e hënë, 18 shkurt 2008

Del Piero: Unë kam besuar gjithnjë!

Sërish një hap. Një, sepse tani janë 195 gjëra që kanë të përbashkëta Alessandro Del Piero dhe David Trezeguet. Janë golat që të dy kanë shënuar bashkë në Serinë A me fanellën e Juventusit. Vetëm Çarlsi dhe Sivori kanë bërë më shumë: 196. Akoma dhe një hap, një tjetër sforcim i vogël, sepse tani Roma dhe vendi i dytë janë larg vetëm me një pikë. Sërish një tjetër 1, kështu numrat e parë do të ndihen disi vetëm. Del Piero shikon barrierën, godet topin dhe e çon në kryqëzimin mes dy shtyllave. Pastaj feston para fotove bardhezi të Platinisë dhe Bonipertit. Ndërkohë, kapiteni ka shënuar 10 gola në këtë kampionat. Si numri që mban mbi shpinë, si golat që i ka shënuar në karrierë Romës. Si numri i fanellës që Toti ia mori në kombëtare.

ALE NË FORMË - Vërtet, goli i fundit i kapitenit është pjesa më e fortë e një repertori të konsoliduar nga goditjet standarde. Por ka edhe diçka tjetër dhe këtu është e bukura. U kushtohet atyre që "katër vjet më parë" thonin se Del Piero nuk vraponte më. Vrapon, madje më shumë se më parë. Duket teksa lufton mes një "pylli" këmbësh kundërshtarësh në zonën e rreptësisë. E kupton edhe kur Ranieri vendos të mbulohet, aktivizon Sissokon dhe thërret jashtë një sulmues. Një tjetër sulmues, Trezeguet, dhe jo kapitenin.

Duket që francezi nuk e mori mirë; vesh tutat bardhezi dhe drejtohet në dhomat e zhveshjes. Kampionët kështu janë bërë, pastaj ishte dhe ftohtë. Në të vërtetë, Nevedi qëndron në stol pasi ia la vendin Palladinos. Dhe Ranieri "përkëdhel" Alexin: "Është djalosh i artë. Stërvitet mirë dhe më shumë se të tjerët. Iu desh pak të kapte formën e duhur në fillim, ose nuk e aktivizoja, ose e zëvendësoja. Por tani Del Piero është një vlerë e shtuar për këtë Juve: do ta mbajmë dhe do ta përkëdhelim".

MBËSHTET DEL PIERO - Juventusi, që fiton dhe i afrohet vendit të dytë, është vetëm një hap larg Romës. Kush do ta mendonte një vit më parë? Një si Del Piero, për shembull. Po, ai e kishte parashikuar: "Po, kam thënë që gjithçka ishte e mundur. Të shtunën e konfirmuam, hymë në fushë të bindur se jemi në shtëpinë tonë, të bindur se do të luanim një ndeshje të madhe. Ia arritëm. Herë të tjera kemi luajtur ndeshje jo të mira, por shpirti ynë është gjithnjë i njëjtë. Nuk është e vërtetë që nuk ka cilësi në mesfushën tonë". Ja krenaria e kapitenit. Të gjithë e prisnin dhe ai ishte gati. E priste John Elkanni, nipi i avokatit, që në prag të ndeshjes i kishte kërkuar tri gola. I kënaqur është edhe ai: "Po, mjaftoi një, ai më i bukuri. Ai që vlen sa për tre për Juven. Pashë një ndeshje të fortë e me karakter." Presidenti Cobolli Gigli e kishte bërë një parashikim të tillë. Ai, një "nostalgjik i vjetër", e kishte parashikuar golin e kapitenit. "Po, e gjeta, tani besojmë vërtet te vendi i dytë." Një hap larg historisë. Një pikë larg Romës. Vërtet një mrekulli, nëse kështu do të rezultonte edhe në fund. Dhe Juvja e meriton.

Trajneri i Romës e kritikon skuadrën për interpretimin e gabuar të lojës në Torino

Spalleti: E kishim mendjen te Reali

Luciano Spalleti e komenton me hidhërim humbjen në "Olimpico" kundër Juves. "Në pjesën e parë dhamë pak, - tha ai. - Ishim pak konfuzë në interpretimin e situatave dhe në krijimin e lojës. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, por është e qartë që bëmë më pak nga ç'mund të bënim. Çfarë taktike me Realin? Do të varet nga paraqitja që do të bëjnë ata."

Është i ndërgjegjshëm që nesër, në ndeshjen me Realin e Madridit, duhet një tjetër Romë, me një vendosmëri të madhe dhe manovër më të plotë. Luciano Spaletti komenton i hidhëruar humbjen e skuadrës së tij, e paaftë të bëjë rezistencë para një Juventusi që fitoi falë një eurogoli të Del Pieros nga një goditje standarde. "Ishim të ngadaltë në fushë, nuk ishim të zotë të kuptonim ku kishim hapësira dhe ku nuk kishim, - nënvizoi Spalleti. - Nuk mund t'u lejohet kjo epërsi lojtarëve të aftë si ata të Juves."

Roma, në të vërtetë, u duk edhe psikologjikisht e dorëzuar dhe mendja te sfida me Realin mund të ketë ndikuar. "Ndoshta po, - pranon trajneri verdhekuq, - sepse lojtarët shohin ciklin e ndeshjeve që duhet të përballim dhe e dinë që ajo me Realin nuk mund të gabohet, ndërsa për të tjerat ka gjithnjë kohë për të qenë gati." "Merenguesat" humbën në kampionat të shtunën me Betisin në Sevilje, por Spaleti nuk e sheh aspak këtë si ogur të mirë: Nuk testoj për humbjet e të tjerëve dhe pastaj ata pësuan dy gola me topa të lartë, ndërsa ne jemi më të aftë me topat e ulët," vëren Spalleti. Pikërisht për këtë duhen gjetur zgjidhje të tjera për të marrë maksimumin dhe për të zbritur në fushë me vendosmëri të madhe, si të shtunën ndaj Juventusit. Ajo që shqetëson më shumë është edhe gjendja fizike e Tottit, i cili ndaj Juves thuajse nuk u shfaq fare në fushë. Me Realin duhet të ndihet patjetër "dora" e kapitenit, ndryshe edhe në Madrid gjërat mund të shkojnë siç ndodhën në "Olimpico."

Juventusi

Vendi i dytë tashmë është objektiv

Fitorja në "big-matchin" kundër Romës ka sjellë entuziazëm dhe bindje në shtëpinë e Juves. Objektivi, tani që u hodh "maska", është vendi i dytë, akoma i zënë nga verdhekuqtë, që tashmë janë vetëm një pikë para. "Ishte ndeshja më e rrezikshme e sezonit. Tani e dimë se cilën rrugë duhet të ndjekim," pohoi Buffoni.

Asnjë nuk kishte besuar te mrekullia, por tani që Roma u mund Juvja mund të kandidojë për vendin e dytë. S'është utopi që të arrish objektivin, duke e mbyllur kampionatin pas Interit: verdhekuqtë janë vetëm një pikë para dhe po përjetojnë formë jo të mirë. Pastaj formacioni verdhekuq duhet të përqendrohet te çerekfinalet e Ligës së Kampioneve dhe po humb motivimin në luftën për titull, duke parë që tani Interi është 11 pikë larg. Juvja, duke shfrytëzuar motivimin e madh dhe lodhjen e vogël, pasi nuk luan në kupat e Europës, bëhet kështu kandidatja më serioze për vendin e dytë. Për këtë edhe lojtarët janë të bindur. Buffoni është entuziazt dhe i karikon shokët, ndërsa Nikola Legrotalje pranon që vendi i dytë ka epërsitë e veta, për faktin se nuk luan në ndeshjet paraeliminatore të Championsit. "Jemi një pikë larg vendit të dytë, - pohoi mbrojtësi, - që të kualifikon direkt. Duhet të besojmë, rëndësi ka të arrijmë të dytët." I vetmi që frenon, siç është e drejtë të jetë, është trajneri Ranieri, që bën krahasimin: "Skuadra po luan shumë mirë, por unë jam mësuar të shoh fundin. Kuajt shihen në fund, tani jemi akoma në kthesë".

Taddei: Në sulm tani na njohin

Mexes e pranon: Po luajmë shumë dobët!

Është thënë shpesh se Roma kur luan dobët rrallë fiton. Skuadra e mirë, e krijuar nga Luciano Spalleti, tregon pikën e saj të dobët kur nuk është në formë, sepse rrezikshmëria e verdhekuqve vërehet që në minutat e para të lojës. Edhe kundër Juventusit u shfaq problemi kronik i verdhekuqve dhe në fund të ndeshjes asnjë nuk donte ta mohonte ekzistencën e problemit në prag të sfidës me Realin në Champions. "Jam vërtet i zemëruar, sepse po luajmë shumë dobët. Edhe unë duhet t'i jap vetes një të shkundur, sepse kështu nuk mund të vazhdohet," ka thënë pa terma gjysmake Filipe Mexes, duke gjetur edhe një aleat të vlefshëm si Rodrigo Taddei, që e mbështet. "Është periudha kur gjërat shkojnë keq, - pranoi braziliani, - por ndoshta është e gjithë skuadra që nuk po luan mirë. Në sulm, para së gjithash, duhet të bëjmë diçka më shumë, pasi kundërshtarët tashmë na njohin. Unë, Totti e Mancini nuk mund të luajmë kështu, duhet t'i përmirësojmë paraqitjet tona, nëse duam të rifillojmë të fitojmë."

Nuk ka komente: