e hënë, 22 dhjetor 2008
Juventus ngulmon për Behramin
Valon Behrami është shndërruar në objektivin kryesor të Juventusit. Klubi bardhezi kërkon të blejë mesfushorin, që vetëm pak muaj më parë luante me Lacion në Serinë A. Momentalisht, 23-vjeçari militon në Premiership, në radhët e West Ham dhe është një prej pikave të forta të skuadrës së drejtuar nga Gianfranco Zola. Kosovari me pasaportë zvicerane cilësohet si një prej lojtarëve më të mirë në qarkullim në rolin e tij dhe drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” e shohin si pasardhësin e ish-fituesit të “Topi të Artë”, çekut Pavel Nedved. Gjatë udhëtimeve të tija të shumta në Londër, drejtori sportiv i Juventusit, Alessio Secco, ka bërë një ofertë zyrtare tek West Hami për Behramin. Në klubin torinez janë optimistë se mund të gjendet një marrëveshje, edhe sepse drejtor sportiv i skuadrës angleze është emëruar një italian, Gianluca Nani, që në të kaluarën ka punuar te Brescia. “Bisedimet për blerjen e Behramit janë përshpejtuar, edhe sepse Secco ka udhëtuar drejt Anglisë për të gjetur akordin për mesfushorin e krahut”, theksonte gazeta “Tuttosport”. Klubi anglez pagoi 6 milionë euro gjatë verës dhe pretendon ta shesë të paktën 2 milionë euro më shumë. Bardhezinjtë besojnë se javën e ardhshme, Behrami mund të vihet nën urdhrat e Claudio Ranierit.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment