e shtunë, 16 maj 2009

Dorëzohet Bajerni. Diego: Jam i Juventusit


Fantazisti brazilian dhe babai i tij menaxher pohojnë se kanë mbetur vetëm disa detaje për kalimin në Torino

Humb kuotë hipoteza Bayern Munchenit për Diego Ribas da Cunha. Futbollisti brazilian i Werder Bremenit deklaron se për momentin nuk ka nënshkruar akoma një kontratë, megjithatë, sipas tij marrëveshja me Juventusin është arritur: “Unë kam sistemuar gjithçka me Juventusin, - pranon fantazisti 24-vjeçar. Nëse dy klubet kanë rënë dakord, mund të them se vitin e ardhshëm mund të luaj në Torino me Juven”. Kësisoj, zërat relativë që e shihnin te Bayern (M) humbasin kuotë, por lojtari që tashmë e ka mbyllur sezonin me Werderin para kohe për shkak të një dëmtimi, shton: “Nëse Werderi më thotë se është një ofertë nga Bayerni dhe që ia vlen ta dëgjoj, do ta bëj një gjë të tillë”. Ndërkohë Djair da Cunha, babai-menaxher i futbollistit të talentuar, ka përgënjeshtruar kategorikisht ekzistencën e bisedimeve me klubin bavarez, duke bërë kështu një hap prapa nga zërat që qarkullonin dy ditë më parë në shtyp. Rreziku për të mos pësuar ndonjë dënim për një kontratë të dyfishtë të nënshkruar me Juventusin dhe Bayernin Munchenin, e ka detyruar menjëherë babain e Diegos të tërhiqet në hapat e tij, i cili kishte nënshkruar një marrëveshje me klubin e Beckenbauerit, ndërsa Werderi dhe menaxheri tjetër i brazilianit (është italian), nënshkruanin me bardhezinjtë. Sapo e kanë mësuar këtë gjë, drejtuesit bardhezinj kanë reaguar menjëherë, duke konfirmuar që do t’i shkonin deri në fund kësaj gjëje dhe kaq duket se ka mjaftuar për të mbyllur shumë shpejt atë që mund të shndërrohej në intrigë merkatoje me afate të gjata. “Unë jam përfaqësuesi zyrtar i Diegos, - tha Djair da Cunha. Me Bayernin nuk kemi asnjë kontratë”. Një kthim prapa i vendosur e i papritur, që shton detajet e reja për kalimin te Juvja: “Mungojnë vetëm disa hollësi të vogla dhe mendoj që maksimumi në katër ditë do ta zgjidhm çështjen, që po ecën para prej 20-të ditësh. Kemi tri palë të përfshira: Werderin, Juventusin e Diegon, që do të përfitojë një përqindje mbi shitjen. Jam optimist që transferimi do të jetë shumë pozitiv për Diegon”, - përfundoi babai-menaxher i brazilianit.

Nuk ka komente: