e mërkurë, 3 dhjetor 2008

Buffon këmbëngul: Synojmë Championsin!

Portieri bardhezi ka deklaruar se ekipi i tij mund ta kërkojë pa frikë suksesin në Europë

“Profesori” Buffon vesh pjesën e sipërme të tutave dhe futet në fushë. Njëmbëdhjetë studentë po tregojnë aftësitë e tyre mes dy shtyllave të portës. Janë portierët italianë më premtues që kanë lindur në vitet 1990-’91. Federata Italiane e Futbollit ka vënë në dispozicion të tyre tri legjenda, si Ivan Bordon, Luciano Castelini dhe Andrea Pazzagli, por Gigi është gjë tjetër. Ai është Maradona i tyre.

Midis një hedhjeje dhe një kërcimi për të kapur topat e lartë gjejnë kohën për t’i hedhur një shikim. Buffon, ndërkohë, vuan në rolin e mësuesit. Instinkti do ta shtynte të vishte menjëherë fanellën dhe dorezat, por nuk mundet. Tashmë dëmtimi është drejt shërimit të plotë.

Duhet bërë durim edhe për ndonjë ditë më shumë. Atëherë Gigi duhet të kënaqet duke përdorur fjalët. Fillohet me Juventusin dhe mbyllet me një mesazh të lëshur për portierët e vegjël. “Interi është shkëputur, por ne nuk do të dorëzohemi. Periudha e errët është lënë pas krahëve. E keni parë me Regginën? Duhet ta mbajmë këtë ritëm deri në pranverë, pastaj do të tentojmë sprintin fitues. Por…”.
- Por?
- Besoj se Juventusi, për nga mënyra se si është ndërtuar, mund të ketë më shumë rezultat në Champions se sa në kampionat. Sigurisht, në Europë nuk jemi inferiorë ndaj askujt.
- Për një ditë keni marrë pozitat e trajnerit.
- Një ndiesi e bukur. Eshtë profesion që më pëlqen. Kur të tërhiqem nga futbolli do të më pëlqente të stërvitja. Ne portierët në fushë shohim gjithçka.
- Zenga po korr sukses te Catania.
- Për këtë kam qenë i sigurt, por një trajner i mirë nuk del nga hiçi. Duhet studiuar shumë. Buffoni trajner, për shembull do të dëshironte të kishte në krah gjatë gjithë kohës një psikolog.
- Të rikthehemi te portierët. Shkolla italiane, a është në krizë?
- Jo. Ka shumë të rinj të talentuar në qarkullim. Curci po luan shumë mirë me Sienën, gjithashtu edhe Marchetti te Kaljari ka të dhëna të mira.
- Në këtë moment janë në modë portierët brazilianë.
- Por jo të gjithë janë të aftë. Doni, Julio Cesar dhe Rubinho gjenden mirë në futbollin tonë. Besoj se kanë mësuar edhe nga ne. Doni ka qëndruar një vit në stol, Julio Cesar ka bërë eksperiencë te Chievo, para se të fitonte vendin e titullarit tek Interi. Por shkolla italiane mbetet më e mira.
- Abbiati-biz te Milani.
- Asnjëherë nuk e kam kuptuar se pse e larguan. Për fat të keq, Abbiati ka paguar vite më parë modën braziliane. Një “rrymë” që vazhdon të ndiqet akoma. Roma ka tre brazilianë dhe të jashtmit po pushtojnë edhe sektorin tonë të të rinjve.
- Ekziston Buffoni i ri?
- Kam dëgjuar fjalë shumë të mira për Fiorillon e Sampdorias, por është një gjykim i kufizuar, sepse unë nuk e kam ndjekur me vëmendje.
- Ç’do t’u këshillonit portierëve të rinj italianë?
- Të jenë më të guximshëm dhe të mos frikësohen para gabimit të parë.
- Një herë keni thënë se kishit dëshirë të luanit në kampionatin brazilian.
- Ka qenë provokim, por ku i dihet, mund të jetë argëtuese mbyllja e karrierës në një klub të Rio de Janeiros. Sigurisht, që bëj shaka.” Më pas, profesori Buffon u përgjigjet pyetjeve që i drejtojnë nxënësit e tij. “Kur kam qenë i vogël kam dashur të luaj me Milanin, por familja më shtyu drejt Parmës.

Kujdes nga agjentët. Unë kam pasur menaxherin Martina që në moshën 16-vjeçare. Agjenti mund të të sigurojë të ardhmen tënde ose ta dëmtojë atë. Tani mos mendoni të bëheni të gjithëm si Buffoni. Duhet të jeni vetvetja. Unë në moshën tuaj do të kish afirmosur për një karrierë 15- vjeçare në C, ndërsa…”.

Nuk ka komente: