e mërkurë, 31 dhjetor 2008
“Pres një shans nga Dunga”
“Pres i qetë, qoftë kjo një ftesë nga përfaqësuesja braziliane apo italiane. Gjithsesi, unë jam brazilian dhe e vetmja kombëtare me të cilën mund të luaj, të paktën për momentin, është ajo e ‘Selecaos’. Pres një shans për të treguar vlerat e mia”. Kjo është një ndër deklaratat e sulmuesit të Juventusit, Amauri Carvalho de Oliveira, për të përditshmen braziliane “Estado de S.Paolo”. Fjalët e autorit të 11 golave në Serinë A kanë ardhur pas sinjaleve të para pozitive që Carlos Dunga ka lëshuar kundrejt tij, katër ditë më parë, me anë të një interviste, gjatë së cilës theksonte se “mund të thërras në kombëtare Amaurin, por të mos pretendojë fanellën e titullarit”. Mbi këto deklarata, Amauri kërkon të sqarojë se kurrë nuk ka pretenduar fanellën e titullarit tek Brazili, pa e merituar atë: “Deklaratat e ish-menaxherit, që theksonte se meritoja fanellën e titullarit, më kanë dëmtuar në një farë mënyrë në sytë e Carlos Dungës. Ju siguroj të gjithëve, por edhe trajnerin e Brazilit, se kurrë nuk kam pretenduar diçka që nuk e meritoj. Nëse ai do të ma japë një shans, kjo do të thotë se një gjë të tillë e kam merituar me atë çfarë kam shfaqur në fushën e lojës, jo sepse të tjerë në emrin tim mund të bëjnë presion”.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment