e mërkurë, 31 dhjetor 2008

Dunga i bën thirrje Amaurit për tek Brazili

Carlos Dunga i bën thirrje të hapur sulmuesit të Juventusit, Amauri, për të veshur fanellën e përfaqësueses së Brazilit. Çështja Amauri rihapet përsëri, por këtë herë në një drejtim tjetër. Bomberi është midis dy rrugëve, asaj që të çon me përfaqësuesen axurre, dhe tjetra me atë të Selecaos. Në një intervistë të dhënë për Gazzetta dello Sport, tekniku i Brazilit Dunga është shprehur: “Dua ta thërras Amaurin në një nga ndeshjet e afërta miqësore të Selecaos. Mund t’i jap garancinë që në Brazil do ta mirëpresin, por nëse ai preferon Italinë, atëherë është ai që vendos”.Amauri pritet të pajisët së shpejti me pasaportë italiane, e cila i jep mundësinë atij të luajë për ngjyrat e kësaj përfaqësuesje. Vetë lojtari është në mëdyshje, por një ndikim të madh tek ai për të veshur ngjyrat e kaltërta ka gruaja e tij. Trajneri i Italisë, Marcello Lippi, ka dhënë pëlqimin e tij, dhe nëse Amauri do të pajiset shpejt me pasaportë, atëherë ai pritet të marrë ftesën e teknikut italian për miqësoren e shkurtit kundër Brazilit. Në anën tjetër Dunga shfaqet për mediat duke mos dashur që superlojtari t’i shpëtojë nga duart. Një ndikim të madh tek tekniku brazilian duket se ka patur edhe portieri i Interit, Julio Cesar. Për këtë Dunga deklaroi: “Amauri është një sulmues i madh. Dua të them edhe një sekret të vogël. Më ka telefonuar Julio Cesar për të më sugjeruar qendërsulmuesin e Juventusit. Në mediat braziliane thuhet se po të vijë Amauri do ta ketë vendin e titullarit të sigurtë. Por ata që më njohin mirë nuk mendojnë kështu. Unë aktivizoj lojtarët që janë më në formë. Kaka’ dhe Ronaldinho i janë përshtatur rregullave të mia. E njëjta gjë qëndron edhe për Amaurin. Nëse është në formë do të luajë, në të kundërton duhet të presë”. Këto deklarata të fundit të Dungës rihapin seriozisht dhe një herë çështjen e të ardhmes së Amaurit.

Nuk ka komente: