e mërkurë, 31 dhjetor 2008
“2008, fitore të paharrueshme”
Në shtëpinë e “Zonjës së vjetër” ka ardhur momenti, që lojtarë e drejtues të bëjnë bilancin e fundvitit. Një ndër ta është edhe Mauro German Camoranesi. Mesfushori fatkeq i Juventusit, për shkak të dëmtimeve të shumta, veçon atë fitore të marrë në “San Siro” kampionatin e kaluar ndaj Interit, si kujtimin më të bukur që ka nga viti 2008: “Momenti më i bukur gjatë këtij viti ka qenë padyshim triumfi ndaj Interit brenda në ‘San Siro’. Nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje. Edhe fytyrat e tifozëve juventinë nuk kam për t’i harruar ndonjëherë. Për ne, ajo fitore ishte mjaft e rëndësishme. Gjunjëzuam Interin, kampionen e padiskutueshme të Italisë në sezonet e fundit. Me atë sukses u hakmorëm në një farë mënyre ndaj zikaltërve, – ka deklaruar Kamoranezi, përballë mikrofonave të ‘Juventus Channel’. - Sivjet gjërat kanë ndryshuar për mirë. Jemi përforcuar më shumë falë ardhjeve të reja në skuadër. Për mendimin tim Juventusi ka lojtarë të rinj e të talentuar, të cilët shumë shpejt do shpërthejnë e do e çojnë akoma më lart emrin e këtij klubi legjendar”. I pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga viti që vjen, Camoranesi përgjigjet: “Shpresoj të gjej vazhdimësi në fushë e të mos dëmtohem më”. Por me sa duket mesfushori tjetër i bardhezinjve, Momo Sissoko, ka të inkuadruar në mendjen e tij një tjetër sukses për skuadrën e Juventusit. E nëse Camoranesi nuk do ta harrojë kurrë fitoren e Juves ndaj Interit në Milano, Sissoko nuk do ta fshijë kurrë nga kujtesa triumfin e Del Pieros me shokë ndaj Real Madridit në Ligën e Kampioneve, vetëm pak javë më parë në “Santiago Bernabeu”. “Ndeshja më emocionuese ka qenë ajo kundër Real Madridit. Ajo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për të gjithë ne, – tregon mesfushori bardhezi. – Sivjet Juventusi ka me të vërtetë një skuadër të mirë. Në dhomat e zhveshjes dhe në fushë ekziston një lidhje shumë e ngushtë ndërmjet lojtarëve, – nënvizon ish-mesfushori i Liverpoolit. – Nëse sivjet do fitonim Ligën e Kampioneve apo kampionatin, do të ishte e mrekullueshme”.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment