e mërkurë, 31 dhjetor 2008
Ranieri: Eshtë zemra arma e Juventusit tim!
Trajneri bardhezi bën bilancin e 2008?ës: “Në mendje më janë fiksuar fitorja me Milanin, me Interin në “San Siro”, me Romën dhe ndaj Realit, në “Bernabeu”. Çfarë perlash...” Vendi i tretë në kampionat dhe rikthimi në Champions League, faza e grupeve në Europë e mbyllur më vendin e parë përpara Real Madridit dhe vendi i dytë në renditjen e Serisë A, pas Interit. Për Juventusin e Claudio Ranierit, 2008-ta ishte një vit i mbushur me kënaqësi dhe trajneri bardhezi pranon se “janë të ndryshme pikët që i kanë mbetur të fiksuara në mendje: ndeshjet e fituara ndaj Milanit, ndaj Interit në “San Siro”, përballë Romës dhe sidomos fitorja ndaj Realit, në “Bernabeu”, që na dha mundësi ta mbyllnim në vend të parë grupin e Champions League. Këto janë perlat që kemi realizuar në këtë 2008-të”, u shpreh trajneri bardhezi, i cili në këtë intervistë të dhënë për “Juventus Channel” ka shprehur të gjithë gëzimin e tij, por duke prekur edhe temat e tjera, siç janë kriza e kaluar apo dëmtimet e shumta. Por, analiza e Ranierit nuk ndalet me këto suksese. Tekniku i “Zonjës” nënvizon edhe cilësinë më të madhe të Juventusit, gati një shtysë për vitin e ardhshëm: “Soliditeti që na kanë dhënë kampionët tonë dhe më pas fakti që të gjithë djemtë që kemi blerë janë ambjentuar më së miri janë për t’u përgëzuar. Edhe Tiago, që ndoshta vitin e shkuar nuk arriti që të gjente hapësirën e duhur dhe rendimentin që pritej për të shpërthyer, këtë vit ia ka dalë. Pastaj, duhet përmendur edhe fakti që të gjithë, kampionë apo jo, luajnë me zemër për skuadrën. Çdokush sakrifikon dhe jep gjithçka që ka për të mirën e ekipit dhe kjo besoj se është shumë e rëndësishme”. Në fund, Ranieri foli edhe për 2009-ën, duke vendosur objektivat: “Do të doja që viti i ardhshëm të ishte edhe më i mirë. Qëllimi ynë? Të kemi sa më shumë gëzime, por kjo do të varet se si do të paraqitemi. Nëse vazhdojmë kështu dhe nëse kjo skuadër gëzon shëndet të plotë, pa lojtarë të dëmtuar, mund të arrijmë shumë larg. Trezeguet? Shpresojmë që të kthehet shpejt, për Champions League. Buffon dhe Poulsen do të jenë gati që në ndeshjen ndaj Sienës dhe të tjerë akoma do të rikuperohen me kalimin e kohës. Faza përgatitore do të na shërbejë shumë”.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment