e enjte, 18 dhjetor 2008

Juventusi, nga 2009 edhe më i frikshëm


Mbarëvajtja e suksesshme deri në këtë pikë të sezonit ka fshehur disi dëmtimet e shumta të Juventusit, situatë që vazhdon ta shqetësojë jo pak trajnerin Claudio Ranieri, duke parë numrin e madh të ndeshjeve që bardhezinjtë kanë zhvilluar gjatë dy muajve të fundit. Gjithsesi, Del Piero, Amauri, Nedved, Sissoko dhe Chiellini, së bashku me ndihmën e të rinjve si De Ceglie, ndër më të mirët në sfidën e fundit ndaj Milanit, Marchisio e Marchionni kanë arritur ta ruajnë mjaft mirë diferencën prej gjashtë pikësh në dëm të zikaltërve. Rendimenti i mirë që futbollistët aktualë juventinë kanë ofruar deri në këtë moment mund të bëjë që drejtuesit torinezë të mos rihynë në merkato gjatë muajit janar, përkundrazi. Edhe pse gjatë ditëve të para të vitit 2009 në skuadër do të rikthehen Gigi Buffon, David Trezeguet, Mauro Camoranesi dhe dy mesfushorët, Tiago e Poulsen, Alessio Secco, drejtori sportiv i Juventusit, ka gati dy përforcime. I pari është spanjolli i Valencias, Joaquin, ndërsa tjetri organizatori i Udineses, 26-vjeçari D’Agostino. Këta dy emra janë marrëveshjet më të mundshme për t’u mbyllur me sukses gjatë 20 ditëve të merkatos dimërore, ndërkohë që emrat e tjerë të shumëpërfolur janë ata të mbrojtësve Agger (Liverpool), Gallas (Arsenal), Ivanovic (Chelsea) dhe Zapata (Udinese). Megjithatë, ëndrrat e Alessio Seccos janë të tjera. Ryan Babel, mesfushori 22-vjeçar i Liverpoolit, shihet nga kreu i pankinës juventine, Ranieri, si një alternativë e shkëlqyer për mesfushorin çek Pavel Nedved. Përveç shpejtësisë, futbollisti holandez do t’i ofronte edhe më shumë klas mesfushës së “Zonjës së Vjetër”. Por kur përmendet fjala klas në ambientin torinez, menjëherë mendja të shkon tek fantazisti i Werder Bremenit, braziliani Diego, i cili ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij në Gjermani. Shpeshherë, vetë lojtari ka thurur mjaft lëvdata për skuadrën e Juventusit, por menjëherë sapo këto shfaqen në faqet e të përditshmeve sportive, ai, apo menaxheri i tij, i përgënjeshtrojnë menjëherë. Gjithsesi, i sigurt është fakti se Diego nuk ka ndërmend ta vazhdojë gjatë karrierën me Werderin, kështu që alternativa bardhezi do të ishte një shans ideal për të.

Nuk ka komente: