e martë, 9 dhjetor 2008

Giovinco e Amauri, në emër të Del Pieros

Goditje standarde mbi barrierën, goli i parë kujton Aleksin. Braziliani: Do t’i bëj një dhuratë!

Amauri përpiqet t’i thotë diçka. Vrapimi i shpejtë dhe topi në shtyllën e parë, Benusi që më pas e shtyn edhe më shumë në rrjetë. Pastaj, festa te tifozët, dora që rreh mbi zemër dhe dërgon puthje, por larg fushe, sepse “ai gjest më sjell fat”. Marchisio e përkëdhel si një fëmijë dhe i ulërin “Të pata thënë!”. Ëndrra që shndërrohet në ankth dhe pastaj shndërrohet përfundimisht në përrallë. Duartrokitje kur ngjitet në autobus, sepse urina për analizat antidoping, pikërisht nuk i vinte në ato momente emocionuese. Sebastian Giovinco kthehet në shtëpi me një “album fotosh”, pas golit të parë me Juventusin.

GIOVINCO E GIACOMAZZI - Golin e parë me Juven, Seba e ka shënuar për një faull të Giacomazzit. Vitin e shkuar luanin të dy tek Empoli dhe që në fund të pjesës së parë i këmbyen fanellat si miq. Pastaj, në pjesën e dytë, shkaktoi faull ndaj “Milingonës atomike”, duke e lejuar të realizojë atë që Cobolli Gigli e cilësoi si “një kryevepër të vogël”. Shokët e vjetër prandaj duhen.

GIOVINCO E AMAURI - Ndërsa barriera sistemohej, Amauri i afrohet pranë. “Ndeshja nuk po zhbllokohej, kështu i thashë se, nëse do të shënonte, do t’i bëja një dhuratë. E meriton: ka shumë dëshirë “ta çajë” botën.” Por kur Cacia barazoi, bota ishte gati duke i rënë sipër Giovincos; me të si titullar, Juvja s’kishte fituar asnjëherë më parë, po shndërrohej në ankth. Por tri minuta para “zgjimit” Amauri i dhuron një buzëqeshje: meriton një duartrokitje edhe braziliani. “Jo, mua më mjafton kënaqësia që morën tri pikët, - shpjegon Amauri. - Seba ka një të ardhme të madhe dhe do të na japë shumë kënaqësi. Do t’ia blej menjëherë dhuratën.” Miqtë për këtë duhen.

GIOVINCO E DEL PIERO - “Një gol, si i Del Pieros!” E përcaktuan të gjithë, përveç presidentit: “Jo, një gol, si i Giovincos!”. Nëse kapiteni nuk do të qëndronte në Torino dhe nëse Iaquinta nuk do të pësonte një dëmtim në stërvitjen e fundit, ndoshta Seba nuk do të kishte luajtur. Megjithatë, goditja standarde ishte si ajo e Aleksit, trajektorja e njëjtë, specialiteti i tij. “Në Serinë B, kur Aleksi ekzekutonte goditje të tilla, unë i qëndroja pas për t’i studiuar se si i bënte, - tregon Giovinco. - Edhe në stërvitje mësoj shumë nga ai. Jam i kënaqur që luaj me kampionë si Del Piero.” Mjeshtrat për këtë duhen.

GIOVINCO DHE MILANI - Sulmuesi shtatshkurtër bardhezi mendon tani për ndeshjet e ardhshme: “Luaj pak, por jam gjithnjë gati kur ma kërkojnë. Dua të vazhdoj të shënoj”. Të dielën vjen Milani në Torino dhe Giovinco paralajmëron: “Nuk mund të gabojmë. Ajo me kuqezinjtë është takim direkt”. Sfida të tilla prandaj shërbejnë.
GIOVINCO E RANIERI - Administratori i deleguar Blanc thotë: “Giovinco është lojtar i madh, ka ditur ta presë rastin e tij; kështu rritet dhe bëhet kampion”. “Të vjen keq ta mbash në stol këtë djalosh, - rrëfen Ranieri, - dhe ai e di. Por duhet ta dijë se për të luajtur te Juvja duhet t’ua marrë vendin kampionëve të botës dhe “Topave të Artë”. Prandaj duhet të shfrytëzojë çdo “frymëmarrje” që i jepet. Këtë herë e bëri, por tani mund të thuhet se është kthyer sërish nën ujë…” Për diçka shërbejnë edhe trajnerët…

Nuk ka komente: