e mërkurë, 31 dhjetor 2008

‘Gazzetta dello Sport’ shpall top-listën e 11 futbollistëve


Gazeta më e madhe sportive në Itali, Gazzetta dello Sport, shpall listën me 11 futbollistët më të mirë të vitit 2008. Përzgjedhjen e lojtarëve më të mirë e kanë bërë vetë lexuesit e kësaj gazete. Në sy bie treshja e vijës ofensive e përbërë nga Messi, Ibrahimovic, dhe fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo. E pazakonta është se në 11 lojtarët më të mirë nuk figuron Çesk Fabregas. Spanjolli u shpall edhe futbollisti më i mirë i europianit të zhvilluar në Zvicër dhe Austri. Lista parë nuk ka as emrin e lojtarit të Milanit, Ricardo Kaka. Në sondazhin e bërë nga gazeta më e madhe sportive në Itali është bërë përzgjedhja edhe e ekipit të dytë më të mirë. Listën e plotë të 11 lojtarëve më të mirë të shpallur nga Gazzetta dello Sport, dhe atë të skuadrës së dytë më të mirë, do ta paraqesim të plotë më poshtë.

11-shi më i mirë (4-3-3): Buffon; Maicon, Terry, Chiellini, Lahm; Gerrard, Xavi, Lampard; Messi, Ibrahimovic, Cristiano Ronaldo. Trajner: Ferguson.

Skuadra rezervë (4-2-3-1): Casillas; Sergio Ramos, Puyol, Ferdinand, Evra; Cambiasso, Fabregas; Ribery, Kakà', Del Piero; Fernando Torres.

Giovinco: Do të bëhem më i miri te Juventus

Lojtari i ri i Juventusit, Sebastian Giovinco, i ka paralajmëruar klubet të cilat janë të interesuara për të, të heqin dorë nga dëshira për ta transferuar, pasi ai do të mbetet te Juventus. “Pse të largohem dhe të ndërroj skuadër vetëm pse luaj më pak sesa duhet? Këtu stërvitem me superyjet e futbollit, ndërsa jam i bindur se më vonë do të gjej vend në formacionin bazë”. “Do të stërvitem mirë dhe do të jem i gatshëm që kur të më jepet mundësia të shfaqem në skenë në mënyrën më të mirë”. “Mendoj se do të bëhem njëri nga më të mirët e Juventusit”, ka thënë Giovinco.

‘Nuk e mendoj një largim të tijin nga bardhezinjtë’

“Nëse do të luante në një skuadër tjetër, do të kishte mundësi të vihej më në dukje, por Juventusi mbetet Juventus dhe një gjë e tillë është e pamendueshme”. Lojtari në fjalë është Sebastian Giovinco dhe menaxheri i tij, Claudio Pasqualin ka siguruar se kontrata e sulmuesit me bardhezinjtë do të vazhdojë, (lojtari duhet të rinovojë kontratën) pavarësisht hapësirës së paktë që i ka lënë në dispozicion Ranieri. “Fatkeqësia e Giovincos është se ka shumë ngjashmëri me Alessandro Del Pieron. Sipas Ranierit, ai është alternativa nëse Del Piero nuk ka mundësi të luajë dhe nuk ka aspak ndërmend ta ndryshojë këtë gjë. Vetëm kjo është fatkeqësia e tij, sepse ai është një futbollist shumë i mirë. Megjithatë, në shumicën e rasteve duhet të bësh durim dhe të presësh momentin më të mirë për të vepruar. Cilësitë e tij janë të pamohueshme dhe prandaj do të vijë momenti që t’i shfaqë më së miri. Gjithsesi, mendoj se Ranieri duhet t’i japë më shumë hapësirë”, ka përfunduar menaxheri i sulmuesit, Claudio Pasqualin.

Ranieri: Eshtë zemra arma e Juventusit tim!

Trajneri bardhezi bën bilancin e 2008?ës: “Në mendje më janë fiksuar fitorja me Milanin, me Interin në “San Siro”, me Romën dhe ndaj Realit, në “Bernabeu”. Çfarë perlash...” Vendi i tretë në kampionat dhe rikthimi në Champions League, faza e grupeve në Europë e mbyllur më vendin e parë përpara Real Madridit dhe vendi i dytë në renditjen e Serisë A, pas Interit. Për Juventusin e Claudio Ranierit, 2008-ta ishte një vit i mbushur me kënaqësi dhe trajneri bardhezi pranon se “janë të ndryshme pikët që i kanë mbetur të fiksuara në mendje: ndeshjet e fituara ndaj Milanit, ndaj Interit në “San Siro”, përballë Romës dhe sidomos fitorja ndaj Realit, në “Bernabeu”, që na dha mundësi ta mbyllnim në vend të parë grupin e Champions League. Këto janë perlat që kemi realizuar në këtë 2008-të”, u shpreh trajneri bardhezi, i cili në këtë intervistë të dhënë për “Juventus Channel” ka shprehur të gjithë gëzimin e tij, por duke prekur edhe temat e tjera, siç janë kriza e kaluar apo dëmtimet e shumta. Por, analiza e Ranierit nuk ndalet me këto suksese. Tekniku i “Zonjës” nënvizon edhe cilësinë më të madhe të Juventusit, gati një shtysë për vitin e ardhshëm: “Soliditeti që na kanë dhënë kampionët tonë dhe më pas fakti që të gjithë djemtë që kemi blerë janë ambjentuar më së miri janë për t’u përgëzuar. Edhe Tiago, që ndoshta vitin e shkuar nuk arriti që të gjente hapësirën e duhur dhe rendimentin që pritej për të shpërthyer, këtë vit ia ka dalë. Pastaj, duhet përmendur edhe fakti që të gjithë, kampionë apo jo, luajnë me zemër për skuadrën. Çdokush sakrifikon dhe jep gjithçka që ka për të mirën e ekipit dhe kjo besoj se është shumë e rëndësishme”. Në fund, Ranieri foli edhe për 2009-ën, duke vendosur objektivat: “Do të doja që viti i ardhshëm të ishte edhe më i mirë. Qëllimi ynë? Të kemi sa më shumë gëzime, por kjo do të varet se si do të paraqitemi. Nëse vazhdojmë kështu dhe nëse kjo skuadër gëzon shëndet të plotë, pa lojtarë të dëmtuar, mund të arrijmë shumë larg. Trezeguet? Shpresojmë që të kthehet shpejt, për Champions League. Buffon dhe Poulsen do të jenë gati që në ndeshjen ndaj Sienës dhe të tjerë akoma do të rikuperohen me kalimin e kohës. Faza përgatitore do të na shërbejë shumë”.

Fluturon, fluturon Amauri

Fluturon, fluturon Amauri. Është ai hero i goditjeve me kokë për vitin 2008. Për më tepër, sulmuesi brazilian ka realizuar 9 gola me kokë këtë sezon. Pas tij renditet dyshja italiane, Pippo Inzaghi dhe i rilinduri Alberto Gilardino, të cilët këtë vit shënuan nga 5 gola me kokë. Ndërsa, janë tre futbollistë që këtë vit realizuan nga 4 gola me kokë, Jeda, Pato e Panucci, kurse 8 futbollistë kanë shënuar nga 3 gola me kokë, ndër ta edhe juventini tjetër, mbrojtësi Chiellini. Vlen të përmendet se 5 nga 9 golat e shënuar me kokë Amauri i ka realizuar në fanellën e Juventusit, derisa katër të tjerë i kishte arritur sa luante te Palermo. Me Bianconerët ai kishte shënuar menjëherë me kokë ndaj Catanias, kurse viktimat e tjera ishin edhe Genoa, Lecce, Milan e Atalanta. Fakti se Amauri ishte goditësi më i mirë i topit me kokë në vitin e tij më të suksesshëm, nuk duhet ta habisë askënd, duke marrë parasysh se armë e brazilianit nuk është vetëm gjatësia, por është mënyra se si arrin ta perceptojë pozitën para se të hidhet në ajër për ta goditur topin me kokë. Amauri konsiderohet si specialist i madh i goditjeve me kokë dhe pasardhës i denjë i futbollistëve që e kishin karakteristikë gjuajtjen me kokë si Roberto Bettega, Gigi Riva e Gianni Bui në vitet shtatëdhjetë, Spillo Altobelli, Mark Hateley, Francesco Graziani e Franco Vannini në vitet tetëdhjetë dhe në fund, në vitet nëntëdhjetë, Andrea Silenzi, Fabrizio Ravanelli e Bobo Vieri.

10 golat më të mirë të Ligës së Kampionëve


Liga e Kampionëve çdo vit shndërrohet në arenën ku ekipet më të mira europiane i sprovojnë forcat e tyre. Padyshim, atë më së shumti e karakterizojnë golat e shkëlqyeshëm, të cilët nuk kanë munguar edhe këtë edicion. Tashmë Liga e Kampionëve për këtë sezon ka lënë pas gjysmën e rrugës, ndërsa disa nga golat duket se do t’i mbajmë mend gjatë.

Më poshtë mund t’i shihni 10 golat më të bukur.
Goli i Alex Del Pieros kunder Zenitit eshte i renditur si goli i pare, por Del Piero nuk u ndal me kaq, Goli i shenuar kunder Real Madridit eshte i radhitur si i treti..

Milito lojtar i Juventusit në qershor?

Sipas të përditshmes italiane "Tuttosport", Juventusi dëshiron ta joshë sulmuesin e Genoas, Diego Milito, ndërsa sipas të njëjtit burim, presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, tashmë ia ka premtuar sulmuesin Zonjës së Vjetër. Genoa ka refuzuar ofertat luksoze për ta shitur në janar sulmuesin e kthyer këtë sezon nga Zaragoza, ndërsa “Tuttosport” njofton se kjo ka ndodhur për shkak se Milito do të kalojë te bardhezinjtë gjatë afatit kalimtar veror. Ndërmjet ofertave tjera, Genoa ka refuzuar propozimin disamilionësh të Interit dhe për të zgjedhur ndërmjet lojtarëve, si Burdisso, Dacourt, Obinna dhe Jimenez, për shërbimet e argjentinasit.

Kush do të jetë golashënuesi më i mirë në Serie A


Gara e sivjetme në Serie A për ta fituar titullin e golashënuesit më të mirë duket të jetë më e nxehtë. Liga italiane është e njohur më së shumti për lojë defanzive, ndërsa këtë sezon duket se do të ndodhë ndryshe, pasi që ka kaluar java e shtatëmbëdhjetë, ndërsa tre sulmues i kanë nga 12 gola të shënuar. Marco Di Vaio (Bologna), Diego Milito (Genoa) dhe Alberto Gilardino (Fiorentina) aktualisht prijnë në listën e golashënuesve me nga 12 gola, të ndjekur nga Amauri (Juventus) që ka shënuar 11 gola dhe Zlatan Ibrahimovic (Inter) me 10 gola të shënuar. Do të jetë interesant të shikohet se kush do të përfundojë si golashënuesi më i mirë i sezonit 2008/2009 gjë që do të vendoset muajt e ardhshëm. Sezonin e kaluar golashënuesi më i mirë u shpall kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero. Kush mendoni se do të ta fitojë titullin “Capocannoniere”, i cili i jepet golashënuesit më të mirë në Serie A.

Juventus 10 milionë për Behramin

Juventus i ka përgatitur 10 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e Valon Behramit. Sipas ueb faqes italiane, ilcalciomercato.it, kosovari me pasaportë zvicerane nuk do ta refuzonte transferimin te Bianconerët. Juventus po e sfidon Romën dhe Milanin për mesfushorin kosovar me nënshtetësi zvicerane, Valon Behrami, shkruan ueb faqja italiane, ilcalciomercato.it. Gjithnjë sipas kësaj ueb faqeje, futbollisti i West Hamit e pëlqen destinacionin te Bianconerët, në rast se dy klubet merren vesh në mes vete. Drejtor gjeneral i Juventusit, Jean Claude Blanc e ka bërë gati një ofertë prej 10 milionë eurosh, për ta transferuar 23-vjeçarin në Torino. Për ish-futbollistin e Lazios, interesim ka shprehur edhe Fiorentina, por klubit Viola i është komplikuar puna, ngase dëshironte ta shkëmbente sulmuesin e vet, Pazzini, me Behramin, gjë e cila është hedhur poshtë nga zyrtarët e klubit anglez dhe që nuk do të ndodhë. Ditë më parë, mediat angleze shkruanin se përpos Juventusit, Milan, Roma e Fiorentina, për Valon Behramin është i interesuar edhe nënkampioni i Evropës dhe i Anglisë, Chelsea. Drejtori sportiv i West Hamit, Gianluca Nani, javën e kaluar e kishte përgënjeshtruar lajmin se Behrami do të largohej nga Londra gjatë afatit kalimtar të janarit, por nuk e kishte përjashtuar mundësinë se kjo do të mund të ndodhë gjatë verës së ardhshme. Klubi anglez e kishte blerë Behramin nga Lazio për 6 milionë euro, verën që e lamë pas, ndërsa tash kartonin e mesfushorit, njëherësh edhe mbrojtësit të djathtë kosovar, e vlerëson 20 milionë euro. Megjithatë, më shumë rreth së ardhmes së kosovarit, i cili ka shkëlqyer këtë pjesë të sezonit te West Hami, do të dihet në muajin janar, kur fillon afati kalimtar.

Amauri i shtrin dorën Dungës


Por mamaja e tij është pro aktivizimit të tij në kombëtaren e Italisë

Brazili mbetet në ëndrrat e Amaurit. Në pritje të pasaportës italiane, që do t‘i hapte portat e kombëtares së Lippit, sulmuesi i Juventusit, në një intervistë për të përditshmen braziliane "Estado de S.Paulo", thekson se, opsioni i tij i parë mbetet selecao. Dunga akoma nuk e thërret, edhe pse në ditët e kaluara nuk e ka përjashtuar si mundësi se mund ta grumbullojë për miqësoren e 10 shkurtit, pikërisht kundër Italisë. "Pres i qetë një grumbullim ose me kombëtaren e Brazilit ose ma atë të Italisë, thotë Amauri. Pasaporta? Varet nga burokracia, mund të vijë pas pak ditësh apo muajsh, mund të jetë gati edhe në fillim të vitit. Megjithatë, unë jam brazilian dhe kombëtarja e vetme ku unë mund të luaj për momentin është ajo braziliane. Po pres vetëm një shans". Verdhëjeshilët - Me Dungën shpjegon ai "nuk kam pasur asnjë kontakt, por jam i sigurt që po më vëzhgon. E di që nuk është e lehtë të arrish te selecao. Dunga punon me një grup lojtarësh prej dy vitesh dhe unë thuajse jam një i panjohur, edhe pse tani luaj te Juventus dhe kjo i jep më shumë peshë imazhit tim". Trajneri i verdhëjeshilëve e ka lënë të hapur thirrjen e Amaurit, por nuk dëshiron presion. "Ndoshta e ka thënë një gjë të tillë, për shkak të një deklarate të ish-menaxherit tim, që kërcënoi se, do të ankohesha për Dungën, tregon futbollisti bardhezi. Por nuk është e vërtetë dhe besoj se kjo histori nuk duhet të më ndjekë më. E di që trajnerët nuk i pëlqejnë këto gjëra dhe dua t‘i them Dungës se, nuk kam kërkuar kurrë asgjë. Nuk është pjesë e karakterit tim. Nëse do të shkoj në kombëtare, kjo do të ndodhë sepse kam punuar shumë, sepse e kam merituar në fushë, jo sepse të tjerët po bëjnë presion".Bardhezi - Por në mendimet e Amaurit nuk është vetëm Brazili. Te Juventus sulmuesi po gjen edhe lavdinë e tij. "Karriera ime po ecën shumë mirë, vazhdon ai. Ika nga Palermo dhe te Juventusi jam ambientuar menjëherë. Është e lehtë të luash me Del Pieron, Nedved, Camoranesi. Ndeshja me Milanin? Ka qenë shumë e rëndësishme, kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë, ka qenë një natë speciale. Pas nëntë vitesh luftë, nga ardhja ime në Itali, duke kaluar nëpërmjet Serisë B, tashmë luaj për një nga klubet më të rëndësishme të botës dhe gjëja më e bukur është se po tregoj vlerat e mia të vërteta. Ka qenë një 2008 shumë e kompletuar, më mungon vetëm grumbullimi në kombëtare". Bashkëkombësit - I vetmi brazilian te bardhezinjtë ("por me Tiago flasin edhe portugalisht"), Amauri ka marrëdhënie shumë të mira me bashkëkombësit e tij në Serinë A ("Julio Cesar është një mik i madh") dhe një ditë shpreson të kthehet në vendin e tij, për të veshur bluzën e skuadrës së zemrës. "San Paolo është si Juventusi i Brazilit, një skuadër e madhe, pohon ai. Ëndërroj akoma të luaj atje, por jo për momentin. Pas 9 vitesh në Itali, më në fund po luaj në një skuadër të madhe, por si tifoz i San Paolos dëshiroj akoma të luaj në skuadrën time të zemrës. E kam ndjekur në fitoren e kampionatit brazilian, isha i lumtur, ka qenë një muaj perfekt për mua".

“Ëndërrojmë një 2009 si protagonistë”

“Sigurisht, më vjen keq që disa pikë i kemi lënë kot rrugës, por, nga ana tjetër, ndeshjet e fituara ndaj Milanit dhe Interit në kampionatin e kaluar brenda në ‘San Siro’ dhe padyshim fitorja ndaj Romës, do të jenë kujtimet më të bukura për ne nga sezoni 2008. Rikthimi në Ligën e Kampioneve, pas dy vitesh të vështira për këtë skuadër, dhe fitorja spektakolare e regjistruar në ‘Santiatgo Bernabeu’ kundër Realit të Madridit do të jenë perlat e Juventusit, që të gjithë do t’i kujtojmë”, është shprehur Claudio Ranieri. Trajneri i “Zonjës së vjetër” vijëzon një rrugë të suksesshme të bardhezinjve, që ka karakterizuar vitin që pritet të mbyllet, duke rikujtuar edhe njëherë momentet e mrekullueshme, shumë emocionuese për të, lojtarët e tij dhe veçanërisht për popullin juventin. Gjithsesi, timonieri i formacionit torinez nuk kërkon të ndalet vetëm tek këto suksese, pasi nga viti 2009 pret gjëra akoma më shumë emocionuese, pse jo një sezon që shpresohet të përfundojë me fitimin e diçkaje të rëndësishme, si kampionati italian apo Liga e Kampioneve. “Kënaqësia më e madhe për këtë fazë të sezonit është impenjimi i jashtëzakonshëm që kampionët tanë kanë shfaqur në çdo ndeshje në fushën e lojës, si dhe fakti që të gjitha përforcimet tona të merkatos së verë janë ambientuar menjëherë me lojën që ne bëjmë. Edhe Tiago, i cili në kampionatin e kaluar nuk mundi të gjente hapin e duhur, sivjet ia ka dalë mbanë dhe do të jetë ai një ndër blerjet tona më të rëndësishme, - ka vijuar tekniku juventin. - Pastaj, fakti që edhe ata lojtarë, të cilët nuk kanë pasur shumë hapësirë, tregohen gjithmonë të gatshëm e të motivuar përbëjnë shpirtin e vërtetë të këtij grupi. Të gjithë janë të gatshëm të sakrifikohen, e padyshim që është kjo gjë arma më e fortë e skuadrës sonë”, ka theksuar Ranieri.“Një 2009 pozitive” – Duke parë sesi është paraqitur Juventusi gjatë kësaj periudhe, trajneri pret gjëra akoma edhe më pozitive për vitin e ardhshëm. Mirëpo jo gjithmonë dëshirat që thuhen, mund të realizohen. “Të ëndërrosh është diçka, dhe ta realizosh atë është diçka tjetër. Unë them gjithmonë që fillimisht duhet të punojmë e më pas të mendojmë për zbatimin e idesë sonë. Duke parë sesi punojmë bashkë me lojtarët çdo ditë, mund të them se nga viti 2009 pres një sezon si protagonistë”, ka përfunduar trajneri i formacionit bardhezi, Claudio Ranieri.

“Pres një shans nga Dunga”

“Pres i qetë, qoftë kjo një ftesë nga përfaqësuesja braziliane apo italiane. Gjithsesi, unë jam brazilian dhe e vetmja kombëtare me të cilën mund të luaj, të paktën për momentin, është ajo e ‘Selecaos’. Pres një shans për të treguar vlerat e mia”. Kjo është një ndër deklaratat e sulmuesit të Juventusit, Amauri Carvalho de Oliveira, për të përditshmen braziliane “Estado de S.Paolo”. Fjalët e autorit të 11 golave në Serinë A kanë ardhur pas sinjaleve të para pozitive që Carlos Dunga ka lëshuar kundrejt tij, katër ditë më parë, me anë të një interviste, gjatë së cilës theksonte se “mund të thërras në kombëtare Amaurin, por të mos pretendojë fanellën e titullarit”. Mbi këto deklarata, Amauri kërkon të sqarojë se kurrë nuk ka pretenduar fanellën e titullarit tek Brazili, pa e merituar atë: “Deklaratat e ish-menaxherit, që theksonte se meritoja fanellën e titullarit, më kanë dëmtuar në një farë mënyrë në sytë e Carlos Dungës. Ju siguroj të gjithëve, por edhe trajnerin e Brazilit, se kurrë nuk kam pretenduar diçka që nuk e meritoj. Nëse ai do të ma japë një shans, kjo do të thotë se një gjë të tillë e kam merituar me atë çfarë kam shfaqur në fushën e lojës, jo sepse të tjerë në emrin tim mund të bëjnë presion”.

Del Piero, Totti, Mourinho, një Lippi me kënd të gjerë

Marcello Lippi ka dhënë mendimin e tij për gjithçka: lojtarët e kombëtares, të rinjtë, rolin si trajner, Del Pieron, Tottin, Ancelottin, Mancinin dhe Mourinhon. Del Piero – “Unë mendoj se Alessandro Del Piero do të arrijë në kuotën e 300 golave (tani ka shënuar vetëm 252), sepse është një djalë që ka aq shumë dëshirë për të luajtur, i pëlqen aq shumë t’i përgatisë më së miri paraqitjet e tij nga pikëpamja teknike dhe atletike, nga pikëpamja psikologjike, sa të jep ndjesinë që nuk është një lojtar 34- vjeçar në përfundim të karrierës së tij, por sikur ka ende shumë objektiva përpara vetes. Në botë, Del Piero është Juventusi dhe Juventusi është Del Piero”. Totti – Ashtu si Del Piero, edhe Totti ka historinë e tij. “Është një djalë shumë i mirë, mjaft i zoti, i thjeshtë, madje edhe pak i turpshëm, pavarësisht se është tepër i rëndësishëm në futbollin italian, sidomos në atë kryeqytetas. Kur e kam njohur, më ka bërë përshtypje një gjë, – shpjegon Lippi, – aftësia e tij për të reaguar ndaj shumë dëmtimeve që ka pësuar. I ka kaluar mjaft shpejt. Për shembull, dëmtimi gjatë botërorit: më kujtohet që ishte ai i pari, në një ambient ku kjo po përjetohej me shumë dramacitet, që u dha siguri e qetësi të gjithë njerëzve që i qëndronin afër. Dhe kjo ishte me të vërtetë mbresëlënëse. Ja pse isha shumë i sigurt që do të rikuperohej shpejt”. Cannavaro – “Fabio është i veçantë, sepse nuk janë lojtarët më të shkëlqyer ata që bëjnë goditje me takë apo pasime të hijshme, por janë ata që arrijnë të japin më të mirën e tyre në një ambient të caktuar duke përfshirë edhe shokët e skuadrës. Fabio është një nga këta njerëz. A do ta lejojmë të shënojë rekordin e paraqitjeve me kombëtaren? Mendoj se ky është një nga objektivat e tij, por është aq serioz, sa po ta kuptonte se nuk është më në lartësinë e duhur, nuk do të pretendonte të luante vetëm sa për të shënuar rekordin. Do të shikojmë se çfarë do të bëjmë, por mund të them pa frikë se mund të luajë edhe 2-3 vjet”. Gilardino – Lippi ka dhënë mendimin e tij edhe për sulmuesin që është rikthyer fuqishëm tek Fiorentina: “Është diçka shumë e bukur që Gilardino ka arritur të rigjejë papritur sigurinë në ambientin ku luan dhe harmoninë me trajnerin e tij. Pavarësisht se ka qenë diçka krejtësisht e papritur, ai është sinkronizuar edhe me ambientin e kombëtares”. Pankina e Milanit – “Ka qenë një periudhë gjatë së cilës unë isha në dijeni të gjërave që ndodhnin aty, nga ato që lexoja nëpër gazeta. Dhe, të them të drejtën, nuk e kam pasur kurrë ndjesinë që Milani nuk donte të kishte më si trajner Ancelottin, i cili e njeh atë klub si askush tjetër. Ndjesia që kemi pasur gjithmonë gjatë viteve të fundit është që Milani është Ancelotti dhe Ancelotti është Milani. Është mjaft e fortë lidhja ndërmjet trajnerit dhe shoqërisë. Situatave tepër të vështira, të cilave u ka dhënë zgjidhje, madje edhe nga pikëpamja psikologjike, vetëm një njohës shumë i mirë i ambientit milanist mund t’i zgjidhte. Për këtë arsye kam menduar gjithmonë se e ardhmja e Milanit do të jetë e lidhur me Ancelottin dhe nuk besoj se do të ndryshoj mendim”. Roli – Trajneri i kombëtares ka bërë një koment edhe për rolin e trajnerëve, lidhur me deklaratat e Roberto Mancinit pas humbjes me Liverpoolin, e vlefshme për Ligën e Kampionëve 2007-2008. “Figura e trajnerit është shumë e veçantë. Nuk bëhet fjalë për eksperiencë, vjetërsi, punë, a për mënyrën sesi sillesh në situata të veçanta. Ato janë thjesht momente, në të cilat ndihesh i ezauruar, ndihesh gati-gati i zhgënjyer, sepse punën tënde e përjeton me një intensitet të habitshëm, me një pasion të madh, me një vullnet të pashtershëm dhe kur merr një rezultat shumë negativ, nuk mban më dhe shprehesh me ca fjalë, të cilat po t’i kishe menduar edhe për pak sekonda më tepër, nuk do t’i kishe thënë kurrë”. Lippi më pas ndalet tek Mourinho. “Kam biseduar shumë herë me të, e njihja që nga mbledhjet e UEFA-s. Kurrë nuk kam dëgjuar një futbollist të flasë keq për Mourinhon, përkundrazi të gjithë flasin me shumë mirë. Dhe kjo është meritë vetëm e trajnerit”. Zbulimi – “Ajo që ka ndodhur në Napoli është diçka shumë e bukur. Duket sikur ky qytet mund t’i përjetojë momente të tilla vetëm falë publikut të tij dhe pjesëmarrjes. Mirëpo, në të vërtetë, pas këtyre rezultateve qëndron një programim tepër serioz, qëndron një shoqëri që ka punuar shumë, që ka gjetur lojtarë të rinj mjaft interesantë; një shoqëri me ka një kapacitet të shkëlqyer nga pikëpamja tekniko-taktike e që ka mbledhur disa lojtarë kaq të mirë dhe që ka bërë një grup të bashkuar”.Veteranët dhe të rinjtë – Lippi rrëfen, ndër të tjera, edhe dëshirën e tij për vitin 2009: “Vazhdimësia e kësaj gjëje kaq të bukur, kaq mahnitëse, kaq të rëndësishme me të cilën jam marrë kohët e fundit, domethënë me ristrukturimin e grupit të ri, i cili ka cilësitë e duhura psikologjike për të provuar edhe njëherë të zbresë në fushë një super skuadër për Botërorin 2010. Sipas mendimit tim, po ecim në rrugën e duhur, sepse kemi lojtarë veteranë që janë fantastikë dhe kanë dëshirë të vihen në dispozicion të të tjerëve. Por kemi edhe lojtarë të rinj që janë të gatshëm të përshtaten e të përfitojnë eksperiencë nga më të vjetrit. 2010? Do të ishte fantastike sikur ta fitonim edhe njëherë botërorin”.

Përforcimet e Ranierit vijnë nga infermieria

Ka shumë mundësi që kundër Chelseat, në sfidën e dyfishtë të Ligës së Kampioneve, tekniku bardhezi, Claudio Ranieri, të ketë në dispozicion edhe David Trezeguet. Bomberi francez, pas atij operacioni në të dyja këmbët, është rikuperuar. Ai pritet të rifillojë stërvitjen rregullisht në ditët e para të janarit. Për momentin, Trezeguet ndodhet me pushime në Amerikë, e gjithmonë sipas stafit bardhezi do mund të zbresë në fushën e blertë brenda një muaji. Pas lajmeve të mira për ‘Trezegol’, kreu i pankinës juventine, Ranieri, tani mund të marrë frymë lirisht, pasi përveç rikuperimit të francezit, për sezonin që vjen do mund të ketë në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët e dëmtuar, më konkretisht Tiagon, Poulsen, Camoranesin, Zebinën, Salihamidzicin e të tjerë, elementët kryesorë këta që do përforcojnë armatën e “Zonjës së vjetër” në luftën për titull, por edhe në Evropë.

“2008, fitore të paharrueshme”

Në shtëpinë e “Zonjës së vjetër” ka ardhur momenti, që lojtarë e drejtues të bëjnë bilancin e fundvitit. Një ndër ta është edhe Mauro German Camoranesi. Mesfushori fatkeq i Juventusit, për shkak të dëmtimeve të shumta, veçon atë fitore të marrë në “San Siro” kampionatin e kaluar ndaj Interit, si kujtimin më të bukur që ka nga viti 2008: “Momenti më i bukur gjatë këtij viti ka qenë padyshim triumfi ndaj Interit brenda në ‘San Siro’. Nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje. Edhe fytyrat e tifozëve juventinë nuk kam për t’i harruar ndonjëherë. Për ne, ajo fitore ishte mjaft e rëndësishme. Gjunjëzuam Interin, kampionen e padiskutueshme të Italisë në sezonet e fundit. Me atë sukses u hakmorëm në një farë mënyre ndaj zikaltërve, – ka deklaruar Kamoranezi, përballë mikrofonave të ‘Juventus Channel’. - Sivjet gjërat kanë ndryshuar për mirë. Jemi përforcuar më shumë falë ardhjeve të reja në skuadër. Për mendimin tim Juventusi ka lojtarë të rinj e të talentuar, të cilët shumë shpejt do shpërthejnë e do e çojnë akoma më lart emrin e këtij klubi legjendar”. I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga viti që vjen, Camoranesi përgjigjet: “Shpresoj të gjej vazhdimësi në fushë e të mos dëmtohem më”. Por me sa duket mesfushori tjetër i bardhezinjve, Momo Sissoko, ka të inkuadruar në mendjen e tij një tjetër sukses për skuadrën e Juventusit. E nëse Camoranesi nuk do ta harrojë kurrë fitoren e Juves ndaj Interit në Milano, Sissoko nuk do ta fshijë kurrë nga kujtesa triumfin e Del Pieros me shokë ndaj Real Madridit në Ligën e Kampioneve, vetëm pak javë më parë në “Santiago Bernabeu”. “Ndeshja më emocionuese ka qenë ajo kundër Real Madridit. Ajo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për të gjithë ne, – tregon mesfushori bardhezi. – Sivjet Juventusi ka me të vërtetë një skuadër të mirë. Në dhomat e zhveshjes dhe në fushë ekziston një lidhje shumë e ngushtë ndërmjet lojtarëve, – nënvizon ish-mesfushori i Liverpoolit. – Nëse sivjet do fitonim Ligën e Kampioneve apo kampionatin, do të ishte e mrekullueshme”.

Interi dominon Serinë A, por Juventusi e ndjek


Kreu i Serisë A njeh vetëm ngjyrat zikaltër, sido që do ta analizojmë sezonin e tyre. Sido që ta analizojmë paraqitjen e tyre, qoftë gjatë kësaj periudhe 12 mujore, ose të këtyre 17 javëve të para të këtij kampionati të Serisë A, 2008-ta është absolutisht viti i Interit. Që nga shkarkimi i Roberto Mancinit e deri te mbërritja e Jose Mourinhos nën drejtimin e skuadrës, asgjë e re nuk ka ndodhur në kreun e kampionatit italian, Interi vazhdon të kryesojë bindshëm dhe nëse të tjerat nuk reagojnë, vështirë se situata mund të ndryshojë deri në përfundim të sezonit, por pse jo edhe në vitet e ardhshme. Nëse analizojmë këtë vit të zikaltërve, çdo gjë flet në favorin e tyre, ndërkohë që Milani, duke pasur parasysh që nuk do të ketë as impenjimin në Ligën e Kampioneve, duhej të bënte më shumë kundrejt “kushërinjve” të tyre, të cilët ndodhen plot 9 pikë larg tyre. Nga ana tjetër, Juventusi është padyshim skuadra më e mirë pas asaj të Mourinhos. Sezonin e kaluar bardhezinjtë realizuan objektivin e tyre, që ishte rikthimi në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që aktualisht janë ndjekësit më të afërt të kampionëve në fuqi të Italisë, me 6 pikë. Një 2008-të e suksesshme ka qenë edhe për skuadrat si Catania, Genoa e Napoli, skuadra të ashtuquajtura të vogla, por që gjatë këtyre 17 javëve të para të Serisë A kanë zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer. Ndërkohë, që zhgënjejnë skuadrat si Roma, një start shumë i gabuar i këtij sezoni, por gjithashtu edhe Udinese e Sampdoria. Këto janë notat për skuadrat italiane për vitin 2008.

INTER 8.5 – Një votë më pak se vitin e kaluar, ndonëse në kampionatin e kaluar, zikaltrit deri në këtë pikë të sezonit ishin ende të pamundur, me një pikë më shumë diferencë kundrejt ndjekëses së tyre, gjashtë gola më shumë të shënuar dhe dy më pak të pësuar. Ndërkohë që në sezonin aktual, asnjë skuadër nuk ka shënuar më shumë se Interi, por edhe mbrojtja më e mirë u përket zikaltërve. Gjithsesi, vështirësitë e shfaqura në fushën e lojës janë shumë herë më të mëdha në këtë kampionat sesa në atë të kaluarin, sepse duket se formacioni i Jose Mourinhos është totalisht i varur nga golat e Zlatan Ibrahimovicit, ndërkohë që në atë të kaluarin, Julio Cruz nxirrte nga situata kampionët.

JUVENTUS 8 – Bardhezinjtë janë të vetmit që duken se mbajnë hapin e Interit, duke konfirmuar kështu parashikimet e post sezonit të kaluar si rivalët më të zjarrtë e zikaltërve. Është shumë e vërtetë që “Zonja e Vjetër” ka humbur përballjen direkte me djemtë e Mourinhos, por gëzon ekuilibrin taktik dhe urinë për suksese për të vënë në vështirësi Interin, pavarësisht mungesave të shumta dhe të rëndësishme si Buffon, Camoranesi, Trezeguet, por edhe Tiago, Poulsen e Zanetti. Me rikthimin e tyre, gjërat priten që të ndryshojmë edhe më pozitivisht për skuadrën torineze.

CATANIA 7.5 – Një skuadër e këndshme
Bilanci i vitit/ Zikaltrit nuk njohin rivalë në 2008-n, Milani dhe Roma zhgënjejnë Interi dominon Serinë A, por Juventusi e ndjek në fushën e lojës, që dëfren me lojën e saj, por mbi të gjitha me një qëndrueshmëri rezultatesh të habitshme, të paktën për objektivat e parashikuara prej saj. Me Wallter Zengën në vend të Baldinit, Catania ka përmirësuar me katër pikë rendimentin e saj, nëse krahasojmë 17 javët e para të dy kampionateve. I vetmi defekt i formacionit kuqeblu janë mungesa e fitoreve në transfertë.

GENOA 7.5 – Skuadra e Gasperinit sivjet ka grumbulluar dhjetë pikë më shumë se në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, një skuadër thuajse e pagabueshme në shtëpinë e saj, ku nuk ka humbur kurrë dhe me kryegolashënuesin më të mirë në radhët e saj, Diego Militon, Genoa është padyshim surpriza më e bukur e këtij kampionati.

NAPOLI 7.5 – E teta në kampionatin e kaluar, e pesta aktualisht dhe me pesë pikë më shumë, duke treguar një rritje të vazhdueshme në rendimentin e lojës së saj. Projekti i presidentit De Laurentis po funksionon në mënyrë të shkëlqyer, që së bashku me ndihmën e Marinos dhe Rejas po ofron rezultate konkrete, edhe pse skuadra, e pamundur deri tani në shtëpi, ka humbur katër transfertat e fundit. Gjithsesi, një problem i tillë, duke parë potencialin teknik të Napolit, është mëse i rikuperueshëm dhe një vend mes katër të parave për ta nuk do të ishte një surprizë.

ATALANTA 7 – Kompaktësia e grupit është arma e saj më e fortë, kjo, falë edhe punës së shkëlqyer të trajnerit Del Neri dhe mbështetjes së padiskutueshme të familjes Ruggeri, presidencës së klubit. Maturia e vazhdueshme e shfaqur edhe nga sulmuesi i saj më i mirë, Floccari, aktualisht në kuotën e tetë golave dhe rendimentit të jashtëzakonshëm të kapitenin Cristiano Doni, Atalanta premton të tjera emocione dhe kënaqësi për tifozët në vazhdimin e javëve të ardhshme, edhe pse klubi këmbëngul se objektivi i vetëm është qëndrimin në Serinë A.

CAGLIARI 7 – Përgëzimet më të mëdha i meriton presidenti Cellino, që i ka habitur të gjithë, duke konfirmuar trajnerin Alegri në krye të stolit të skuadrës pas pesë humbjesh radhazi në pesë ndeshjet e para të kampionatit. E pamëshirshme në shtëpinë e saj kundër kundërshtarëve direkt, Cagliari avancon e sigurt në të ardhmen nën vulën e golave të të përhershmëve, Acquafresca dhe Jeda.

FIORENTINA 7 – E ka nisur mjaft dobët këtë sezon, por e ka përfunduar atë, të paktën deri në këtë fazë, në mënyrë të shkëlqyer, me tri fitore radhazi. Gilardino konfirmohet si një sulmues race dhe nën mbështetjen e Mutusë, Fiorentina dhe Prandelli do të jetë një kockë e fortë për cilëndo skuadër.

SIENA 7 – Ndeshja kundër Interit ishte e fundit e një serie të gjatë paraqitjesh pozitive për vitin 2008. Me lojën spektakolare, bardhezinjtë e Giampaolos do të provojnë me të gjitha forcat të sigurojnë qëndrimin në Serinë A, ndonëse në 2009 do të kërkohet të shënohet disi më shumë.

LAZIO 6.5 – Vendi i shtatë aktual, duke kujtuar vështirësitë me të cilat kjo skuadër është përballur në sezonin e kaluar meriton një notë më të lartë, por pas fillimit të vrullshëm të lojtarëve të Delio Rossit, ndeshjet e dobëta të zhvilluara në javët e fundit kanë ulur disi entuziazmin dhe dëshirën për të luftuar. Zarate padyshim është një ndër blerjet më të goditura të Serisë A ndër vite, por i mungon pak eksperiencë.

MILANI 6 – Skuadra më e fortë në shtëpinë e saj me 24 pikë të grumbulluara, por gjen vështirësi të jashtëzakonshme në transfertë. Një notë e tillë është mesatarja aritmetike e asaj që meriton për paraqitjet në shtëpi, padyshim 8 dhe 4-ës, që meriton për sfidat larg “San Siros”. Duke qenë se sivjet kuqezinjtë e nisën më të karikuar se kurrë për të rikthyer titullin e Serisë A në shtëpinë e tyre, nuk mund të mjaftojë vetëm ai sukses i arritur kundër zikaltërve, pasi aktualisht Interi ka një diferencë prej nëntë pikësh nga skuadra e Ancelottit. Përveçse duhet të zgjohet disi në 2009, Milani duhet të shpresojë edhe në gabimet e Interit.

PALERMO 6 – Pavarësisht ndërrimeve të shpeshta të trajnerëve, Palermo duket një skuadër pa shpirt. Ndryshon ritëm vetëm në ndeshjet me skuadrat e mëdha, ku kujtojmë këtu fitoret bindëse ndaj Milanit e Romës, por vetëm kaq.

BOLOGNA e LECCE 5.5 – Kuqeblutë e fillojnë me një fitore madhështore në “San Siro” kundër Milanit, por deri me mbërritjen e Mihajlovicit, nën drejtimin e skuadrës asgjë konkrete nuk ishte parë, pavarësisht 12 golave të Marco Di Vaios. Edhe Lecce është ajo skuadër, që lufton me të mëdhatë, por ngec në ndeshjet direkt. Padyshim që këto dy formacione janë ndër kandidatet për t’u rikthyer në Serinë B, por nuk dihet kush do ta arrijë.

ROMA 5 – Nuk mund ta niste në mënyrë më të keqe sezonin. Mbetet menjëherë jashtë luftës për titull dhe tashmë duhet të ndjekë me vështirësi, por edhe me shumë sakrificë ‘trenin’ e skuadrave që të çon drejt vendit të katërt. Objektivi i vetëm që verdhekuqtë mund të kërkojnë nga ky sezon i Serisë A.

SAMPDORIA – TORINO – UDINESE 5 – E mbyll sezonin e kaluar në vend të gjashtë, por skuadra aktuale nuk i ngjason aspak asaj së kaluarës. Shumë probleme në sulm dhe jo më kot vetëm Chievo, Lecce e Siena kanë shënuar më pak se bardhekaltrit. Udinese fillimisht u cilësua si surpriza e sezonit, pasi për tri javë mbajti edhe kryesimin e renditjes, ndërkohë që tashmë ka humbur plotësisht në pozicionet e mesit të tabelës. Skuadra duhet të reagojë, por... Torino, ashtu si Palermo, është një skuadër pa shpirt gare, shumë e vakët në lojën e saj, por me Novellinon pritet të ndryshojë ritëm.

REGGINA 4.5 – Objektivi i kalbrezëve është shpëtimi nga rënia nga Seria A për të dhjetin vit radhazi. Ndryshe nga sezonet e kaluara, organika e skuadrës është më pak cilësore me përjashtim të Corradit e Cozzas, ndaj shpresat janë të pakta.

CHIEVO 4 – Fitorja në javën e parë kundër Regginës kishte gënjyer verdheblutë, të cilët pavarësisht zëvendësimit të trajnerit, Iachini me Di Carlon, duken të destinuar të rikthehen në Serinë B.

Cobolli Gigli pret më shumë nga 2009-a

2008-a për mua ka qenë një vit pozitiv, ndërsa për Juventusin ka qenë një vit reflektimi. Perspektiva për 2009-ën është që mund të bëhemi shumë më të mirë”. Presidenti i bardhezinjve, Giovanni Cobolli Gigli, në një intervistëtë dhënë për “Sky Sport24” ka bërë bilancin e vitit 2008 dhe ka folur për të ardhmen e klubit juventin. “Janarin e kaluar u rikthyem me më pak forcë sesa e kishim lënë në dhjetorin e vitit të mëparshëm, ndërsa këtë sezon patëm vështirësi kundër Napolit dhe Palermos. Kritikat kundrejt nesh kanë qenë të ashpra, nuk e di nëse na kanë ndihmuar, por shoqëria, Blanc, Secco, Ranieri dhe skuadra kanë qenë më të bashkuara dhe reaksioni ka qenë i dukshëm, siç e keni parë fare mirë në Torino kundër Real Madridit. Që nga ai moment kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme për disa nga kritikët tanë dhe për disa arsye edhe për veten tonë, pavarësisht se ne e njohim shumë mirë potencialin e skuadrës”. Del Piero dhe të rinjtë – “Më ka bërë përshtypje vazhdimësia fizike dhe atletike e Del Pieros. Asnjë nuk e vë në dyshim që ai është një kampion i madh, por këtë vit, edhe më shumë se vitin e shkuar, ka pasur një prezencë fizike aq të mirë në fushë, saqë ka qenë lojtari kryesor për skuadrën. Juventusi ka luajtur në 2008-ën 43 ndeshje dhe Del Piero ka marrë pjesë në 35 prej tyre. Pastaj Legrottaglie është një djalë shumë i mirë, Chiellinin, kur të vijë koha e duhur, e shikoj si kapitenin e ardhshëm të Juventusit. Janë edhe të rinjtë si De Ceglie, Marchisio dhe Giovinco, por ka edhe shumë të tjerë që vijnë nga një ambient tjetër, gjithsesi ne kemi besim tek ata”. Objektivat – Tri janë gjërat që mund të bëhen realitet në 2009-ën: fitorja e kampionatit, Amauri italian dhe Del Piero në kombëtare. “Ndoshta jam shumë egoist, por në vend të parë do të vendos fitoren e Juventusit, pastaj dy të tjerat janë në pozicion të barabartë. Amauri? Do të jepte një ndihmesë shumë të madhe për Kombëtaren italiane dhe ndër të tjera do të ndihmonte edhe Juventusin. Pastaj ai nuk do të largohej më për një kohë të gjatë për të marrë pjesë në transfertat e Kombëtares braziliane. Jam i bindur që në 2009-ën do të bëjmë paraqitje edhe më të mira. Interi është gjashtë pikë në avantazh, por mendoj se për kampionatin kemi ende mundësi të fitojmë, por varet edhe nga Interi, le të shpresojmë që ata të bëjnë gabime. Mendoj se lojtarët tanë janë të motivuar për të gjitha kompeticionet, duke përfshirë këtu edhe Kupën e Italisë, por të them të drejtën, jam i bindur që ata e ndjejnë më shumë Ligën e Kampionëve”. Rivalët – “Interi duhet të fillojë të mësohet me faktin që ngjall antipati, siç u ndodh pothuajse gjithmonë të parëve të klasës, por jam i sigurt që mund ta durojë, sepse ka drejtues shumë të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. Milani ka më shumë mundësi në kompeticionet evropiane. Për këtë arsye mendoj se do të vazhdojë të investojë në kërkimin e ndërkombëtarizimit dhe operacioni Beckham sipas mendimit tim, është më shumë marketing sesa për arsye të mirëfillta futbollistike, por që padyshim anglezi do t’i japë një shkëlqim të ri kuqezinjve për vetë famën e mirë që gëzon. Gjithsesi, nëse drejtuesit e klubit milanez kanë menduar ta bëjnë një gjë të tillë, kanë pasur arsye të forta.

“Goli i tij ndaj Realit, më i bukur i vitit”

Goli më i bukur i vitit 2008? Për presidentin e UEFA-s, Michel Platini, golin më të bukur për këtë vit e ka shënuar Alessandro Del Piero me rastin e sfidës së vlefshme për Ligën e Kampionëve, Juventus-Real Madrid. “Isha në ‘Olimpico’ të Torinos kur Del Piero goditi fuqishëm në portën e Casillas – ka treguar francezi në një intervistë për shtyp. – U ngrita në këmbë jo vetëm prej faktit që unë jam tifoz i Juventusit, por sepse ai gol ishte i shkëlqyer”. Platini ka bërë një koment lidhur me sfidën e radhës, që do ta dërgojë skuadrën bardhezi në Angli: “Kam vënë re se ka një ekuilibër të habitshëm përsa u përket këtyre dy skuadrave. Chelsea dhe Juventusi janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Pastaj kampionati italian është përmirësuar shumë”.

Preziosi: Militon nuk e shes as për 30 milionë euro

“Milito do të qëndrojë te Genoa. Nuk kemi asnjë marrëveshje për ta shitur”. Presidenti i kuqebluve, Enrico Preziosi, thekson se nuk ka ndërmend ta largojë argjentinasin, që është në shënjestër të shumë klubeve italiane dhe të huaja. “Milito na ka kushtuar dymbëdhjetë milionë euro dhe nuk dua ta shes as për tridhjetë – është shprehur Preziosi për “Radio Radio”. – Ai është shumë mirë te Genoa, ndihet i vlerësuar. Nuk ka asnjë marrëveshje, tashmë po përpiqemi që të gjejmë një lojtar që mund ta zëvendësojë, jo një të dorës së dytë”. Milito është vënë në dukje nga numri i golave të shënuar gjatë fazës së parë të kampionatit dhe tani, në prag të merkatos së janarit, kërkesat për të janë në rritje, që nga Reali i Madridit deri tek Interi e te Juventusi. Bardhezinjtë e kanë vënë në shënjestër si një alternativë për Trezeguet. Moratti ka ofruar shifra shumë të larta dhe lojtarë shumë të rëndësishëm të Interit vetëm për ta pasur në skuadrën e tij, por presidenti i Genoas është i qartë kur thotë: “Nuk do ta largoj”.

YJET që pritet të popullojnë Serinë A



Diego - INTER - Cmimi 10-20 Milion Euro

Jose Mourinho është shumë i kënaqur nga bilanci i 17 ndeshjeve të para në stolin e zikaltërve, por portugezi kërkon t’i shtojë disi më shumë fantazi mesfushës së tij. I vetmi fantazist në qarkullim për momentin duket braziliani Diego. Mesfushori i Werder Bremenit është i sigurt se në janar, apo në përfundim të këtij sezoni, do ta lërë përfundimisht skuadrën e drejtuar nga Thomas Schaf, ndërkohë që emrat e skuadrave të interesuara për të janë të shumta. Juventus dukej shumë pranë arritjes së marrëveshjes me brazilianin, por në ditët e fundit mësohet se Interi ka filluar kontaktet me Diegon, e ardhmja e të cilit tashmë duket e destinuar të jetë Seria A. Numri 10 i Werder Bremenit kushton mbi 15 milionë euro, por presidenti zikaltër, Massimo Moratti, dihet që kur bëhet fjalë për kampionë nuk i kursen paratë.

Andrei Arshavin - JUVE/INTER - Cmimi 10 Milion Euro
Futbollisti rus më i spikatur i përfaqësueses së Gus Hidink në Evropianin e 2008, Andrej Arshavin, është objekti i dëshirës së shumë skuadrave, ku spikasin ato të Premier Ligës, por edhe pistat italiane nuk mungojnë. Në fillim të këtij sezoni ishte shumë pranë transferimit tek Tottenham, por rusi tashmë duket i bindur për t’u aktivizuar në Serinë A. Inter dhe Juventus janë dy skuadrat që kërkojnë një fantazist në mesfushën e tyre dhe lojtari rus është një alternativë serioze, ndonëse askush nga dy skuadrat italiane nuk ka bërë një ofertë zyrtare në drejtim të tij dhe klubit të Zenitit. Shifra e transferimit rrotullohet te shifra e mbi 10 milionë eurove, një arsye më shumë për të përvetësuar cilësitë teknike të Arshavinit.

David Silva - JUVENTUS - Cmimi 20 Milion Euro
David Silva, shumë pranë Juventusit. Kjo është ajo çfarë mediat spanjolle e ato italiane thonë prej kohësh. Kriza financiare globale e ka prekur rëndë skuadrën e Valencias, e cila duhet të shesë medoemos ndonjë nga dy yjet e saj, nëse do që të shpëtojë. Claudio Ranieri dhe skuadra e Juventusit do të ishin të gatshëm ta “ndihmonin” me 20-25 milionë euro Valencian, që ka më tepër se 150 milionë euro borxhe dhe 200 milionë të tjera të investuara në ndërtimin e stadiumit të ri të kësaj skuadre. Pikërisht për këtë arsye, bardhezinjtë, të cilët me rikthimin në Ligën e Kampioneve kanë pasuruar arkat e klubit të tyre, kanë shansin më të mirë të mundin konkurrencën e skuadrave të tjera të interesuar për David Silvan, i cili shihet si zëvendësuesi ideal për Camoranesin dhe Pavel Nedved në Torino.

Ruud Van Nistelrooy - ROMA - Cmimi 10 Milion Euro
Reali i Madridit dhe Ruud Van Nistelrooy duket se do t’i japin lamtumirën njëri-tjetrit në përfundim të këtij sezoni, moment në të cilin pritet dhe rikuperimi i dëmtimit që aktualisht sulmuesi holandez vuan. 32-vjeçari ka një kontratë me “galaktikët”, që skadon në vitin 2010, por me blerjen e Klaas-Jan Huntelaar dhe përforcimeve të tjera që priten në sulm gjatë merkatos së janarit, Realit nuk i shërben më Van Nistelrooy. Por sulmuesi shtatlartë holandez është lojtari që klubi i Romës ëndërron të ketë në gjirin e saj prej dy sezonesh, një sulmues që të garanton 20 gola në sezon. Vetëm se pengesë për kryerjen e një transferimi të tillë në radhët e formacionit italian mund të jetë përfitimi i lartë vjetor i Nistelrooyit, 5 milionë euro në sezon, ndërkohë që maksimumi që Roma mund t’i ofrojë është 2 milionë.

Lukas Podolski - ROMA - Cmimi 10 Milion Euro
Sigurisht që një tjetër sulmues që u intereson shumë verdhekuqve është edhe Lukas Podolski. 23-vjeçari gjerman vazhdonte të mos gjejë hapësirë në radhët e Bajernit të Mynihut, pasi Jurgen Klinsman i beson verbërisht dy gjigantëve të sulmit të tij, Luca Tonit dhe Miroslav Kloses. Për këtë arsye, Podolski jo pak herë ka shfaqur dëshirën për t’u larguar, madje më hapur se ç’duhet. Ndër preferencat e tij më të mëdha është transferimi te Këlni, skuadër tek e cila është rritur. Por, së fundmi, sulmuesi i bavarezëve është shfaqur shumë i interesuar edhe për ofertat e ardhura në adresë të tij nga Italia, e padyshim që Roma do të ishte një sistemim i mrekullueshëm për të. Nga ana tjetër, edhe trajneri i verdhekuqve, Luciano Spalletti, do të kishte në dispozicion sulmuesin e shumëkërkuar.

Yuri Zhirkov - JUVENTUS - Cmimi 15 milion Euro
Pavel Nedved ka mbërritur në fund të karrierës së tij sportive dhe dëmtimet vazhdojnë e të bëhen më të shpeshta për të. Duke lënë mënjanë problemet fizike të mesfushorit çek të Juventusit, skuadra kërkon me çdo kusht të gjejë një zëvendësues të denjë për Nedvedin. Përveç Silvas, për të cilin janë në luftë dhe skuadra më të pasura se bardhezinjtë, një tjetër alternativë e shkëlqyer që u pëlqen të gjithë drejtuesve torinezë është ajo e Yuri Zhirkov, futbollisti rus që spikati në Evropianin e këtij viti dhe vazhdon të paraqitet shkëlqyeshëm edhe me CSKA-në e Moskës. Zhirkov do të ishte i nderuar të përfaqësonte ngjyrat bardhezi, mirëpo për ta lënë të lirë lojtarin, klubi rus kërkon minimalisht 15 milionë euro, shifër mëse e pranueshme për “xhepat” e “Zonjës së vjetër”.

Formacioni më i keq i sezonit në Serie A


Në Serie A ka përfunduar java e shtatëmbëdhjetë e sezonit 2008/2009, ndërsa analistët e futbollin kanë krijuar formacionin më të keq deri në këtë fazë të sezonit.

Formacioni më i keq (3-4-3):

Portier: Andrea Campagnolo (Reggina)

Mbrojtës: Nicolas Frey (Chievo), Simone Loria (Roma), John Arne Riise (Roma)

Mesfushorë: Ricardo Quaresma (Inter), Christian Poulsen (Juventus), Sergio Almiron (Fiorentina), Amantino Mancini (Inter)

Sulmues: Andriy Shevchenko (Milan), Joaquin Larrivey (Cagliari), Raffaele Palladino (Genoa)

Mamaja e Amaurit: Duhet te zgjedhi Italine

‘Endrra e djalit tim eshte te luaje me Brazilin, por duhet te zgjedhi Italine.” Ky eshte mendimi i Janete Oliveira, mamase se Amaurit. Nderkohe qe Amauri duket se ka nder mend te zgjedhe “Selesaon”, mamaja e tij nuk eshte dakord me te, e cila eshte shprehur gjate nje interviste eshte shprehur: “Italia eshte vendi qe i ka dhene gjithcka, - shtoi ajo. - Por edhe nese do te luaje per Brazilin, dune do te ndihem e lumtur, sepse do te ishte gjithsesi nje sukses i madh.”

2008-a, vit pozitiv per Juven


‘Viti 2008 ka qene pozitiv per Juven dhe ne 2009-n urojme te behemi te medhenj.” Keto kane qene fjalet e presidentit te bardhezinjve Cobolli Gigli. ‘Sivjet hasem disa veshtiresi ndaj Napolit dhe Palermos dhe kritikat ndaj nesh ishin te ashpra, - vijoi ai.- Por klubi dhe skuadra vepruan si nje trup i vetem dhe reagimi ishte i dukshem.” Viti 2008, ka qene pa dyshim viti i Del Pieros. “Me ka bere pershtypje forma e tij e shkelqyer fizike. Ka qene dicka thelbesore.”

Dunga i bën thirrje Amaurit për tek Brazili

Carlos Dunga i bën thirrje të hapur sulmuesit të Juventusit, Amauri, për të veshur fanellën e përfaqësueses së Brazilit. Çështja Amauri rihapet përsëri, por këtë herë në një drejtim tjetër. Bomberi është midis dy rrugëve, asaj që të çon me përfaqësuesen axurre, dhe tjetra me atë të Selecaos. Në një intervistë të dhënë për Gazzetta dello Sport, tekniku i Brazilit Dunga është shprehur: “Dua ta thërras Amaurin në një nga ndeshjet e afërta miqësore të Selecaos. Mund t’i jap garancinë që në Brazil do ta mirëpresin, por nëse ai preferon Italinë, atëherë është ai që vendos”.Amauri pritet të pajisët së shpejti me pasaportë italiane, e cila i jep mundësinë atij të luajë për ngjyrat e kësaj përfaqësuesje. Vetë lojtari është në mëdyshje, por një ndikim të madh tek ai për të veshur ngjyrat e kaltërta ka gruaja e tij. Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka dhënë pëlqimin e tij, dhe nëse Amauri do të pajiset shpejt me pasaportë, atëherë ai pritet të marrë ftesën e teknikut italian për miqësoren e shkurtit kundër Brazilit. Në anën tjetër Dunga shfaqet për mediat duke mos dashur që superlojtari t’i shpëtojë nga duart. Një ndikim të madh tek tekniku brazilian duket se ka patur edhe portieri i Interit, Julio Cesar. Për këtë Dunga deklaroi: “Amauri është një sulmues i madh. Dua të them edhe një sekret të vogël. Më ka telefonuar Julio Cesar për të më sugjeruar qendërsulmuesin e Juventusit. Në mediat braziliane thuhet se po të vijë Amauri do ta ketë vendin e titullarit të sigurtë. Por ata që më njohin mirë nuk mendojnë kështu. Unë aktivizoj lojtarët që janë më në formë. Kaka’ dhe Ronaldinho i janë përshtatur rregullave të mia. E njëjta gjë qëndron edhe për Amaurin. Nëse është në formë do të luajë, në të kundërton duhet të presë”. Këto deklarata të fundit të Dungës rihapin seriozisht dhe një herë çështjen e të ardhmes së Amaurit.

Buffoni rikthehet si numri 1 i Juves në 11 janar

Kampioni i botës në futboll, Gianluigi Buffon, pritet të rikthehet me formacionine parë të Juventusit në datë 11 janar. Portieri nuk ishte pjesë e Juventusit në ndeshjet e fundit në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve, për shkak të një dëmtimi të gjatë. Bardhezinjtë kanë arritur të grumbullojnë në këto 17 javë 33 pikë, duke u renditur në vendin e dytë pas Interit. Rikuperimi i portierit kampion bote po vazhdon me ritme mjaft të kënaqshme, dhe rikthimi i tij në katërkëndësh pritet së shpejti.Në një intervistë për reporterët e shumtë të mbledhur pranë shtëpisë së tij në qytetin e lindjes, Carrara, ai është shprehur: “Gjendja ime është duke u përmirësuar plotëisht, dhe së shpejti do të jap kontributin tim për ekipin në garën për skudeton. Jam duke pritur rikthimin tim në formacionin e parë me Juventusin”.Buffon pritet të rikthehet në ndeshjen e parë të vitit 2009, ku Juventusi do të luajë në “Olimpico” të Torinos me Sienën në datë 11 janar 2009.

Behrami, duel mes gjigantëve Juve-Chelsea

Emri i Valon Berhamit e ka nxehur merkaton dimërore të futbollistëve. Tashmë është formuar një treshe, e cila është në garë për të marrë mesfushor kosovar të krahut, që ka pasaportë zvicerane. Dhe çfarë tresheje: Chelsea, Juventus e Roma. Duket se do të kemi një duel shumë të komplikuar mes tyre. Për shembull: nëse Behrami do të duhej të linte Uest Hemin në janar, Roma do të ishte më e favorizuara. Por nëse do të duhej të largohej në verë, verdhekuqtë do të dilnin nga skena dhe do të duhet të asistonin në një duel mes gjigantëve, me Juven nga njëra anë dhe Çelsin nga ana tjetër. Në tetor, Alessio Secco kishte takuar njerëzit pranë lojtarit, të cilëve u kishte bërë një kërkesë precize: “Më informoni nëse ka ndonjë të re rreth Behramit”. Prandaj në momentin që Roma po interesohej për të, drejtori sportiv i Juves ishte i informuar. Juve tashmë mësohet se i ka kërkuar West Hamit mesfushorin kosovar për në merkaton e verës. Për anglezët kjo ofertë është komode, pasi kështu i qëndrojnë besnikë edhe premtimit që i kanë bërë trajnerit të tyre, Zola: “Nuk e shesim Behramin deri në fund të kampionatit”. Megjithatë, tashmë është bërë e njohur edhe shifra që kërkon skuadra angleze për të lënë të lirë futbollistin: bëhet fjalë për një shumë prej 20 milionë eurosh.

Secco: Harrojeni Sissokon

Drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, e ka lëvduar mesfushorin Momo Sissoko dhe i ka thënë Real Madridit që të mos ëndërrojë se mund ta transferojë atë në janar. Sissoko erdhi te bardhezinjtë nga Liverpooli për 11 milionë euro dhe shumë shpejt është bërë njëri nga heronjtë e Zonjës së Vjetër. Mediat kanë spekuluar se gjiganti spanjoll, Real Madrid, dëshiron ta transferojnë në Bernabeu lojtarin nga Mali, ndërsa Secco ka shuar çdo shpresë për ndonjë kalim të mundshëm të mesfushorit te Mbretërit. “E di se Reali e dëshiron Sissokon, mirëpo edhe ne e duam. Ai nuk është në shitje. Ai vlen afër 20 milionë euro, mirëpo nuk ka nevojë të bisedohet për çmim, pasi që nuk asnjë shans që të largohet në janar. Momo meriton një çmim për paraqitjet e tija këtë vit”, ka thënë Secco për “Tuttosport”.

Dunga: Do ta ftoj Amaurin nëse rri në stol

Trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, ka thënë se më në fund ka vendosur ta ftojë në përfaqësuese sulmuesin e Juventusit, Amauri, por me kusht që ai të jetë lojtar rezervë. Amauri konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë në Serie A duke treguar një formë të shkëlqyer që nga transferimi te Juventus. Mirëpo ai nuk ka pasur ftesë nga përfaqësuesja braziliane, ndërsa italianët janë të gatshëm t’ia japin pasaportën që të luajë për përfaqësuesen Azzure. “Jam i gatshëm ta ftoj Amaurin, por me kusht që të mos kërkojë vend në formacionin startues”. “Të gjithë e dëshirojnë Amaurin në Brazil, mirëpo nëse ai zhvillon një ndeshje të keqe me përfaqësuesen menjëherë do të jetë i padëshiruar. Madje as Pele nuk ka kërkuar menjëherë vend në formacionin bazë”, është shprehur Dunga.

Cannavaro: Del Piero lojtari më i mirë i vitit


Mbrojtësi italian i Real Madridit, Fabio Cannavaro, i ka lavdëruar dy ish-bashkëlojtarët e tij, Alessandro Del Piero dhe Zlatan Ibrahimovic. “Unë çmimin e lojtarit më të mirë për vitin 2008 do t’ia ndaja padyshim Alessandro Del Pieros. Ai ka dëshmuar se pavarësisht moshës 34-vjeçare, është njëri nga lojtarët më të mirë në botë. Alex është një punëtor i madh dhe është një njeri shumë modest”. “Viti 2009 mund të jetë viti i Zlatan Ibrahimovic. Ai është një person i veçantë dhe një mik i mirë. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe shpresoj se do të ketë një vit të mbarë para vetes”, ka thënë kapiteni i Italisë.

Del Piero etiketon Giovincon si pasardhës

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, e ka etiketuar të riun Giovinco si pasuesin e tij tek bardhezinjtë. “Pas pesë vjetësh unë nuk do jem më, por Giovinco do më zëvendësojë”, ka thënë, Alessandro Del Piero.Kapiteni ka thënë po ashtu se në të ardhmen e Juventusit do jenë edhe elementë të tjerë si, Marchisio dhe De Ceglie.Duke folur për kampionatin italian, Del Piero e pranon se Interi ka qenë më i mirë në ndeshjen mes nerazurëve dhe biankonerëve.

Njëmbëdhjetëshi më i mirë deri më tani në Serie A


Vikendin që shkoi u zhvillua java e fundit për vitin 2008 e sezonit 2008/2009 në Serie A. Interi kryeson në tabele, i ndjekur nga Juventus dhe Milan, me diferencë prej gjashtë dhe nëntë pikësh, respektivisht. Ekspertët italianë kanë dhënë formacionin më të mirë për këtë pjesë të sezonit që përfundoi.

Formacioni 4-3-3:

Portier: Sebastien Frey (Fiorentina)

Mbrojtës: Douglas Maicon (Inter), Ivan Cordoba (Inter), Giorgio Chiellini (Juventus), Marek Jankulovski (Milan)

Mesfushorë: Walter Gargano (Napoli), Esteban Cambiasso (Inter), Momo Sissoko (Juventus)

Sulmues: Zlatan Ibrahimovic (Inter), Amauri (Juventus), Diego Milito (Genoa)

“Juventusi është maksimumi”

Amauri është më i lumtur se kurrë, pasi aventura me fanellën e Juventusit është padyshim, ashtu siç e konfirmon edhe ai vetë, momenti më i artë i karrierës së tij. Menjëherë është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të skuadrës bardhezi. Golat e tij në Serinë A kanë rezultuar gjithmonë vendimtarë. I fundit dhe shumë i rëndësishëm është shënuar nga ai në ndeshjen e ditës së diel, në transfertën e Bergamos, kundër Atalantas. Pikërisht falë këtij goli, “Zonja e vjetër” ka hipotekuar suksesin dhe i ka lejuar vetes ta mbajë në gjashtë pikë distancën nga kryesuesit e Interit. “Tek Juventusi jam ambientuar në mënyrë perfekte dhe po vazhdoj të shfaq të njëjtën vazhdueshmëri golash që realizoja edhe me Palermon. Gjatë këtyre gjashtë muajve të parë në Torino kam mësuar shumë gjëra, por njëkohësisht tani po mbledh frytet e një pune shumëvjeçare të bërë nga unë. Juventusi është një klub që kuron në detaje çdo gjë dhe të lejon të punosh në mënyrë të shkëlqyer, duke përmirësuar të gjitha pikat e tua të dobëta. Pastaj, gjëja që më bën më tepër përshtypje është marrëdhënia e ne futbollistëve me tifozët, ndërmjet të cilëve ka gjithmonë entuziazëm”, nënvizoi Amauri. Marrëdhënia me Zamparinin – Padyshim që boshllëku i lënë në Palermo nga Amauri është shumë i madh, por nga ana tjetër, Maurizio Zamparini është i lumtur që ish-lojtari i tij po paraqitet shkëlqyeshëm në Torino, për të kujtuar se ka qenë personalisht numri një i skuadrës siciliane që ka bindur brazilianin të zgjedhë “Zonjën e vjetër” kundrejt Milanit. “E ndjek gjithmonë me vëmendje Amaurin, sepse për mua është si një djalë, sikur të ishte sërish një prej lojtarëve të mi. Gjithçka që po realizon tani në radhët e Juventusit e meriton plotësisht. Di që një ndër ëndrrat e tij më të mëdha është përfaqësimi i fanellës së Brazilit dhe i uroj me gjithë zemër që ta realizojë edhe këtë”, thekson Maurizio Zamparini. Po kaq e përzemërt është edhe përgjigja e sulmuesit brazilian të Juventusit në drejtim të ish-presidentit të tij: “Fjalët e presidentit më lumturojnë shumë, pasi në zemrën time, ai vazhdon të jetë dhe do të mbetet presidenti im”.

Zenit e Spurs për sulmuesin

Vincenzo Iaquinta mund të gjejë një tjetër sistemim larg Torinos gjatë merkatos së janarit. Sulmuesi i formacionit bardhezi vazhdon të mos ketë hapësirë në radhët e skuadrës së Ranierit. Duke parë që ofertat serioze në drejtim të tij nuk mungojnë, atëherë kalabrezi mund të fillojë t’i vlerësojë ato. Të shumta janë skuadrat nga Premier Liga që do të bënin të jashtëzakonshmen për të pasur në gjirin e tyre Iaquintan, por mbi të gjitha spikat Tottenham Hotspurs. Duke parë që bardhezinjtë janë interesuar për organizatorin Luka Modric, anglezët nuk do t’i thoshin jo një shkëmbimi ndërmjet Iaquintas dhe Modricit. Por pavarësisht kësaj mundësie të artë, oferta e bujshme për lojtarin e “Zonjës së Vjetër” vjen nga Rusia. Zeniti i Dick Advocaat ka gati një kontratë milionere për Iaquintan, e cila vështirë se mund të refuzohet (3 vjet për 3.5 milionë euro në sezon).

Valon Behrami gjithnjë e më pranë Juventusit

Futbollisti kosovar, Valon Behrami, shihet gjithnjë e më pranë skuadrës së Juventusit. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” më në krye Seccon, kërkojnë me ngulm që tifozëve të tyre t’i bëjnë një dhuratë të bukur për festat e fundvitit. Lojtari i përfaqësueses zvicerane aktualisht aktivizohet me skuadrën e West Hamit të drejtuar nga Gianfranco Zola. Sipas të përditshmes italiane Tuttosport, Behrami ka arritur një marrëveshje verbale me skuadrën e Romës, por asgjë nuk është përcaktuar zyrtarisht. Ngjarjet po lëvizin mjaft shpejt për lojtarin kosovar, Valon Behrami, dhe orët në vazhdim mund të zbardhin shumë gjëra për të ardhmen e tij.

Del Piero: Giovinco do të marrë vendin tim, por pas pesë vjetësh

Alessandro Del Piero është një emër që tashmë ecën paralel me historinë e skuadrës së Juventusit dhe atë të futbollit italian. “Pinturicchio” apo çdo lloj tjetër pseudonimi që ka ndjekur 34-vjeçarin bardhezi gjatë karrierës së tij është mëse i merituar, pasi Alessandro vazhdon ende sot të tërheqë vëmendjen me lojërat e tij, pavarësisht talenteve të mëdhenj, që janë aktualisht në qarkullim. Jo më kot, shumë ndër shokët e tij të skuadrës, por edhe kundërshtarët, me të cilët është përballur sivjet shprehen me superlativa dhe thurin elozhe për Del Pieron. Gjithsesi, sportistët nuk kanë qenë të vetmit që e kanë duartrokitur paraqitjen e tij, pasi edhe sportdashësit, fansa ose jo të “Pinturicchios” janë përulur përpara tij, si për shembull gjatë ndeshjes që Juventusi zhvilloi në “Santiago Bernabeu” kundër realit të Madridit. Në një intervistë për median italiane, kapiteni i bardhezinjve tregon të gjitha emocionet e këtij viti që po mbyllet dhe atë çfarë pret nga e ardhmja e tij. Del Piero, për ju mbyllet një vit i jashtëzakonshëm i përbërë prej suksesesh personale, por edhe gjithë ambienti juventin ka ditur të rigjejë kënaqësinë e dikurshme. Mbase kurrë si këtë sezon nuk ka pasur kaq shumë vëmendje mbi ju. E fillojmë më përuljen e publikut të “Bernabeut”, i cili ju duartroket në këmbë në momentin që ju lini fushën e lojës në sfidën kundër Realit? Sigurisht. Ajo mund të jetë fotografia më e mirë e 2008-ës sime, episodi më emocionues dhe sinjifikativ, pas një ndeshjeje më shumë se emocionuese për mua. Duke qenë se një gjë të tillë, publiku i “Santiago Bernabeut” nuk ia kushton lehtë lojtarëve kundërshtarë, një kujtim të tillë do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës time. Në vitet e fundit një mirënjohje e tillë në arenën ndërkombëtare ju kishte munguar, apo jo? Kjo është diçka që ka qarkulluar vetëm në Itali, por realiteti nuk është ky. Fundja, duartrokitjet e “Bernabeut” nuk kishin se çfarë të më shpërblenin. Pas 15 vitesh në të cilat ju kanë dashur vetëm juventinë, papritur ju simpatizoheni nga të gjithë. Çfarë ka ndodhur? Mendoj se tashmë të gjithë e kanë kuptuar impenjimin dhe sakrificat e kryera prej meje gjatë viteve të fundit për këtë sport. Një gjë e tillë nuk është diçka që mund të kuptohet shpejt, por personat që kanë vlerësuar punën time, në të njëjtën kohë më kanë ndihmuar në punën time. Dy vjet radhazi si golashënuesi më i mirë janë shpërblimi i besimit të tyre ndaj cilësive të mia. Atëherë, ky është edhe sekreti i goditjeve tuaja të dënimit aq precize? Pikërisht. Kur të gjithë mund të mendojnë se këtë herë, ai nuk do ta dërgojë topin në rrjetë, unë karikohem akoma më shumë dhe shënoj. Përse shënoni më shumë në një Juventus që vlen shumë më pak se skuadra e viteve të kaluara? Nuk e di. Pak a shumë, loja që ne zhvillojmë është pothuajse e njëjta me atë të viteve të kaluara, gjithashtu edhe roli im në fushë. Mbase me kalimin e viteve, duke kaluar mbi shumë gola të shënuar dhe shumë raste të humbura, çdo veprim fillon të kryet me më shumë kujdes dhe precizion. Pra, me kalimin e viteve, çdo stërvitje profesionalizohet akoma më shumë. Nuk është se Capello ka pasur të drejtë kur deklaronte se ju lejonte të luanit sa më pak, në mënyrë që karriera e juaj të ishte sa më e gjatë? Dikush mund të mendojë kështu e dikush tjetër jo. Nëse arrij të luaj me një vazhdimësi të shkëlqyer në këtë moshë, mendoni se çfarë mund të kisha bërë katër vite më parë nën drejtimin e Capellos. Ju ka mbetur ndonjë peng nga ajo periudhë? Jo, tashmë kam kaluar çdo gjë. Me kalimin e viteve çdo gjë gjen vendin e vet. Vjen një moshë e caktuar dhe shumë mendojnë se tashmë duhet të tërhiqen, por është e vërtetë që ju futbollistët vuani nga sindroma e “Piter Panit”, njeriut që nuk do të rritet kurrë? Sigurisht që kur i fal shumë vite të jetës tënde sportit apo çdo profesioni që mund të kryesh, është shumë e vështirë të largohesh prej tij. Gjithsesi, unë nuk kam frikë të tërhiqem, por kur të kuptoj që momenti ka ardhur, atëherë më duhet të var këpucët në gozhdë. Cobolli Gigli ka deklaruar se nëse ju do të dëshironit rolin e presidentit të Juventusit, ai do të ishte i gatshëm t’ua dorëzonte atë, por nga sa mësohet, ëndrra juaj për të ardhmen është pozicioni i trajnerit? Realisht nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen, por të dyja idetë më pëlqejnë. Duke e zgjatur kaq shumë karrierën tuaj, nuk ekziston rreziku se mund të përfundoni si Paolo Maldini, një kampion ndër vite që tani duhet të përballet me një lum kritikash? Edhe pse Maldini mund te ketë luajtur tri vitet e fundit jo në nivelin e tij më të mirë, nuk do të harroja kurrë atë çfarë ka dhënë ai gjatë karrierës së tij. Një karrierë e jashtëzakonshme si e tija nuk mund të poshtërohet nga disa paraqitje jo të mira, por edhe sot e kësaj dite, unë do të vazhdoja të besoja tek ai. Botërori nuk mund të ishte mënyra më e suksesshme për ta mbyllur karrierën tuaj? Sigurisht që do të kishte qenë një rast magjik për t’u tërhequr, pasi çfarë mund të fitoja diçka më të rëndësishme se Kupa e Botës në karrierën time? Por gjithsesi, unë e mendoj se nga sporti mund të largohesh atëherë kur shikon se nuk gjen më motivimin e duhur për të vazhduar, gjendja fizike nuk të lejon e gjëra të këtij lloji. Po Kombëtarja? Është një derë, e cila shpresoj që të jetë ende e hapur për mua. Në 2010-ën do të doja shumë që të isha prezent në Afrikën e Jugut, por duke parë që mungojnë gati dy vjet nga ky kompeticion, më duket shpejt për të folur, pasi nuk i dihet çfarë rezervon e ardhmja. Vetëm Interi përpara Juventusit. Do të jetë kjo një situatë definitive? Nuk e mendoj kështu. Çdo gjë ende mund të ndodhë, pasi nëse shohim, edhe pse Milani ka kaluar një situatë negative, vazhdon të jetë në luftë për titullin. Donim të dinim nëse është definitive që Interi do të qëndrojë në krye deri në përfundim të kampionatit? Kundrejt nesh dhe Milanit, Interi ka pasur avantazhin se ka ndërruar vetëm stafin teknik të skuadrës, por në thelb është e njëjta skuadër që ka dominuar në vitet e shkuara me Mancinin. Më pak fjalë, e vetmja skuadër që është treguar superiore ndaj Juventusit? Në ndeshjen direkt që kemi humbur ndaj tyre në “San Siro”, po. Kur ju fitonit ndaj Interit, Juventusi akuzohej ashpër. Ndërkohë që tashmë zikaltrit po dominojnë, ju heshtni... Drejtuesit tanë kanë bërë një zgjedhje të qartë, nuk flitet për gjyqtarët, nuk krijojmë polemika. Shoh që ka skuadra që vazhdojnë të ankohen si në të kaluarën, por ne do të ndjekim këtë politikë. Ibrahimovic ishte më pak vendimtar te Juventusi? Edhe me ne ka luajtur shkëlqyeshëm, ndërsa tani është pjekur akoma më shumë teknikisht. Jeni dëgjuar më bashkë? Jo, ashtu si me gjithë të tjerët që kanë kaluar këtu. Gjithsesi, besoj se ndërmjet nesh vazhdon të ekzistojë i njëjti respekt si më parë. Ekziston ndonjë lojtar me të cilin keni luajtur përkrah që do të donit të riluanit? Sigurisht, me Zinedine Zidane. Po jashtë fushës, cili ju mungon më shumë? Padyshim Di Livio. Ka qenë një pikë referimi për mua, por mbi të gjitha, jemi dëfryer shumë së bashku. Edhe pse me shumë mungesa, skuadra ka gjetur një ekuilibër. Çfarë mund të ndodhë me rikthimin e Trezeguet? Jam i bindur që do të kemi sërish të njëjtin ekuilibër. Rikthimi i Davidit vetëm mund ta forcojë skuadrën tonë. Ëndrra juaj mbetet Liga e Kampioneve? Patjetër, por fillimisht duhet të kalojmë pozitivisht provën me Chelsean e më pas të mendojmë për më tej. Na krijohet ideja se qoftë ju, ashtu sikurse, Buffon, Nedved e Camoranesi, pas zgjedhjes për të qëndruar me Juventusin edhe në Serinë B ndjeheni pak bashkëpronarë të kësaj skuadre, apo jo? Nuk e fsheh faktin se zotëroj një pjesë aksionesh të kësaj skuadre, por ato nuk mjaftojnë për të qenë pjesë e stafit drejtues të Juventusit. Nga ana tjetër, padyshim që situata e vështirë që përjetuam së bashku me skuadrën na ka afruar më shumë me ‘botën’ e Juventusit dhe normalisht që tani ndjehemi një pjesë e rëndësishme e saj. Kjo do të thotë se ju nuk ndërhyni në zgjedhjet e drejtuesve? Ndonjëherë na kërkohet ndonjë mendim, por asgjë e veçantë. Giovinco është i sinqertë apo pak “hajdut” kur deklaron se pranë jush po mëson gjithçka më shpejt? Nuk ka asnjë arsye që ai të tregohet një “hajdut”. Pas pesë vitesh unë nuk do të jem më dhe Giovinco do të zotërojë pozicionin tim. E ardhmja i përket atij, ashtu sikurse edhe Marchisios dhe De Ceglies. Ju jeni një ndër lojtarët më të kërkuar nga shtëpitë publicitare. Nuk është e çuditshme që gjëra të tilla i ndodhin një personi që privatësia e familjes është ligji thelbësor i jetës së tij? Publicitetet gjithmonë i kam kryer, pasi mendoj se tashmë jam një personazh më i njohur se djali i 10 viteve më parë, mbi të gjithë duke pasur mbi shpatulla një karrierë të suksesshme. Gjëra të tilla më dëfrejnë, ashtu sikurse shumë rrjete televizive më ftojnë të marr pjesë në emisionet e tyre, si “Paperissima”, apo “Le Iene”. Jam tipi që më pëlqen të qesh dhe të bëj shaka me të tjerët. Pastaj nëse kam dëshiruar që jetës sime private t’i vë një vello, e cila ta ruajë nga shtypi apo çdo gjë tjetër, kjo nuk më duket një problem për pjesën tjetër të shoqërisë italiane. Po modeli juaj i së ardhmes, a do të jetë ai i Devid Beckhamit? Absolutisht jo, ai është një përjashtim i atyre që zhvillojnë profesionin tonë. Në jetën e tij kanë ndodhur shumë gjëra, pastaj të qenit i martuar me një nga këngëtaret më të famshme në botë, kanë tërhequr vëmendjen e shtypit dhe e kanë shndërruar Davidin në personazhin që është. Para dhe popullaritet. Si ndodh që çdo ditë e më shumë zbulohen shumë lojtarë që karakterizohen dhe vuajnë nga depresioni? Jetojmë në një botë shumë kompetitive dhe ne sportistët e vuajmë në mënyrë të dyfishtë këtë fakt. Në njërin krah qëndron konkurrenca në botën e sportit dhe e dyta është jeta e përditshme dhe situatat që ajo të çon të përballesh. Ndonjëherë na duhet të durojmë gjëra të shumta, të cilat nuk mund t’i shprehesh lirshëm, sepse jo gjithmonë të gjenden pranë njerëz te të cilët mund të kesh besim. Ndodh edhe kështu. Ky është një diskutim që një person ndryshe nga ju të pasurit në përgjithësi, e pranon më vështirësi? Sepse paraja duket gjithmonë peshorja e çdo gjëje, por në të vërtetë ju siguroj që nuk është kështu. Kur babai im u sëmur rëndë, kisha paratë dhe njohjet e duhura për të thirrur mjekët më të mirë në botë, por nuk kishte më se çfarë të bëja. Edhe pse më quanin Alessandro Del Piero, në atë situatë isha një person impotent.

Moggi kundër Morattit: Sa mirë kur merr “dhurata”...

Luciano Moggi nuk është dakord me Massimo Morattin. “Kupa” është mbushur dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit nuk mund të durojë më poshtërime, akuza të pabazuara dhe helm mbi titujt që skuadra bardhezi, kur ai drejtonte, fitoi (më pas iu hoqën nga “Calciopoli”. Presidenti zikaltër, një ditë pas ngjarjes në Siena (goli i fitores nga Maicon ishte në pozicion jashtë loje të dukshëm), mbrojti gjyqtarët: “Dikur gabonin sepse... të gjithë e dimë, ndërsa sot nuk e bëjnë me të keq apo vullnetarisht”. Dhe këtu vjen replika e Don Lucianos, që nga faqet e “Liberos” kundërsulmon ish rivalin: “Ata që gabuan në Siena në favorin e Interit, janë të njëjtit që gabonin në të shkuarën (dy vijërojtësit Griseli dhe Calcanho). Në të shkuarën gabonin me dashje, ndërsa tani është krejt e pavullnetshme dhe jo me qëllim?”, pyet veten Moggi në artikullin e tj. Por ish-pjestari i “Triadës” vazhdon: “Gabime apo ndihmesa të vogla ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë gjithmonë, por është interpretimi ai që bën diferencën. Sot janë gjithë gati që të pranojnë se kushtëzimi psikologjik nuk ekziston, duke dalluar më pas se i forti gjithmonë shihet në një tjetër mënyrë dhe ata që e pësojnë janë të vegjëlit. Në të shkuarën nuk ka pasur komplote apo makinacione, sepse nëse do të ketë pasur dikur, atëherë duhet të ketë edhe tani”. Moggi kujton edhe disa episode që i ndodhën Juventusit të tij: “Le të marrim për shembull episodin kur fituam në Verona, ndaj Chievos, me një gabim gjyqtarësh të ngjashëm me atë në Siena. Në atë kohë në gazeta u shkruajt: “Skandal në Verona”, ndërsa për Interin u kufizuan vetëm në një “Një Maicon është i tepërt...”. Më pas, Moggi vazhdon sulmin ndaj Morattit: “Askush nuk e ka dëgjuar më Morattin që të ankohet dhe të dalë në televizione, sepse pas ndihmave të vitit të shkuar që i dhanë mundësi Interit që të kalonte Romën në javën e fundit, me të shejntin Ibra, tani dhurata e Sienës, tre pikët e vjedhura në golin e Maiconit, me një pozicion të parregullt, të madh sa një shtëpi, ai është zhdukur”. Në fund, provokimi: “Sa mirë do të ishte që ai të dilte dhe të thoshte se ndeshja me Sienën duhet të riluhet”.

Buffon: Kthehem me Sienën, ju premtoj

“Jam krenar që më në fund qyteti në të cilin kam lindur dhe jam rritur vendosi që të më dedikonte një Juventus Klub”. Në këtë mënyrë, një Gigi Buffon i emocionuar, ka falenderuar bashkëqytetarët e tij gjatë takimit që u zhvillua në teatrin Animosi të Karrarës, me rastin e prezantimit të Juventus Klub, që i është vënë emri i portierit të Juventusit. Kampioni i botës, përpara 300 tifozëve që e duartrokisnin. “Objektivi im është që të kthehem sa më shpejt pas dëmtimit, në formë për të ndihmuar ekipin që të fitojë titullin, sepse ne të gjithë besojmë se mund t’ia arrijmë këtij qëllimi”. Duke folur me disa miq, portieri i ka konfirmuar rikthimin në fushë për sfidën e parë pas rinisjes së kampionatit, më 11 janar ndaj Sienës, në “Olimpico” të Torinos. Sigurisht, provat e përgjithshme do t’i bëjë në miqësoren e 6 janarit në Mesina, ndaj Monacos. Më pas, Gigi është ndalur edhe te forma e tij: “Ndihem më mirë dhe besoj se do të jem gati në 2009ën. E di shumë mirë se kjo është një nga periudhat më të pafata, por në jetë mund të ndodhë edhe kështu”. Më pas, në lidhje me kampionatin, Buffon tha: “Mendoj se ky kampionat do të jetë i bukur për t’u parë deri në fund. Edhe pse Interi është duke ecur me ritme të shpejta, duhet thënë se ne nuk do të humbim besimin”.