e diel, 14 dhjetor 2008
Juventus - Milan, nis misioni anti-Inter
Sot në “Olimpico” të Torinos do të ndeshen dy skuadrat që janë në ndjekje të kryesueses së kampionatit
Formacioni i mundshëm
Milan: Abbiati, Zambrotta, Maldini, Kaladze, Jankulovski, Flamini, Pirlo, Seedorf, Kaka', Ronaldinho, Pato.
Tr.: Ancelotti
Ancelotti: Është një përballje cilësi-grintë
“Dyshimet kanë lidhje me Kakanë. Nuk jemi as optimistë dhe as pesimistë. Do të udhëtojë me ekipin në Torino më pas do të vendosim se çafrë do të bëjmë, pasi të kemi vlerësuar mirë situatën”. Carlo Ancelotti, trajneri i Milanit, nuk është i sigurt nëse, do të ketë në dispozicion brazilianin për superndeshjen e sotshme kundër Juventusit. Ish-Topi i Artë, ashtu siç shprehet tekniku kuqezi, ka disa probleme muskulare. Ndërkohë që, janë në gjendje shumë të mirë Ronaldinho dhe Seedorf. “Nëse do t’i kem të gjithë në dispozicion, - ka thënë Ancelotti -, dikujt do t’i takojë të qëndrojë jashtë formacionit titullar”. Ndërsa, është e sigurt prezenca në mesin e fushës e Mathieu Flaminisë. Mesfushori francez ka detyrën të zëvendësojë të dëmtuarin Gennaro Gattuso, i cili do të mungojë për disa muaj pas dëmtimit në gju. ‘Flamini është një lojtar i ri, duhet akoma të ambientohet. Deri tani është paraqitur mirë, unë mendoj se mund të bëjë akoma më shumë”,- ka thënë trajneri. “Kjo ndeshje është po aq e rëndësishme sa derbi. Juventusi ka qenë gjithmonë ekipi që duhet mundur, ka një grup lojtarësh të rëndësishëm dhe një numër shumë të madh tifozësh. Eshtë shumë kompakt dhe zhvillon një lojë shumë agresive. Del Piero? Do ta kisha marrë disa vite më parë, kur nuk kishte rinovuar kontratën akoma me Juven, është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe një udhëheqës”. Tekniku milanist, edhe në rastin e një humbjeje, nuk e konsideron përcaktues një thellim të diferencave me Interin: “Zikaltrit mund të thellojnë avantazhin me njërin prej dy ekipeve, por kjo nuk do të jetë vendimtare për kampionatin. Një fitore, gjithsesi, do të na karikonte shumë”. Më pas trajneri kuqezi flet edhe për Thiago Silvën dhe Gattuson: “Braziliani është shumë i fortë dhe jo më kot është votuar si lojtari më i mirë në Brazil, është një investim i shkëlqyer. Mungesa e Gattusos mund të jetë një sfidë e re për lojtarë të tjerë. Gjithsesi, loja e skuadrës nuk do të ndryshojë”. Ancelotti, më pas, është kthyer tek deklaratat e presidentit kuqezi, Silvio Berlusconi, duke u shprehur se është dakord (jo plotësisht). Fakti që, nuk arrijmë të administrojmë siç duhet fundin e një ndeshjeje, është një problem që “ka ndodhur në disa raste. Në Lecce, për shembull, i kemi dhuruar shumë herë topin kundërshtarit”,- ka përfunduar trajneri i Milanit.
Formacioni i mundshëm
Juventus
Juventus: Manninger, Grygera, Mellberg, Chiellini, Molinaro, Marchionni, Sissoko, Marchisio, Nedved, Amauri, Del Piero. Tr.: Ranieri
Ranieri: Humbja do të ishte një dramë
Për të zgjidhur “dyshimin-Kaka”, i cili nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm për supersfidën ndaj Juventusit, mendon tekniku bardhezi, Claudio Ranieri: “Di që ka disa probleme muskulare, por një lojtar si ai, para se të mungojë në një ndeshje si kjo… Me pak fjalë nuk do të befasohesha po ta shikoja në tunelin që të çon drejt fushës”. Mbi Ronaldinhon: “Eshtë i aftë për magji të jashtëzakonshme, që ndriçojnë natën. Na takon ne detyra ta shuajmë. Kampionati? Ka akoma kohë për të rekuperuar”. Tekniku roman kundër kuqezinjve do të duhet të bëjë pa një nga lojtarët e tij më të mirë, Camoranesin: “Nuk është rekuperuar dot, ndjen akoma dhimbje kur godet topin, - ka shpjeguar trajneri. - Kemi shpresuar shumë, por nëse nuk është shëruar deri tani nuk mund t’i forcojmë gjërat”. Por Ranieri mund të mbështetet tek Salihamidzic: “Do të jetë në stol. Ka punuar shumë mirë në stërvitje”. Gjithashtu, edhe mbi Zanettin: “Ka rekuperuar mjaft mirë pas ndeshjes kundër Bate Borisovit. Fakti që ka hequr fashon nga këmba pas disa minutash ka qenë një mesazh i qartë. Fashimi e shqetësonte dhe nuk kishte më nevojë për këtë masë mbrojtëse. Kur e kam parë jam qetësuar akoma më shumë”. Ranieri e konsideron përballjen ndaj Milanit të rëndësishme, por jo vendimtare për fatin e kampionatit: “Të arrinim një rezultat pozitiv kundër Milanit do të ishte shumë e rëndësishme për ne, do të na lejonte të shkëputeshim tri pikë nga kuqezinjtë dhe të ruanim distancat me Interin. Nëse do të ishim vetëm ne ekipi anti-Inter do të ishte një problem, do të ishte më mirë që të ishin edhe skuadra të tjera. Kështu edhe kampionati do të ishte më interesant”. Gjithsesi, për trajnerin, thellimi i disavantazhit në këtë moment, nuk do të ndikonte në luftën për titull: “Sigurisht që do të kemi mundësi për të rekuperuar. E bukura e futbollit është se nuk fiton gjithmonë ekipi më i fortë”,- ka thënë Ranieri.
Në supersfidën e sotshme do të ketë shumë përballje që mund të përcaktojnë fatin e takimit
Duelet përcaktuese mes “Zonjës” e “Djallit”
Të gjitha ndeshjet kanë trajnerë dhe lojtarë që japin një kontribut të madh në rezultatin final. Në disa raste nga zhvillimi i një lojë spektakolare e në raste të tjera nga gabimi në zgjedhjet takitke. Në këtë kontekst nuk bën përjashtim as përballja që do të zhvillohet sot në mbrëmje midis dy ekipeve më të mëdha të Italisë. Më poshtë po ju japim disa nga përballjet kryesore që mund të ndikojnë në rezultatin e kësaj supersfide.
Ranieri vs. Ançelotti - Kjo ndeshje do të vendosë përballë njëri-tjerit dy ish-trajnerë të Parmës. Gjithsesi, tani për Ranierin dhe Ancelottin janë në lojë objektiva më të rëndësishme në krahahasim me periudhën kur drejtonin verdheblutë. Nuk është një sekret që, objektivi kryesor i Milanit në këtë sezon është kampionati, dhe nëse ata do të shkojnë 9 pikë mbrapa Interit, pas kësaj ndeshjeje, do të ishte një goditje e rëndë për kuqezinjtë. Ndërkohë, mbi Ranierin ka akoma dyshime se ai nuk është i zoti të arrijë suksese si trajner i një klubi të madh siç është Juventusi. Ish-trajneri i Chelseat do të jetë i vendosur të vërtetojë se këto dyshime janë të gabuara, dhe një fitore ndaj Milanit, që ndodhet në të njëjtën kuotë pikësh me Juventusin (30), mund t’i eliminojë një herë e përgjithmonë të gjitha pikëpyetjet që egzistojnë ndaj tij.
Momo Sissoko vs. Kaka - Sissoko nuk është një lojtar spektakolar, por forca dhe rëndësia e tij në mesfushën e Juves nuk vihen në dyshim. Gjithsesi, atij do t’i duhet të vrapojë shumë, nëse do të bllokojë ish-fituesin e Topit të Artë, Kaka. Ndoshta mund të mos jetë detyra e tij direkte të markojë brazilianin, por nëse Sissoko arrin të pastrojë mesfushën dhe të fitojë pjesën më të madhe të përballjeve, atëherë Kakaja mund të mos arrijtë të tragojë të gjitha cilësitë e tij.
Del Piero vs Maldini - Dy legjenda të futbollit italian që kanë një respekt të padiskutuar për njëri-tjetrin, ashtu siç kanë konfirmuar deklaratat e fundit të Maldinit, i cili ka thënë për juventinin se “është një kampion i vërtetë”. Dy kapitenët do të kërkojnë të shfrytëzojnë eksperincën e tyre për të bllokuar njëri-tjetrin në fushën e lojës, dhe ndoshta ky mund të jetë dhe dueli përcaktues i kësaj ndeshjeje.
Nedved vs. Zambrotta - Çeku i palodhur do të përballet me një nga ish-shokët e tij tek Juventusi. Por asnjëri nga të dy nuk ka shpejtësinë që kanë treguar në të kaluarën, gjithsesi, ata janë dy nga lojtarët më të mirë në Europë në pozicionet respektive. Do të jetë interesante të shohim se cili nga këta dy lojtarë do të përfundojë mbrapa.
Lojtarët e tjerë - Juventusi ka mbrojtësin e fuqishëm Chiellini, i cili po kthehet në një nga mbrojtësit më të mirë në Europë. Nuk duhet harruar as golashënuesi më i mirë i bardhezinjve, Amauri, i cili do t’i hapë shumë probleme mbrojtjes kuqezi. Ronaldinho dhe Pirlo pritet të rekuperohen në kohë për ndeshjen. Të dy këta lojtarë kanë aftësinë dhe fantazinë për të krijuar shumë mundësi për ekipin e tyre.
Kuqezinjtë
Riaftësohen Seedorfi dhe Ambrosini
Kaka do të luajë. Në fakt, braziliani ka marrë pjesë rregullisht në seancën e fundit stërvitore dhe duhet të jetë tiullar. Gjithashtu, edhe Seedorf ka rekuperuar dhe, bashkë me Ambrosinin dhe Pirlon, është në dispoziocion të Ancelottit. Flamini, siç ka deklaruar edhe vetë trajneri kuqezi, e ka të sigurt vendin në mesfushë. Në këtë pikë është Ambrosini ai që rrezikon më shumë. Ndërkohë tek Juventusi, Sissoko ka marrë një ftohje të lehtë, por do të jetë në fushë. Ranieri ka vendosur të mos thërrasë Camoranesin dhe në stol do të rikthehet Salihamidzic.
Bardhezinjtë
Mauro Camoranesi, mungesa “e luksit”
Camoranesi nuk ka arritur të rekuperojë nga dëmtimi në shpatull, për ndeshjen e sotshme kundër Milanit. Konfirmimi ka ardhur nga Claudio Ranieri, i cili e ka lënë jashtë ekipit për sfidën me kuqezinjtë: “Nuk ka arritur të rekuperojë, - ka thënë trajneri bardhezi. - Ndjen akoma dhimbje kur godet topin. Nuk është gati”. Ndërkohë që stadiumi Olimpico do të jetë përplot me rastin e supersfidës, që do të zhvillohet sot në mbrëmje në Torino, midis Juventusit dhe Milanit. Këtë e ka bërë të ditur saiti zyrtar i bardhezinjve.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment