e shtunë, 16 maj 2009

Juvja, trajneri i ardhshëm është Gasperini

Drejtuesit e klubit bardhezi janë pranë vendimit të madh për të zëvendësuar “të dështuarin” Ranieri

Për Ranierin çështja është shtyrë, do ta vlerësojmë në fund të sezonit”. Fjalët e fundit të administratorit të deleguar të Juventusit Jean-Claude Blanc, i përkasin që tani së kaluarës. E ardhmja në shtëpinë bardhezi, po shkruhet në orët e fundit. Nga mbledhja që do të dalë ndoshta që sot nga Këshilli Administrativ i klubit, do të dalë edhe emri i trajnerit të ardhshëm. Me ndonjë përjashtim apo surprizë nuk do të jetë më Ranieri. Në vend të tij duhet të vijë Gian Piero Gasperini nga Genoa. Megjithatë reziston edhe kandidatura e Luciano Spallettit, i parapëlqyeri i John Elkannit. Për momentin duket se është sfumuar hipoteza “Conte”, pavarësisht se trajneri i Barit u vetëkandidua. I konsideruar akoma pa përvojë, ish-kapiteni i Juventusit të Marcello Lippit duhet të presë. Zgjedhja pra duhet të bjerë te njëri mes Gasperinit apo Spallettit, me teknikun gjenovez favorit. Ndërkohë, pas Cannavaros dhe Diegos vazhdohet të punohet për të përforcuar organikën për t’ia lënë të gatshëm trajnerit të ardhshëm. Dossena i Liverpoolit, është gjithnjë e më afër dhe mund të jetë anësori i majtë i mbrojtjes titullare të sezonit të ardhshëm, por dyshja drejtuese Secco-Blanc është nën një trysni të fortë edhe për Lavezzin. Argjentinasi i Napolit është në konkurrencë me Quagliarellan për rolin e anësorit të majtë, të dy do të ishin të përshtatshëm si për Gasperinin ashtu edhe për Spallettin. Për momentin, këto janë aktorët e vërtetë të filmit bardhezi. Sidoqoftë, Gasperini shihet si pasardhësi i mundshëm i Ranierit, pasi tekniku aktual i kuqebluve, ka qenë në të shkuarën trajneri i të rinjve të skuadrës bardhezi, duke nxjerrë shumë talente nga ajo periudhë si Palladino apo Paro, që nuk luajnë më me “Zonjën”. Por tifozëve, lëvizjet e drejtuesve të klubit vazhdojnë të mos u pëlqejnë. Ata kanë dashur ta manifestojnë këtë edhe dje para selisë së klubit juventin, ku pak para se të fillonte mbledhja e Këshillit Administrativ, u mblodh një grup mbështetësish në protestë. “Nxirrni jashtë paratë”, ishte ftesa e tyre ndaj drejtuesve me një parrullë në formë polemike më shumë sesa humori.

Nuk ka komente: