Kapiteni bardhezi do ta arrijë këtë numër historik nesër kundër Milanit
Gjashtëqind ndeshje me Juventusin nuk i ka luajtur askush më parë. Alessandro Del Piero do ta arrijë këtë numër të dielën në mbrëmje në “San Siro”, kundër Milanit, ekipit që në harkun e 16 viteve të tij të kaluar tek Juventusi ka qenë kundërshtari më i denjë. Ka pasur sezone kur kjo sfidë vlente për të fituar Serinë A ose Champions Ligën. Nesër do të jetë vendimtare për vendin e dytë dhe ky fakt i ka lënë një shije të hidhur në gojë kapitenit juventin. Nuk është hera e parë që Ale arrin në fund të një sezoni pa fituar asgjë. Ka përjetuar vite më të këqija individualisht dhe me ekipin. Ai i dëmtimit të rëndë, ato në serinë B ose jashtë Championsit. Por asnjëherë nuk kishte mbërritur në fundin e një sezoni me ndjesinë e shpërbërjes të një skuadre, që ndoshta tani nuk arrin ta njohë. Përveç fitores, që mungon prej një muaji e gjysmë dhe gjashtë ndeshjesh, Juventusi ka humbur rrugës karakterin dhe unitetin që gjithmonë kanë qenë armët më të forta të klubit bardhezi. Lojtarët janë të nxehur, protesta të tilla nga tifozët nuk ishin parë asnjëherë, e ardhmja e paqartë. Emrin e trajnerit për vitin e ardhshëm nuk e njohin as drejtuesit e klubit dhe shumë shokë, me të cilët ka kaluar shumë aventura, në sezonin e ardhshëm nuk do të jenë më Nedved, Trezeguet, Camoranesi, Buffon. Kampioni nga San Vendemiano rrezikon me të vërtet të kthehet në samurain e fundit. Eshtë perëndimi i grupit historik. Por ai, ndryshe nga të tjerë, nuk ka vënë kusht përforcimin e skuadrës në merkaton e ardhshme, apo largimin e trajnerit, për të qëndruar. Gjithsesi, do ta respektojë kontratën, që i skadon mbas një viti, dhe që deri tani askush nuk i ka ofruar ta rinovojë, me objektivin për të bindur Lippin që ta marrë me vete në Afrikën e Jugut. Në rolin e kapitenit dhe flamurit të ekipit është i vendosur ta përfundojë këtë sezon me kualifikimin direkt në Champions Ligë. Dhe ndeshja me Milanin, e 600-ta për të me Juventusin, sigurisht i jep disa stimuj më shumë. “San Siro” është një stadium ku shpesh ai ka treguar cilësitë e tij më të mira, gjithsesi është korniza ideale për një arritje historike, që Ale do të dojë ta festojë me golin e rikthimit tek fitorja. Për veten dhe për Juven, si gjithmonë, të pandashëm.
e diel, 10 maj 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment