e diel, 14 dhjetor 2008

Kaka gati: Kundër Juves dua të jem vendimtar

Braziliani mendon se ringritja ndaj Interit duhet të fillojë që sot me sfidën ndaj bardhezinjëve

Po e pret me padurim, sepse është i bindur se ringritja duhet të jetë e shpejtë dhe duhet të kalojë nga përballja direkte me Juventusin. Eshtë Kaka, të cilit me gjithë hovin e tij, i është dashur të tërhiqet në bokse, si një element tepër i rëndësishëm që duhet të ruhet nga dëmtimet e mundshme që fushat e ngrira nga i ftohti mund t’i shkaktojnë atyre që kanë gjymtyrë dhe tendina shumë të çmueshme. Ka punuar për një farë kohe në palestër dhe është shprehur se “nëse do të luaj, do të jetë e vështirë”. Por ndeshja do të zhvillohet sot në mbrëmje dhe para vështrimeve të dëshpruara të tifozëve, Kaka ka pohuar: “Do të bëj gjithçka që është e mundur për të qenë gati”. Por kjo deklaratë nuk ka shërbyer për ta qetësuar Ancelottin, që është i shqetësuar nga ideja për të humbur lojtarin më të rëndësishëm pak orë para supersfidës më delikate të kësaj periudhe. Gjithsesi, në Milanelo optimistët janë të shumtë. Një nga këta është edhe vetë Kaka, i cili dje ka qëndruar në qendrën stërvitore deri vonë, duke punuar me fizioterapistët dhe masazhatorët. Problemet fizike të fantazistit brazilian nuk kanë munguar gjatë karrierës së tij tek kuqezinjtë. Por ai ka ditur t’i shtërngojë dhëmbët atëherë kur i është dashur dhe ka luajtur gjithmonë, edhe pse nuk ka qenë në maksimumin e formës së tij. “Në ndeshjet e fundit jam ndjerë shumë mirë nga pikëpamja fizike. Shpresoj të ndiehem njësoj edhe kundër Juves. Problemi qëndron tek përshtatja në fushë, kur më kërkojnë gjëra që unë nuk mund t’i bëj. Për shembull: më kërkonin të luaja si sulmues i dytë dhe unë nuk isha i zoti. Më pas jam përshtatur dhe do të doja të luaja gjithmonë kështu”,-është shprehur Kaka.
- Kështu si?
- Përpara, afër portës. Sigurisht jo me shpatulla të kthyera nga porta kundërshtare, nëse luaj kështu jam i mbaruar.
- Keni thënë se duhet të përmirësoni mirëkuptimin në fushë me Ronaldinhon?
- Dhe e konfirmoj. Problemet që po kaloj në këtë periudhë, kur më thonin se nuk isha shumë i qartë në lojën time dhe nuk isha vendimtar në zonën e golit, kanë të bëjnë me disa mekanizma të lojës.
- Zemëroheni akoma kur ju cilësojnë si egoist?
- Tashmë e kam kaluar këtë fazë. Nëse godet portën gabon, nëse pason gabon përsëri. Kritikat nuk më shqetësojnë më. Mua më intereson të ndihmoj ekipin, të jem vendimtar në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe duke u futur në portë për të pritur një penallti.
- Altafini ju ka dhënë një këshillë: bëj si Platini, nëse luan më afër portës do të marrësh shumë goditje.
- Goditjet merren në çdo zonë të fushës. Më pas do të doja të shprehja një koncept: nuk kam asnjë problem për t’u përshtatur dhe nuk kam asnjë problem me Ronaldinhon. Mua më pëlqejnë sfidat, dhe mirëkuptimi me të në fushën e lojës është një tjetër sfidë që duhet fituar.
- Flamini mund të zëvendësojë Gattuson?
- Janë lojtarë të ndryshëm, por Flamini mund të na ndihmojë shumë, edhe pse akoma duhet të kuptojë disa ndryshime që egzistojnë midis futbollit anglez dhe atij italian.
- Si po e jetoni këtë dhjetor kaq të ndryshëm për ju në krahasim me dhjetorin e shkëlqyer të 2007-ës?
- Me pak nostalgji, por që më jep një motivim të madh. Pak ditë më parë kam kujtuar me shokët e ekipit transfertën e Japonisë. Ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer që shpresoj ta përjetoj sa më shpejt të jetë e mundur. Dua të përsëriten shumë muaj të tjerë si dhjetori i 2007-ës.
- Çfarë ka Interi më shumë se Milani?
- Gjashtë pikë.
- Tashmë duket se kundërshtarët futen në fushë të frikësuar.
- Lojtarët e Interit e kanë merituar këtë respekt të madh. Janë të fortë, por mendoj se mund t’i arrijmë.
- Besoni akoma tek titulli kampion?
- Natyrisht, janë vetëm gjashtë pikë.
- Ai që humb midis Juves dhe Milani del jashtë luftës për titull?
- Jo, por të gjendesh nëntë pikë larg Interit nuk do të ishte një situatë e rehatshme.
- Kush do të jetë lojtari vendimtar në Torino?
- Si Milani ashtu edhe Juventusi kanë shumë lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar dhe goditjet e dënimit në përballje të tilla janë shumë të rëndësishme. Për këtë arsye mendoj për Ronaldinhon, Del Pieron, por edhe për Pirlon.
- Ronaldinho ka thënë se e ka idhull Del Pieron. Ju çfarë mendimi keni për Juventinin?
- Eshtë një shembull, si Paolo Maldini. Një lojtar që e ka lidhur karrierën e tij me një skuadër të vetme dhe që është kthyer në simbolin e këtij klubi. Gjtihçka shumë e bukur.
- Jeni kurioz për t’u stërvitur me Beckhamin?
- Kurioz dhe shumë optimist. Do të na ndihmojë për t’ju afruar më shumë titullit në kampionat. Do të sjellë interes dhe vëmendje pozitive ndaj Milanit.



Nuk ka komente: