e enjte, 18 dhjetor 2008

“Europë apo Itali? Po sikur të dyja”


Del Piero udhëhoqi fitoren e bardhezinjve ndaj Milanit, duke goditur edhe shtyllën. Kapiteni i “Zonjës” mendon si Ranieri: “Eshtë ende herët të flasim për titull, por të qëndrosh pranë Interit është diçka e mirë”

Ishte një nga protagonistët absolut në fitoren 4-2 të Juventusit ndaj Milanit. Por, kapiteni bardhezi, Alessandro Del Piero, qëndron me këmbë në tokë dhe “voton” linjën e zgjedhur nga trajneri Claudio Ranieri, i cili e kishte cilësuar luftën për titull ende si një objektiv jo të detyrueshëm nga bardhezinjtë, pasi “janë të tjerë ata që duhet ta fitojnë, si Milani dhe Interi”. Për “Pinturicchion” nuk ka ardhur ende koha për të folur me bindje, ndaj fantazisti i “Zonjës së Vjetër” u shpreh: “Titulli? Bën mirë Ranieri që nuk e përmend aspak këtë fjalë. Le të themi se është ndoshta një çështje bestytënie, por më mirë kështu. Jemi duke u impenjuar në dy fronte, mes Europës dhe Italisë, ndaj le të jemi të kënaqur me kaq sa po bëjmë. Koha do të flasë... Por, duhet të pranojmë një fakt të rëndësishëm: nuk ishte e lehtë të kalonim krizën, pasi në të tilla momente, psikologjia është thelbësore”. Në Serinë A ka mbetur edhe një javë, përpara pushimeve të Krishtlindjeve dhe fundvitit, ndaj Aleks e përqëndron vëmendjen te sfida e ardhshme, në fushën e Atalantës: “Një tjetër ndeshje e vështirë, ku duhet të luajmë si Juventus, ashtu si ndaj Milanit, për të arritur një trepikësh tjetër, që më pas të relaksohemi dhe në 2009-ën t’i futemi punës sërish”. Interi është duke mbajtur një ritëm të jashtëzakonshëm dhe ka vazhdimësi: “E vërtetë, janë duke ecur fort, por edhe ne jemi të lumtur që ndodhemi gati në të njëjtët binarë. Sezonin e shkuar vinim nga Seria B dhe patëm probleme, sepse duhet të riambientoheshim me ritmin që ky kampionat paraqet, por me disa blerje më shumë, e dinim se do të ktheheshim të konkurronim mes të mëdhenjve”. Del Piero, përveç golit me penallti, goditi edhe shtyllën, në një aksion spektakolar: “Më vjen keq që nuk shënova, sepse do të kishte pëlqyer të shënoja golin e parë në kampionat në aksion dhe jo në goditje standarte”. Në fund, pyetja është e njëjta: Europë apo Itali? “Sikur të synonim të dyja...”.

Nuk ka komente: