
Në periferi të Bremes ndodhet një vilë dykatëshe me mure të bardha dhe me një çati të bukur. Në oborr bie menjëherë në sy një makinë “Aston Martin” e futbollistit, një “Smart”, një “BMW” kabrio dhe një “Wolksvagen Tuareg” e bardhë, si dëbora ashtu si shtëpia. Të gjitha këto makina janë të brazilianit Diego, por ora është 14.15 dhe dreka për t’i thënë njëri-tjetrit mirupafshim (në Torino) sapo ka mbaruar. “Do të rishihemi!”; shtrëngim duarsh dhe ndahen. Miqtë kanë lënë shtëpinë e futbollistit. Në një makinë “Mercedes” kanë hipur Alessio Secco, drejtori sportiv i Juventusit, krahu i tij i djathtë, Renzo Castagnini, agjenti Giacomo Petralito dhe avokati i tij Luca Albano.
- Diego, atëherë gjithçka është mbyllur me Juventusin?
- Le të themi se jemi shumë afër, mungon vetëm një hap i vogël. Këtë gjë ia kam thënë edhe drejtorit Seko, unë kam dëshirë të luaj me Juventusin.
- Por Werderi duhet të zhvillojë edhe tri ndeshje në Bundesligë, një finale të Kupës UEFA dhe një finale të Kupës së Gjermanisë…
- Pikërisht dhe unë të shtunën (sot) dua të jem në fushë. Kam pasur një shqetësim të vogël muskular në kofshën e majtë. Por tani ndihem më mirë. Në finalen e Kupës UEFA nuk luaj dot, sepse jam i skualifikuar, por do të jem për atë të Kupës së Gjermanisë.
- Dhe pas Kupës së Konfederatave, që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut, do të mund të bashkoheni me shokët e Juventusit në stërvitje…
- Të shohim…
- Akoma? Por çfarë ka për të parë?
- Nëse do të grumbullohem nga trajneri i kombëtares braziliane. Dhe kam një parandjenjë të mirë.
- Eshtë e vërtetë se keni ëndërruar gjithmonë të luani në kampionatin italian?
- Po, është e vërtetë.
- Pse?
- Sepse besoj se Seria A është kampionati më i bukur dhe më i vështirë. Sepse Juventusi më ka bërë të kuptoj se ka shumë besim tek unë për të ardhmen. Dhe në fund, sepse në Itali ka kampionë të jashtëzakonshëm.
- Po në Itali një humbje përjetohet si një tragjedi? A e keni menduar faktin se do të keni më shumë presione se në Bundesligë?
- Po, por jam mësuar. Luaj me kombëtaren braziliane që kur kam qenë 19 vjeç. Kam fituar kampionatin me ekipin e Santosit në moshën 17-vjeçare. Edhe në Brazil çdo humbje përjetohet si një tragjedi.
- Doni të bëheni numri një?
- Këtë e kam dashur gjithmonë, por gjërat duhen bërë me qetësi. Gjithçka duhet bërë hap pas hapi, pa u nxituar, nëse nuk do të gabohesh. Të paktën unë e mendoj në këtë mënyrë.
- Kjo e juaja është një histori prej numri 10…
- Ky është numri që mbaj unë.
- Tek Juventusi kanë luajtur shumë kampionë si Platini, Zidane dhe tani Del Piero. Kur ishit fëmijë kujt ëndërronit t’i ngjanit?
- Zidane, ka qenë gjithmonë modeli im, e ndiqja nga televizori. Ai është një kampion francez që ka këmbët e një braziliani.
Nuk ka komente:
Posto një koment