidën me Juventusin e ka kënaqur përgjysmë skuadrën, që tashmë duhet të përballet me problemin Zarate. Sulmuesi argjentinas, i cili është një prej surprizave të këtij edicioni në Serinë A, nuk mbeti i kënaqur nga zëvendësimi i trajnerit Delio Rossi. Ashtu si përpara pushimeve të Vitit të Ri në sfidën me Palermon, edhe në fundjavën që kaloi Zarate e ka kontestuar vendimin, duke i thënë trajnerit se “përse më ndërron gjithmonë mua?” Pas këtyre fjalëve, lojtari u ul në stol, por aty është përballur me Igli Taren. Sipas gazetës më të madhe sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport”, ish-kapiteni i Shqipërisë i ka folur shumë ashpër lojtarit, duke i drejtuar gishtin gjatë gjithë debatit. “Në fund ai e ka goditur edhe me një shuplakë në fytyrë”, theksonte e përditshmja. Megjithatë, i pyetur rreth këtij episodi, menaxheri i skuadrës e ka përgënjeshtruar në mënyrë të prerë faktin që ka përdorur duart ndaj Zarates. Episodi ka sjellë reagimet e ndryshme të tifozëve, ku tashmë disa kërkojnë largimin e Tares, ndërsa të tjerë mendojnë se ai veproi drejt me sulmuesin, që paraqet gjithmonë e më shumë sjelljen e një adoleshenti.

Nuk ka komente: