e mërkurë, 21 janar 2009

Secco pranon: Na intereson Diego

Braziliani i Werderit është gjithnjë dhe më afër Juventusit dhe drejtori sportiv nuk e mohon

“Diego është një nga lojtarët që na intereson, jo i vetmi. Kjo nuk do të thotë se do ta blejmë.” Edhe me rastin e dhënies së çmimeve Oscar të futbollit italian, drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, përfshihet në temat që kanë lidhje me merkaton. Më e nxehta për momentin është ajo e superofertës të pronarit të Manchester Cityt për Kakanë, që nuk lë jashtë Juventusin, pasi në shënjestrën e sheikut duket se ka përfunduar edhe Buffoni. “Kur dhe, nëse do të na vijë një ofertë, mund të riflasim për këtë, por me ‘nëse’ nuk arrihet në asnjë vend. Më pas, nuk jemi totalisht të sigurt që bëhet fjalë për shifra kaq të mëdha,” - ka thënë drejtuesi bardhezi. Ndërsa blerja e mundshme e Diegos nuk e shqetëson aspak Sebastian Giovincon, edhe pse braziliani do të mbulonte pikërisht pozicionin e preferuar nga “milingona atomike”. “Kjo është pjesë e futbollit, mua më intereson të fitoj sa më shumë të jetë e mundur me Juventusin. Nuk do t’i kërkoja kurrë klubit të më jepte borxh. Dua të qëndroj këtu dhe të provoj shanset e mia me Del Pieron dhe Diegon,” - ka thënë talenti i ri. Ka me të vërtetë një qëndrim pozitiv lojtari bardhezi, i cili është betuar për dashuri të përjetshme ndaj Juves dhe për të luftuar Interin deri në fund. “Zikaltrit duhet të ishin shqetësuar para humbjes me Atalantën, tani kanë më shumë arsye për të na pasur frikë. E dinim që kampionati nuk ishte mbyllur akoma; ndeshjet e fundjavës e kanë vërtetuar këtë.” Giovanni Cobolli Gigli, presidenti i Juventusit, e kishte menduar diçka të tillë edhe më përpara, në lidhje me luftën për titull. Për ta shpjeguar një gjë të tillë, Koboli përdor një imazh efikas. Numri një i bardhezinjve ka thënë: “Interi mbetet një armatë e madhe me shumë lojtarë cilësorë në përbërje, por tani duket më shumë njerëzore”. Njerëzore ose jo, beteja për kampionatin ka edhe nëntëmbëdhjetë sfida për të zhvilluar.

Nuk ka komente: