e mërkurë, 31 dhjetor 2008
Cobolli Gigli pret më shumë nga 2009-a
2008-a për mua ka qenë një vit pozitiv, ndërsa për Juventusin ka qenë një vit reflektimi. Perspektiva për 2009-ën është që mund të bëhemi shumë më të mirë”. Presidenti i bardhezinjve, Giovanni Cobolli Gigli, në një intervistëtë dhënë për “Sky Sport24” ka bërë bilancin e vitit 2008 dhe ka folur për të ardhmen e klubit juventin. “Janarin e kaluar u rikthyem me më pak forcë sesa e kishim lënë në dhjetorin e vitit të mëparshëm, ndërsa këtë sezon patëm vështirësi kundër Napolit dhe Palermos. Kritikat kundrejt nesh kanë qenë të ashpra, nuk e di nëse na kanë ndihmuar, por shoqëria, Blanc, Secco, Ranieri dhe skuadra kanë qenë më të bashkuara dhe reaksioni ka qenë i dukshëm, siç e keni parë fare mirë në Torino kundër Real Madridit. Që nga ai moment kemi bërë gjëra të jashtëzakonshme për disa nga kritikët tanë dhe për disa arsye edhe për veten tonë, pavarësisht se ne e njohim shumë mirë potencialin e skuadrës”. Del Piero dhe të rinjtë – “Më ka bërë përshtypje vazhdimësia fizike dhe atletike e Del Pieros. Asnjë nuk e vë në dyshim që ai është një kampion i madh, por këtë vit, edhe më shumë se vitin e shkuar, ka pasur një prezencë fizike aq të mirë në fushë, saqë ka qenë lojtari kryesor për skuadrën. Juventusi ka luajtur në 2008-ën 43 ndeshje dhe Del Piero ka marrë pjesë në 35 prej tyre. Pastaj Legrottaglie është një djalë shumë i mirë, Chiellinin, kur të vijë koha e duhur, e shikoj si kapitenin e ardhshëm të Juventusit. Janë edhe të rinjtë si De Ceglie, Marchisio dhe Giovinco, por ka edhe shumë të tjerë që vijnë nga një ambient tjetër, gjithsesi ne kemi besim tek ata”. Objektivat – Tri janë gjërat që mund të bëhen realitet në 2009-ën: fitorja e kampionatit, Amauri italian dhe Del Piero në kombëtare. “Ndoshta jam shumë egoist, por në vend të parë do të vendos fitoren e Juventusit, pastaj dy të tjerat janë në pozicion të barabartë. Amauri? Do të jepte një ndihmesë shumë të madhe për Kombëtaren italiane dhe ndër të tjera do të ndihmonte edhe Juventusin. Pastaj ai nuk do të largohej më për një kohë të gjatë për të marrë pjesë në transfertat e Kombëtares braziliane. Jam i bindur që në 2009-ën do të bëjmë paraqitje edhe më të mira. Interi është gjashtë pikë në avantazh, por mendoj se për kampionatin kemi ende mundësi të fitojmë, por varet edhe nga Interi, le të shpresojmë që ata të bëjnë gabime. Mendoj se lojtarët tanë janë të motivuar për të gjitha kompeticionet, duke përfshirë këtu edhe Kupën e Italisë, por të them të drejtën, jam i bindur që ata e ndjejnë më shumë Ligën e Kampionëve”. Rivalët – “Interi duhet të fillojë të mësohet me faktin që ngjall antipati, siç u ndodh pothuajse gjithmonë të parëve të klasës, por jam i sigurt që mund ta durojë, sepse ka drejtues shumë të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. Milani ka më shumë mundësi në kompeticionet evropiane. Për këtë arsye mendoj se do të vazhdojë të investojë në kërkimin e ndërkombëtarizimit dhe operacioni Beckham sipas mendimit tim, është më shumë marketing sesa për arsye të mirëfillta futbollistike, por që padyshim anglezi do t’i japë një shkëlqim të ri kuqezinjve për vetë famën e mirë që gëzon. Gjithsesi, nëse drejtuesit e klubit milanez kanë menduar ta bëjnë një gjë të tillë, kanë pasur arsye të forta.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment