e mërkurë, 31 dhjetor 2008
Del Piero: Giovinco do të marrë vendin tim, por pas pesë vjetësh
Alessandro Del Piero është një emër që tashmë ecën paralel me historinë e skuadrës së Juventusit dhe atë të futbollit italian. “Pinturicchio” apo çdo lloj tjetër pseudonimi që ka ndjekur 34-vjeçarin bardhezi gjatë karrierës së tij është mëse i merituar, pasi Alessandro vazhdon ende sot të tërheqë vëmendjen me lojërat e tij, pavarësisht talenteve të mëdhenj, që janë aktualisht në qarkullim. Jo më kot, shumë ndër shokët e tij të skuadrës, por edhe kundërshtarët, me të cilët është përballur sivjet shprehen me superlativa dhe thurin elozhe për Del Pieron. Gjithsesi, sportistët nuk kanë qenë të vetmit që e kanë duartrokitur paraqitjen e tij, pasi edhe sportdashësit, fansa ose jo të “Pinturicchios” janë përulur përpara tij, si për shembull gjatë ndeshjes që Juventusi zhvilloi në “Santiago Bernabeu” kundër realit të Madridit. Në një intervistë për median italiane, kapiteni i bardhezinjve tregon të gjitha emocionet e këtij viti që po mbyllet dhe atë çfarë pret nga e ardhmja e tij. Del Piero, për ju mbyllet një vit i jashtëzakonshëm i përbërë prej suksesesh personale, por edhe gjithë ambienti juventin ka ditur të rigjejë kënaqësinë e dikurshme. Mbase kurrë si këtë sezon nuk ka pasur kaq shumë vëmendje mbi ju. E fillojmë më përuljen e publikut të “Bernabeut”, i cili ju duartroket në këmbë në momentin që ju lini fushën e lojës në sfidën kundër Realit? Sigurisht. Ajo mund të jetë fotografia më e mirë e 2008-ës sime, episodi më emocionues dhe sinjifikativ, pas një ndeshjeje më shumë se emocionuese për mua. Duke qenë se një gjë të tillë, publiku i “Santiago Bernabeut” nuk ia kushton lehtë lojtarëve kundërshtarë, një kujtim të tillë do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës time. Në vitet e fundit një mirënjohje e tillë në arenën ndërkombëtare ju kishte munguar, apo jo? Kjo është diçka që ka qarkulluar vetëm në Itali, por realiteti nuk është ky. Fundja, duartrokitjet e “Bernabeut” nuk kishin se çfarë të më shpërblenin. Pas 15 vitesh në të cilat ju kanë dashur vetëm juventinë, papritur ju simpatizoheni nga të gjithë. Çfarë ka ndodhur? Mendoj se tashmë të gjithë e kanë kuptuar impenjimin dhe sakrificat e kryera prej meje gjatë viteve të fundit për këtë sport. Një gjë e tillë nuk është diçka që mund të kuptohet shpejt, por personat që kanë vlerësuar punën time, në të njëjtën kohë më kanë ndihmuar në punën time. Dy vjet radhazi si golashënuesi më i mirë janë shpërblimi i besimit të tyre ndaj cilësive të mia. Atëherë, ky është edhe sekreti i goditjeve tuaja të dënimit aq precize? Pikërisht. Kur të gjithë mund të mendojnë se këtë herë, ai nuk do ta dërgojë topin në rrjetë, unë karikohem akoma më shumë dhe shënoj. Përse shënoni më shumë në një Juventus që vlen shumë më pak se skuadra e viteve të kaluara? Nuk e di. Pak a shumë, loja që ne zhvillojmë është pothuajse e njëjta me atë të viteve të kaluara, gjithashtu edhe roli im në fushë. Mbase me kalimin e viteve, duke kaluar mbi shumë gola të shënuar dhe shumë raste të humbura, çdo veprim fillon të kryet me më shumë kujdes dhe precizion. Pra, me kalimin e viteve, çdo stërvitje profesionalizohet akoma më shumë. Nuk është se Capello ka pasur të drejtë kur deklaronte se ju lejonte të luanit sa më pak, në mënyrë që karriera e juaj të ishte sa më e gjatë? Dikush mund të mendojë kështu e dikush tjetër jo. Nëse arrij të luaj me një vazhdimësi të shkëlqyer në këtë moshë, mendoni se çfarë mund të kisha bërë katër vite më parë nën drejtimin e Capellos. Ju ka mbetur ndonjë peng nga ajo periudhë? Jo, tashmë kam kaluar çdo gjë. Me kalimin e viteve çdo gjë gjen vendin e vet. Vjen një moshë e caktuar dhe shumë mendojnë se tashmë duhet të tërhiqen, por është e vërtetë që ju futbollistët vuani nga sindroma e “Piter Panit”, njeriut që nuk do të rritet kurrë? Sigurisht që kur i fal shumë vite të jetës tënde sportit apo çdo profesioni që mund të kryesh, është shumë e vështirë të largohesh prej tij. Gjithsesi, unë nuk kam frikë të tërhiqem, por kur të kuptoj që momenti ka ardhur, atëherë më duhet të var këpucët në gozhdë. Cobolli Gigli ka deklaruar se nëse ju do të dëshironit rolin e presidentit të Juventusit, ai do të ishte i gatshëm t’ua dorëzonte atë, por nga sa mësohet, ëndrra juaj për të ardhmen është pozicioni i trajnerit? Realisht nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen, por të dyja idetë më pëlqejnë. Duke e zgjatur kaq shumë karrierën tuaj, nuk ekziston rreziku se mund të përfundoni si Paolo Maldini, një kampion ndër vite që tani duhet të përballet me një lum kritikash? Edhe pse Maldini mund te ketë luajtur tri vitet e fundit jo në nivelin e tij më të mirë, nuk do të harroja kurrë atë çfarë ka dhënë ai gjatë karrierës së tij. Një karrierë e jashtëzakonshme si e tija nuk mund të poshtërohet nga disa paraqitje jo të mira, por edhe sot e kësaj dite, unë do të vazhdoja të besoja tek ai. Botërori nuk mund të ishte mënyra më e suksesshme për ta mbyllur karrierën tuaj? Sigurisht që do të kishte qenë një rast magjik për t’u tërhequr, pasi çfarë mund të fitoja diçka më të rëndësishme se Kupa e Botës në karrierën time? Por gjithsesi, unë e mendoj se nga sporti mund të largohesh atëherë kur shikon se nuk gjen më motivimin e duhur për të vazhduar, gjendja fizike nuk të lejon e gjëra të këtij lloji. Po Kombëtarja? Është një derë, e cila shpresoj që të jetë ende e hapur për mua. Në 2010-ën do të doja shumë që të isha prezent në Afrikën e Jugut, por duke parë që mungojnë gati dy vjet nga ky kompeticion, më duket shpejt për të folur, pasi nuk i dihet çfarë rezervon e ardhmja. Vetëm Interi përpara Juventusit. Do të jetë kjo një situatë definitive? Nuk e mendoj kështu. Çdo gjë ende mund të ndodhë, pasi nëse shohim, edhe pse Milani ka kaluar një situatë negative, vazhdon të jetë në luftë për titullin. Donim të dinim nëse është definitive që Interi do të qëndrojë në krye deri në përfundim të kampionatit? Kundrejt nesh dhe Milanit, Interi ka pasur avantazhin se ka ndërruar vetëm stafin teknik të skuadrës, por në thelb është e njëjta skuadër që ka dominuar në vitet e shkuara me Mancinin. Më pak fjalë, e vetmja skuadër që është treguar superiore ndaj Juventusit? Në ndeshjen direkt që kemi humbur ndaj tyre në “San Siro”, po. Kur ju fitonit ndaj Interit, Juventusi akuzohej ashpër. Ndërkohë që tashmë zikaltrit po dominojnë, ju heshtni... Drejtuesit tanë kanë bërë një zgjedhje të qartë, nuk flitet për gjyqtarët, nuk krijojmë polemika. Shoh që ka skuadra që vazhdojnë të ankohen si në të kaluarën, por ne do të ndjekim këtë politikë. Ibrahimovic ishte më pak vendimtar te Juventusi? Edhe me ne ka luajtur shkëlqyeshëm, ndërsa tani është pjekur akoma më shumë teknikisht. Jeni dëgjuar më bashkë? Jo, ashtu si me gjithë të tjerët që kanë kaluar këtu. Gjithsesi, besoj se ndërmjet nesh vazhdon të ekzistojë i njëjti respekt si më parë. Ekziston ndonjë lojtar me të cilin keni luajtur përkrah që do të donit të riluanit? Sigurisht, me Zinedine Zidane. Po jashtë fushës, cili ju mungon më shumë? Padyshim Di Livio. Ka qenë një pikë referimi për mua, por mbi të gjitha, jemi dëfryer shumë së bashku. Edhe pse me shumë mungesa, skuadra ka gjetur një ekuilibër. Çfarë mund të ndodhë me rikthimin e Trezeguet? Jam i bindur që do të kemi sërish të njëjtin ekuilibër. Rikthimi i Davidit vetëm mund ta forcojë skuadrën tonë. Ëndrra juaj mbetet Liga e Kampioneve? Patjetër, por fillimisht duhet të kalojmë pozitivisht provën me Chelsean e më pas të mendojmë për më tej. Na krijohet ideja se qoftë ju, ashtu sikurse, Buffon, Nedved e Camoranesi, pas zgjedhjes për të qëndruar me Juventusin edhe në Serinë B ndjeheni pak bashkëpronarë të kësaj skuadre, apo jo? Nuk e fsheh faktin se zotëroj një pjesë aksionesh të kësaj skuadre, por ato nuk mjaftojnë për të qenë pjesë e stafit drejtues të Juventusit. Nga ana tjetër, padyshim që situata e vështirë që përjetuam së bashku me skuadrën na ka afruar më shumë me ‘botën’ e Juventusit dhe normalisht që tani ndjehemi një pjesë e rëndësishme e saj. Kjo do të thotë se ju nuk ndërhyni në zgjedhjet e drejtuesve? Ndonjëherë na kërkohet ndonjë mendim, por asgjë e veçantë. Giovinco është i sinqertë apo pak “hajdut” kur deklaron se pranë jush po mëson gjithçka më shpejt? Nuk ka asnjë arsye që ai të tregohet një “hajdut”. Pas pesë vitesh unë nuk do të jem më dhe Giovinco do të zotërojë pozicionin tim. E ardhmja i përket atij, ashtu sikurse edhe Marchisios dhe De Ceglies. Ju jeni një ndër lojtarët më të kërkuar nga shtëpitë publicitare. Nuk është e çuditshme që gjëra të tilla i ndodhin një personi që privatësia e familjes është ligji thelbësor i jetës së tij? Publicitetet gjithmonë i kam kryer, pasi mendoj se tashmë jam një personazh më i njohur se djali i 10 viteve më parë, mbi të gjithë duke pasur mbi shpatulla një karrierë të suksesshme. Gjëra të tilla më dëfrejnë, ashtu sikurse shumë rrjete televizive më ftojnë të marr pjesë në emisionet e tyre, si “Paperissima”, apo “Le Iene”. Jam tipi që më pëlqen të qesh dhe të bëj shaka me të tjerët. Pastaj nëse kam dëshiruar që jetës sime private t’i vë një vello, e cila ta ruajë nga shtypi apo çdo gjë tjetër, kjo nuk më duket një problem për pjesën tjetër të shoqërisë italiane. Po modeli juaj i së ardhmes, a do të jetë ai i Devid Beckhamit? Absolutisht jo, ai është një përjashtim i atyre që zhvillojnë profesionin tonë. Në jetën e tij kanë ndodhur shumë gjëra, pastaj të qenit i martuar me një nga këngëtaret më të famshme në botë, kanë tërhequr vëmendjen e shtypit dhe e kanë shndërruar Davidin në personazhin që është. Para dhe popullaritet. Si ndodh që çdo ditë e më shumë zbulohen shumë lojtarë që karakterizohen dhe vuajnë nga depresioni? Jetojmë në një botë shumë kompetitive dhe ne sportistët e vuajmë në mënyrë të dyfishtë këtë fakt. Në njërin krah qëndron konkurrenca në botën e sportit dhe e dyta është jeta e përditshme dhe situatat që ajo të çon të përballesh. Ndonjëherë na duhet të durojmë gjëra të shumta, të cilat nuk mund t’i shprehesh lirshëm, sepse jo gjithmonë të gjenden pranë njerëz te të cilët mund të kesh besim. Ndodh edhe kështu. Ky është një diskutim që një person ndryshe nga ju të pasurit në përgjithësi, e pranon më vështirësi? Sepse paraja duket gjithmonë peshorja e çdo gjëje, por në të vërtetë ju siguroj që nuk është kështu. Kur babai im u sëmur rëndë, kisha paratë dhe njohjet e duhura për të thirrur mjekët më të mirë në botë, por nuk kishte më se çfarë të bëja. Edhe pse më quanin Alessandro Del Piero, në atë situatë isha një person impotent.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment