e mërkurë, 31 dhjetor 2008

Tek Juvja mendohet për post-Nedved

Klubi bardhezi duket i përqendruar sidomos në gjetjen e një pasardhësi të Nedved. Megjithëse në një moment të parë dukej se në skuadrën torineze duhej një mesfushor cilësor, për janarin flitet se drejtuesi Secco po punon për të marrë rusin Yuri Zhirkov, një nga elementët e forcës së CSKA Moskës, gjithashtu protagonist i një Evropiani të shkëlqyer gjatë verës së fundit dhe i zgjedhur si lojtari më i mirë në Rusi për vitin 2008. Në planet e bardhezinjve shihet si një pasardhës i denjë i Nedved. Për momentin CSKA nuk dëshiron të ulet në tavolinë për të diskutuar, por Juve kërkon gjithsesi, të provojë. Si alternativë shihet Luka Modric, talenti kroat i Tottenhamit, i cili ka thënë se dëshiron të qëndrojë në Londër, por i ka hapur dyert edhe një shitjeje të mundshme. Sidomos duke parë që Tottenhami s’ka më objektiva të rëndësishëm, kurse Juve luan edhe në Evropën e rëndësishme. Kjo mund ta shtyjë kroatin të dorëzohet përballë joshjeve bardhezi. Emra të tjerë janë edhe Joaquin i Valencias dhe Malouda i Chelseat. Gjithashtu, pëlqehet shumë anësori i djathtë i West Hamit, Valon Behrami. Gjithashtu, si përforcime për mesfushën bardhezi përmenden emrat e dy elementëve të Udineses, si Gokhan Inler e Gaetano D’Agostino. Zvicerani 24-vjeçar është prej kohësh edhe në shënjestrën e Arsenalit, ndërsa vlerësimi i D’Agostinos, për të cilin është në garë edhe Milani, vërtitet te 8 milionë euro.

Nuk ka komente: