e mërkurë, 31 dhjetor 2008
“Ëndërrojmë një 2009 si protagonistë”
“Sigurisht, më vjen keq që disa pikë i kemi lënë kot rrugës, por, nga ana tjetër, ndeshjet e fituara ndaj Milanit dhe Interit në kampionatin e kaluar brenda në ‘San Siro’ dhe padyshim fitorja ndaj Romës, do të jenë kujtimet më të bukura për ne nga sezoni 2008. Rikthimi në Ligën e Kampioneve, pas dy vitesh të vështira për këtë skuadër, dhe fitorja spektakolare e regjistruar në ‘Santiatgo Bernabeu’ kundër Realit të Madridit do të jenë perlat e Juventusit, që të gjithë do t’i kujtojmë”, është shprehur Claudio Ranieri. Trajneri i “Zonjës së vjetër” vijëzon një rrugë të suksesshme të bardhezinjve, që ka karakterizuar vitin që pritet të mbyllet, duke rikujtuar edhe njëherë momentet e mrekullueshme, shumë emocionuese për të, lojtarët e tij dhe veçanërisht për popullin juventin. Gjithsesi, timonieri i formacionit torinez nuk kërkon të ndalet vetëm tek këto suksese, pasi nga viti 2009 pret gjëra akoma më shumë emocionuese, pse jo një sezon që shpresohet të përfundojë me fitimin e diçkaje të rëndësishme, si kampionati italian apo Liga e Kampioneve. “Kënaqësia më e madhe për këtë fazë të sezonit është impenjimi i jashtëzakonshëm që kampionët tanë kanë shfaqur në çdo ndeshje në fushën e lojës, si dhe fakti që të gjitha përforcimet tona të merkatos së verë janë ambientuar menjëherë me lojën që ne bëjmë. Edhe Tiago, i cili në kampionatin e kaluar nuk mundi të gjente hapin e duhur, sivjet ia ka dalë mbanë dhe do të jetë ai një ndër blerjet tona më të rëndësishme, - ka vijuar tekniku juventin. - Pastaj, fakti që edhe ata lojtarë, të cilët nuk kanë pasur shumë hapësirë, tregohen gjithmonë të gatshëm e të motivuar përbëjnë shpirtin e vërtetë të këtij grupi. Të gjithë janë të gatshëm të sakrifikohen, e padyshim që është kjo gjë arma më e fortë e skuadrës sonë”, ka theksuar Ranieri.“Një 2009 pozitive” – Duke parë sesi është paraqitur Juventusi gjatë kësaj periudhe, trajneri pret gjëra akoma edhe më pozitive për vitin e ardhshëm. Mirëpo jo gjithmonë dëshirat që thuhen, mund të realizohen. “Të ëndërrosh është diçka, dhe ta realizosh atë është diçka tjetër. Unë them gjithmonë që fillimisht duhet të punojmë e më pas të mendojmë për zbatimin e idesë sonë. Duke parë sesi punojmë bashkë me lojtarët çdo ditë, mund të them se nga viti 2009 pres një sezon si protagonistë”, ka përfunduar trajneri i formacionit bardhezi, Claudio Ranieri.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment