e shtunë, 16 maj 2009

Diego për Juventusin, zgjidhje apo zhgënjim?!


Ylli brazilian i Werder Bremenit, Diego, thonë se ka nënshkruar, por nga kampi bardhezi nuk ka ende publikime zyrtare. Personalisht, pyes nëse ky është një veprim i mirë, apo i keq për “Zonjën e Vjetër”? Duke iu përmbajtur faktit se konfirmim zyrtar ende nuk ka, po gjykojmë nisur nga fjalët e Alessio Seccos, se në futbollin e sotëm, pa u hedhur firma në kontratë, kurrë nuk duhen llogaritur “pulat e huaja” si të tuat. Megjithatë, duket se me shumë gjasa, Diego‑Juventus, ky transferimin i kthyer në sagë, ka mbërritur në metrat e fundit. Që ka një destinacion: qytetin e Torinos, skuadrën e Juventusit. Përfaqësuesi i lojtarit të werder Bremenit, Giacomo Petralito, konfirmoi të mërkurën se “përfaqësuesit e të tri palëve të përfshira në këtë transferim, Werderi, Juventus dhe menaxheri i Diegos, tashmë kanë vënë nënshkrimet e tyre në kontratë.” Ky lajm, që e bën të prekshëm transferimin e brazilianit në Torino, ka qenë i mirëpritur nga shumica e tifozëve të Juventusit, të cilët kanë qenë të etur, të stërlutur karshi drejtuesve të klubit, për një emër mesfushori të këtij kalibri, të cilin nuk kanë pasur fatin ta shohin në gjirin e skuadrës së tyre qysh kur lanë Serinë A, si rezultat i “Calciopolit”. Por, në kësi lëvizjesh, nisur edhe nga raste të freskëta të skuadrave të tjera italiane, natyrshëm lind pikëpyetja: A është braziliani, njeriu që do të sjellë lavdinë e munguar vitet e fundit në qytetin e Torinos, në një prej skuadrave simbol në Itali, Juventus? Gjëja e parë që mund të them rreth Diegos është se, në mënyrë që ai të ketë sukses, mjedisi dhe përcaktimet rreth tij duhet të jenë të përkryera. Mbërritja e 24‑vjeçarit te Juventusi krijon një tjetër dilemë të aspektit taktik: trajneri bardhezi do të luajë me një skemë 4‑4‑2, apo 4‑3‑3? Në secilin prej këtyre sistemeve, Diego është i destinuar të rezultojë një dështim i plotfuqishëm. Prandaj, ne mund të nxjerrim përfundimin se, menjëherë pas mbylljes së këtij ediconi, Claudio Ranieri do të ikë. Sepse, ai nuk mund dhe nuk është përkulur para asgjëje tjetër, në funksion të bindjes së tij taktike, të skemës 4‑4‑2. Si pasojë e kësaj bindjeje të Ranierit, ka një histori persektuese të fantazistit Sebastian Giovinco. E njëjta gjë mund të thuhet edhe nëse ikën Ranieri dhe zëvendësohet nga Cesare Prandelli apo Gian Piero Gasperini, siç po përflitet kohët e fundit. Edhe këta dy trajnerët e fundit, të cilët punojnë me sistemin 4‑3‑3, lehtësisht e verifikueshme kjo në formacionet e Fiorentinës dhe Genoas, respektivisht. Logjikisht, përdorja e një skeme, që do t’i shkonte për shtat lojës së Diegos, aktivizimit të tij si lojtar kryesor, mund të bëhej vetëm nga trajneri aktual i Romës, Luciano Spalletti. Ky i fundit ka punuar me lojtarë si Francesco Totti, me Mirko Vucinic, Jeremy Menez. Pra, është një takticient i mirë për të marrë nga Diego maksimumin e mundshëm të brazilianit. Që të japë 100-përqindëshin e tij te bardhezinjtë, Diego duhet të luajë në një sistem loje 4‑3‑1‑2, ose 4‑2‑3‑1. Shumë ekspertë argumentojnë se ekipi i ri i Juventusit duhet të ndërtohet rreth Diegos, nëse do të shndritë si më parë. Kjo mund të rezultojë e vërtetë, deri në njëfarë mase, por gjëja më e rëndësishme është se ish‑lojtari i Santosit, a do të arrijë të ingranohet shpejt te Juventusi, në një ekip që luan ndryshe nga Werderi. Askush nuk e ka mohuar faktin se Diego është gjithmonë gati t’i përmbushë kërkesat e Juventusit, të kontrollojë e të luajë topin, duke diktuar edhe ritmin në mesfushën bardhezi, por nuk ka arsye pse ai nuk mund të bashkëjetojë me një si Giovinco. Braziliani duhet të jetë një lojtar kyç i Juventusit të ri… Pse i tillë dhe jo vetëm “një nga lojtarët e tjerë cilësorë të ekipit”? Atij mund dhe duhet t’i jepet “patenta” kreative e skuadrës, por kurrsesi jo të pritet për të vënë në funksion të Diegos një sistem taktik të ngurtë të Juves. Për këtë fakt, ja një arsye tjetër përse Ranieri është njeriu i gabuar për ta drejtuar Juven edhe edicionin e ardhshëm, ndërsa Spalletti, mundësisht është njeriu i drejtë në këtë post. Stilit të ngadaltë dhe ritmit të kohës në Seria A duhet t’i përshtatet Diego, jo një skuadër e tërë lojtarit në fjalë. Ai nuk është aspak një “lojtar-rrufe”, por ama ka veti shpërthyese në momentet e shpejtësisë. Kjo aftësi duhet menaxhuar me kujdes, në funksion të grupit, të skuadrës. Diego, në qoftë se arrin të përcjellë në një ekip si Juventusi kontrollin dhe posedimin e topit, ruajtjen e ritmit, do të jetë dominues, do të jetë mirë. “Zonja e Vjetër” ka disa kohë që e vajton mungesën e një mesfushori krijues, por tani, me sa duket, e ka gjetur përsëri. Shpresohet te Diego. Tek ai beson edhe Gianluca Vialli, një ish-lider i Juventusit më 1996, i cili theksoi të hënën: “Diego është si një burrë shteti për një ekip të madh si Juventusi, por i vetëm nuk do të jetë i mjaftueshëm. Me qëllim që të kthehet në lavdinë e saj të madhe, skuadra bardhezi duhet të mendojë edhe për forcimin e departamenteve të tjera.” Natyrisht, Vialli i referohej edhe mbrojtjes. Prapavija bardhezi, thjesht nuk është e mirë sa duhet, edhe pse me ardhjen e Fabio Cannavaros do të shtojë “çelikun” dhe përvojën në qendër. Nëse Cristian Molinaro, Zdenek Grygera dhe Olof Mellberg janë ende zgjedhje të para në sezonin e ardhshëm, atëherë Juventusi nuk do të fitojë asgjë. Së paku, një klasë më e lartë lojtarësh, jo vetëm në këtë repart, është e nevojshme për të shpresuar dhe besuar te Juventusi i ri, bashkë me Diegon në gjirin e tij. Ky i fundit, në asnjë mënyrë nuk është i garantuar për të qenë një “hit” në Itali, në qoftë se Juventusi nuk punon fort në tregun e verës. S’është e thënë vetëm të blejë, sepse bardhezinjtë kanë mrekullisht në dorë një lojtar të talentuar, si Giovinco. Mesfushorët-sulmues si ai janë një fenomen i pazakonshëm në Itali. Juventusi do të jetë duke shpresuar se Diego për të do të jetë një Michel Platini ose Zinedine Zidane, por kurrsesi një Gaizka Mendieta ose Ricardo Quaresma në Serinë A.

Nuk ka komente: