e shtunë, 28 shkurt 2009

Juve shënon fitore të vështirë


Skuadra e Juventusit ka arritur të nxjerrë tre pikë nga një përballje shumë e vështirë kundër Napolit. Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërmjet Juventusit dhe Napolit, ka përfunduar me fitore minimale të skuadrës vendase, prej 1-0. Bardhezinjtë ishin skuadër shumë më e mirë në pjesën e parë duke dominuar lojën dhe duke krijuar raste, me ç’rast erdhi edhe goli, pa përfunduar pjesa e parë (44’), ndërsa golashënues ishte Claudio Marchisio. Në pjesën e dytë, mysafirët napolitanë krijuan presion të madh para portë së Gigi Buffon, sidomos në minutat e fundit të ndeshjes, madje duke shënuar, por goli i tyre u anulua nga gjyqtari. Me këto tre pikë Juventus i afrohet Interit në gjashtë pikë, dhe do të mundohet ta ngushtojë diferencën e pikëve, kur dihet se zikaltrit të dielën përballen me Romën në Giuseppe Meazza.

Të dhëna rreth ndeshjes: JUVENTUS-NAPOLI 1-0 (1-0)
Golashënues: 44’ Marchisio
JUVENTUS: Buffon; Grygera, Legrottaglie (72’ Mellberg), Chiellini, Molinaro; Marchionni, Poulsen, Marchisio, Giovinco (64’ Salihamidzic); Del Piero (68’ Amauri), Trezeguet. Në dispozicion: Manninger, Tiago, Sissoko, Iaquinta. Trajner Ranieri.
NAPOLI: Navarro; Santacroce, Cannavaro, Contini; Pazienza (78’ Russotto), Blasi, Montervino (46’ Datolo), Vitale (78’ Aronica); Lavezzi, Denis. Në dispozicion: Bucci, Rinaudo, Maggio, Bogliacino. Trajner Reja.
Gjyqtar kryesor: Ayroldi nga Molfetta.
Karton të verdhë: 33’ Legrottaglie, 91' Chiellini.

Video nga ndeshja

Nedved: Amauri duhet të mendojë vetëm për Juven

Veterani i Juventusit, Pavel Nedved, ka kërkuar nga bashkëlojtari i tij, Amauri, të mos shpërqendrohet me çështjen se për cilën përfaqësuese do të luajë, por të mendojë vetëm për bardhezinjtë. Sulmuesi i Zonjës së Vjetër, Carvalho Amauri, ende nuk ka vendosur për cilën përfaqësuese do të luajë, për Brazilin apo Italinë, duke ditur se kohë më parë ai e mori edhe pasaportën italiane. “Situata e Amaurit nuk po menaxhohet mirë dhe ai mund të shpërqendrohet nga kjo çështje. Ai duhet të mendojë vetëm si të luajë për Juven. Ndërsa për cilën përfaqësuese do të luajë duhet të vendoset më vonë”, ka thënë Nedved.

Platini, juventin i deklaruar dhe shtypi anglez tërbohet


Pa mbaruar mirë Chelsea-Juve, tifozllëku “juventin” i Michel Platinis është një hije që bie mbi ndeshjen e kthimit që do të luhet pas dy javësh. Në komentatorët angleze ka ndezur shumë dyshime në lidhje me sjelljen jo fort siguruese të presidentit të UEFA-s. “El Roi” i paharrueshëm i Juventusit anjelian është ende tifoz i deklaruar i skuadrës bardhezi. Ja që në atdheun e “fair-play”-it dhe të futbollit, mund të ndodhë edhe kjo. “Daily Mail”, përmes një prej gazetrëve më të rëndësishëm, Martin Samuel, ka sulmuar deklaratat e hapura për tifozllëkun e Platinis, duke nxjerrë në dritë një intervistë të francezit në gazetën “La Stampa” të 29 dhjetorit 2008. “do të më pëlqente t’i dorëzojë Juventusit trofeun e Ligës së Kampionëve”, tha Platini në atë rast. Tepër dyshuese e ka konsideruar gazetari edhe një tjetër frazë të Platinis, më 21 tetor 2008, kur Juventusi mposhti Realin e Madridit. “Isha në Torino kur Del Piero i shënoi gol Iker Casillasit. Dhe u ngrita në këmbë, jo vetëm sepse jam juventin, por sepse ai ishte goli më i bukur i vitit 2008”. Pikërisht mbi atë frazë “jam juventin”, ka nisur një polemikë përreth presidentit të UEFA-s, i cili mesa duket nuk është aspak i paanshëm. “Presidenti i UEFA-s është juventin? T’i dorëzojmë Juventusit trofeun e Ligës së Kampionëve? Nuk duket se është kjo gjuha që duhet të përdorë njeriu që drejton futbollin evropian”, ka ngritur si çështje komentatori. Duke e shoqëruar shkrimin edhe me foton e Platinisë, që ngre Kupën e Kampionëve në natën e tmerrshme të tragjedisë së Heyselit në vitin 1985. Mediat angleze kanë pikëpyetje edhe për ndikimin psikologjik që mund të ketë Platini te gjyqtari i ndeshjes së kthimit, ndërkohë që bilbili portugez i së mërkurës e kaloi çdo gjë me sukses. Polemike gjithashtu duket edhe fraza, kur gazetari anglez ka thënë: “Sa me fat presidenti i UEFA-s, Platini që Jose Mourinho s’është më menaxher i Chelseat, klubi që do të ndeshet me Juventusin”. Përndryshe, ka nënkuptuar, kushedi se çfarë ferri do të kishte ndezur portugezi, që ankohet gjithmonë me gjyqtarët. Gjë të cilën e konfirmoi edhe pas ndeshjes me Manchesterin, duke akuzuar gjyqtarin se kishte vërshëllyer disa si tepër në favor të miqve. Artikulli nuk kishte si të mos përfundonte me një referim shumë të hidhët te çështja e skandalit të famshëm të futbollit italian. “Juventusi ka humbur dy titujt e fundit, sepse Luciano Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm, orkestronte caktimin e gjyqtarëve, të cilët i leverdisnin”. Domethënë, çdo gjë ka përfunduar në të njëjtin drejtim: Juve e djeshme dhe ajo e sotmja, të bashkuara nga gjyqtarët, që i shkelin syrin. Kështu, mesazhi për tifozin juventin Platini, është dërguar qartë. Edhe në futbollin anglez, tashmë fenomeni i dyshimit është shtrirë gjërë e gjatë....

Kthehet në shënjestër

Amauri ka zhvilluar një ndeshje të dobët në Ligën e Kampioneve kundër Chelseat dhe sikur të mos mjaftonte kjo, këto dy ditë është vënë në shënjestër nga Gennaro Gattuso dhe trajneri i Brazilit, Carlos Dunga. Mesfushori i Milanit largon Amaurin nga Kombëtarja italiane me tone të ashpra, ndërkohë që i njëjtë është edhe reagimi i tij: “Gattuso nuk më do në Kombëtare? Nuk më intereson mendimi i tij”. Por nëse Gattuso i mbyll dyert e Kampionëve të Botës, nga ana tjetër edhe Dunga nuk është se i lë një shpresë të madhe sulmuesit të Juventusit për të ëndërruar fanellën e “Selecaos”: “Dyert e Kombëtares janë të hapura për të gjithë, por e kam të vështirë të heq dorë nga Luis Fabiano e Adriano për Amaurin...”.

Camoranesi ndalet sërish

Disfata kundër Chelseat ka qenë shumë e hidhur për Claudio Ranierin. Përveç rezultatit dhe fatit të keq që pushtoi në “Stamford Bridge” Juventusin dhe ndeshjes së vështirë me të cilën bardhezinjtë duhet të përballen në Torino pas dy javësh, trajneri i “Zonjës së Vjetër” duhet të bëjë edhe pa Mauro German Camoranesin në ndeshjet e ardhshme. Ndonëse koha e riaftësimit nuk është konfirmuar ende, e sigurt është mospjesëmarrja e tij në ndeshjen e fundjavës në kampionat kundër Napolit. Në këtë mënyrë, Camoranesi i saporikthyer në fushë, duhet të ndalet sërish për një dëmtim të rëndë të pësuar në këmbën e majtë, që mendohet t’i kushtojë shumë shtrenjtë mesfushorit italo-argjentinas...

“Tani mendojmë për Napolin”

Cristian Molinaro, mbrojtësi i Juventusit, është disi i zhgënjyer nga rezultati i arritur në Londër ndaj Chelseat, por gjithsesi beson ende te kualifikimi, por nuk harron as kampionatin, pasi këtë fundjavë, “Zonja e Vjetër” do të ketë një ndeshje impenjative në shtëpi me Napolin. “Treguam se jemi në lartësinë e Chelseat. Ndryshimi i vetëm mes nesh në Londër ishte goli i Drogbas, por në ndeshjen e kthimit mund ta kthejmë rezultatin. Kampionati? Me Napolin do të jetë një tjetër ndeshje e fortë dhe e rëndësishme për ne. Napoli po kalon një moment të vështirë, por kjo nuk do të thotë se skuadra e Rejas nuk luan futboll. Objektivi ynë do të jenë tri pikët për t’iu rikthyer fitores”.....

Gigi Buffon: Shpresojmë te mrekullia

Bardhezinjtë, pavarësisht humbjes 1-0 kundër Chelseat, shpresojnë akoma te kualifikimi në Torino

Topa të çarë. Ai që është i mbuluar me yjet e Champions League shpërthen midis këmbëve të Chilleinit dhe Alexit. Është një përplasje midis gladiatorësh të vërtetë, kur pjesa e dytë sapo kishte filluar. Një top që çahet në këmbët e fubollistëve dhe shfryhet në fushë. Jo, gjëra të tilla nuk shihen shpesh as në fushat e bukura të Britanisë së Madhe. Kështu, në fund, thelbi i Chelsea-Juventus është edhe ky. Për t’u shpjeguar më mirë: Juventusi i 4 sulmuesve nuk shënon. Por pëson një gol, vetëm një dhe pas 12 minutash lojë. Në repartin difensiv gabojnë në rastin e parë të Drogbas, atij të vërtetit, të rigjeturit. Humbet busullën skuadra e Ranierit, por pastaj e rigjen.

BUFFON - Këtë e mendon edhe Buffon. Ndeshja ka mbaruar ai nuk e ka hequr akoma uniformën e portierit dhe shprehet: “Ata janë një skuadër e fortë. Është e vërtetë, kemi vuajtur, por na ka munguar vetëm goli, që në Champions është shumë i rëndësishëm. Kemi besim për ndeshjen e kthimit. Nëse nuk do të pësojmë gola mund të arrijmë mrekullinë”. Një mrekulli që bazohet edhe tek mbrojtja e Juventusit që duket se ka rigjetur ekulibrin. Edhe kështu, me Mellberg në krahun e djathtë në vend të Grygeras, një lojtar që vrapon shumë, por që edhe shpërqendrohet më shumë. Kjo lëvizje kishte funksionuar kundër Realit të Madridit, dhe në fund të fundit, ka funksionuar edhe në Angli. Këtë e konfirmon Buffon: “Në fillim ka qenë e vështirë si në Palermo, por atje nuk kemi pësuar gol. Ndërsa kundër Chelseat po”. Detaje: në Londër luanin Drogba dhe Anelka. Në Palermo në sulm ishin Miccoli dhe Cavani.

ITALIANËT - Detaje, që nuk demoralizojnë portierin më të mirë të botës. I vendosur: “Kemi vuajtur, na ka munguar goli, por kemi reaguar shumë mirë”. Ndoshta është një rastësi, por ky fakti i golit që mungon është shumë i shpeshtë. Ka munguar edhe kur Ranieri ka futur sulmuesin e tretë në fushë: Trezeguet 5 minuta para fundit, bashkë me Del Pieron dhe Amaurin. Të gjithë në fushë, por nuk ka mjaftuar. Në Londër ka humbur edhe Juventusi, ashtu siç kishte bërë edhe Roma një natë më parë. Londinezët duhet të kenë krijuar një ide: këta italianët nuk janë kushedi se çfarë. Buffon nuk është dakord: “Kam parë vetëm ndeshjen e Interit. Manchesteri është një ekip i fortë. Mendoj se Juvja ka treguar se nuk ka asgjë më pak se Chelsea. Sigurisht, nuk kemi bërë asnjë gol në tre ndeshjet e fundit që kemi zhvilluar kundër ekipeve angleze, por dy nga këto tre ndeshje janë luajtur në transfertë. Dhe në fund kemi më shumë mundësi të kalojmë ne edhe Roma”. Këtë teori e mbështet edhe adminstratori i deleguar i bardhezinjve Blanc: “Më mirë do të shkojë pjesa e dytë. Tani Anglia është në avantazh por besoj se të gjithë ekipet italiane mund ta kthejnë rezultatin”. 3000 tifozët e Juventusit kanë duartrokitur edhe në fund të ndeshjes. Fishkëllimat kanë ardhur vetëm kur Abramovich ka përshkuar fushën me Bonon e grupit muzikuor U2. Pas dy javësh sfida do të rizhvillohet. Në Torino shpresojnë....

Nedved-Juventus, lamtumira në qershor


Mesfushori çek vendos të tërhiqet nga futbolli: Ka ardhur momenti t’ua lë vendin të rinjve

Pavel Nedved dhe Juvja. Një lamtumirë që po aforhet gjitnjë edhe më shumë ajo midis lojtarit çek dhe “Zonjës së Vjetër”. Në fund të sezonit 37 vjeçari do të thotë stop, duke u larguar nga futbolli i lujatur dhe pas 13 viteve të kaluara në Itali, në fillim tek Lazio, më pas në Torino. Vitin e kaluar ka ardhur dhe rinovimi i fundit i kontratës, që është pasuar nga shumë zëra për një zgjatje një vjeçare për sezonin 2009/10, të mohuar menjëherë nga agjenti i tij, Raiola. “Unë do të largohem në fund të këtij sezoni, sido që të përfundojë Championsi dhe kampionati. Tashmë kam vendosur. Nuk besoj se do të ndryshoj mendim. Nuk është nevoja për këtë, ka ardhur momenti i duhur”. Kështu, pas dy javësh, Nedved do të provojë kundër Chelseat të ndjekë atë ëndërr që prej shumë kohësh kërkon ta kthejë në realitet, dhe që deri tani nuk ka arritur asnjë herë ta bëjë të tijën, Champions Leaguen. Një objektiv jo shumë i lehtë pas humbjes që ka pësuar Juventusi nkundër londinezëve, por që për Pavelin vlen shumë, tepër. Dhe pikërisht në përfundim të ndeshjes mesfushori juventin ka shpjeguar: “Po argëtohem shumë, por besoj se në aspektin psikologjik dhe fizik i duhet lënë hapësirë të rinjve. Meritojnë të luajnë. Ndoshta kujtoni se unë jam akoma i ri, por unë jam pothuajse 37 vejç dhe mendoj me të vërtetë se ky është momenti i duhur për t’u larguar”. Më pas ka shtuar: “Do të më pëlqente ta mbyllja karrierën time me një fitore në Champions League”. Pikërisht, sepse kupa me veshët e mëdha është një trofe që mungon në koleksionin personal të lojtarit çek, i aftë të fitojë shumë në fillim në vendin e tij, më pas në Itali. Kampionate tek Lazio, tek Juventusi (përfshi këtu edhe ata që më pas i janë hequr pas ‘Calciopolit’). Nedved ka qenë një nga 5 kampionët bardhezi (me Del Pieron, Trezeguet, Camoranesin dhe Buffon) që në vitin 2006-të ka vendosur të qëndrojë në Torino pavarësisht rënies në serinë B. Në karrierën e tij, edhe një triumf personal, Topi i Artë, i fituar në 2003-in. Ndërkohë nuk ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë pasi të heqë përfundimisht fanellën e Juventusit: “Gjithmonë i kam marrë vendimet në fund të sezonit në bazë të gjendjes sime fizike. Ndërsa tani kam vendosur para kohe sepse ishte diçka që e ndieja. Kam folur shumë me gruan time dhe e kemi marrë këtë vendim bashkë. Edhe ajo është pak e lodhur dhe unë duhet t’ja shpërblej familjes sime, duhet të rri më shumë me ta. Nuk kam folur për një pozicion si drejtues i Juves. Për momentin nuk kam menduar për të ardhmen time. Tani mendoj vetëm për tre muajt gjatë të cilëve duhet të jap maksimumin”, ka thënë Nedved....

Ranieri beson: E vështirë, jo e pamundur

Claudio Ranieri mendon që tani për ndeshjen e kthimit ku Juventusi do të duhet të përmbysë rezultatin e “Stamford Bridge''. “Pas dy javësh duhet të bëjmë ndeshjen perfekte, - ka thënë trajneri -, të bëjmë të paktën një gol dhe të mos pësojmë asnjë. Në Londër nuk kemi arritur të shënojmë, por tani na takon ne të kontrollojmë ndeshjen dhe t’i vëmë ata nën presion. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur, e dimë që mund të fitojmë”. Në lidhje me humbjen, Ranieri, ka dhënë shpjegimin e tij: “Donim t’i hiqnim iniciativën Chelseat, por e kemi filluar keq ndeshjen, si në Palermo. Jemi përpjekur t’i dominojmë në shpejtësi, por nuk kemi arritur. Shpresojmë të bëjmë më mirë pas dy javësh. Duhet të luftojmë deri në sekondën e fundit”, ka përfunduar tekniku bardhezi....

Del Piero ngushëllohet në fund me “U2″

Alessandro Del Pieros nuk i kanë mjaftuar komplimentat e Hiddink dhe vetëdija se Juventusi ka luajtur më mirë se Chelsea në pjesën e dytë. “Eshtë një ngushëllim i vogël, - ka thënë kapiteni bardhezi. Ndoshta meritonim barazimin. Por në Torino duhet të bëjmë diçka më shumë”. Ndrëkohë në përfundim të ndeshjes, Del Piero, ka pasur një surprizë të këndshme në dhomat e zhveshjes. Në fakt, gjatë sfidës midis Chelseat dhe Juventusit, në tribunë, miq të Abramovichit, kanë qenë pjesëtarët e grupit legjendar U2. Në mbarim të takimit, solisti Bono dhe kitarristi “The Edge”, kanë shkuar në dhomat e zhveshjes të Juves për të përshëndetur Del Pieron dhe lojtarët e tjerë. Një ngushëllim i vogël pas një nate që nuk ka shkuar shumë mirë për skuadrën bardhezi.

Malouda: Dua të luaj për Juventusin

Florent Malouda ka shprehur dëshirën e tij për t’u transferuar te skuadra kundërshtare e Chelseat në Ligën e Kampionëve, Juventus. Anësori i Bluve e ka të vështirë të gjejë vend në formacionin bazë të Chelseat, prandaj është shprehur i hapur për t’u larguar nga Stamford Bridge. “Kam dëgjuar spekulime se Juventusi më dëshiron mua dhe nuk mund të shtirem se nuk jam i interesuar”. “Juve është nj skuadër e madhe, por e tillë është edhe Chelsea, dhe aktualisht jemi rivalë”. “Duhet të presim së paku deri sa të kryhet edhe ndeshja kthyese, pastaj do të shohim. Janë edhe katër muaj kohë për të menduar për këtë gjë. Mirëpo nuk e mohoj se do të më pëlqente të luaja atje’, ka thënë Malouda për “Tuttosport”.

Del Piero: Ne do të vazhdojmë tutje

Legjenda e Juventusit dhe Italisë, Alessandro Del Piero, e ka paralajmëruar Chelsean se është kryer vetëm gjysma e përballjes ndërmjet tyre dhe se Zonja e Vjetër do t’i eliminojë ata në ndeshjen kthyese në Torino. Juventus është mposhtur të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge nga Chelsea me rezultat minimal prej 1-0, edhe pse bardhezinjtë treguan lojë të mirë. “Po kthehemi nga kjo sfidë me një kënaqësi të vogël, sepse e merituam barazimin. Sido që të jetë, ndeshjen e kthimit do ta fillojmë me disavantazh, mirëpo në Torino duhet të bëjmë diçka më shumë”. “Chelsea është një skuadër e madhe dhe ata e treguan këtë. Kemi respekt të madh ndaj tyre, por unë besoj se ne i kemi mundësitë për të vazhduar tutje, nëse luajmë lojën tonë”. “Dënimi në mendjet tona mund të jetë arma jonë sekrete”, është cituar të ketë thënë ikona e Juves për “The Sun”.

Buffon e Ranieri: Meritonim barazimin

Portieri i skuadrës së Juventusit, Gianluigi Buffon, është shumë i zhgënjyer nga përfundimi i takimit të mbrëmjes së djeshme, jo prej lojës së zhvilluar nga skuadra, por vetëm për faktin e rezultatit “gënjeshtar”. “Për 75 minuta me radhë e kemi kontrolluar ne lojën dhe më vjen shumë keq që ishim të pafat në moskonkretizimin e barazimit. Sigurisht, që në bazë të kualiteteve anglezët janë disi më lart se ne, por loja ishte shumë e balancuar dhe ne gabuam vetëm në minutat e para. Didier Drogba? Në momentin e golit ishte më shumë me fat, sesa i zoti. Topi i goditur prej tij fatkeqësisht për ne u përplas në tokë dhe vetëm kështu mundi të më mposhte, pasi besoj se e kisha mbuluar mjaft mirë pasqyrën e portës. Nuk mërzitem aq për golin, sesa për fatin e keq që na shoqëroi në këtë përballje, por mendoj dhe jam i bindur se nëse shfaqim të njëjtën grintë edhe në ndeshjen e kthimit, Chelsea duhet të fillojë të shqetësohet që tani”, ka deklaruar portieri i Juventusit. I të njëjtit mendim me të është edhe Claudio Ranieri. “Në ndeshjen e kthimit duhet të luajmë një ndeshje perfekte, në qoftë se duam të kalojmë. Pas paraqitjes së sotme (dje), lojtarët janë të bindur mbi kualifikimin, ndaj na mbetet vetëm të presim ndeshjen e Torinos”.

“Mund ta eliminojmë Chelsean”. Hiddink është dakord me të...

“Dalim shumë të zhgënjyer nga kjo përballje, pasi e meritonim plotësisht barazimin. Nga kjo ndeshje mund të kënaqemi vetëm me paraqitjen tonë të shkëlqyer. Megjithatë në Torino jemi të ndërgjegjshëm që duhet të bëjmë edhe diçka më shumë se sot (dje), - shprehet pas ndeshjes kapiteni juventin, Alessandro Del Piero. – Chelsea është një skuadër madhështore dhe ndaj nesh e tregoi, sepse diti të shtyjë sulmet tona për 75 minuta me radhë. Optimizmi ynë mbi kualifikimin ndaj Chelseat do të jetë arma jonë më e fortë. Hera ime e parë në ‘Stamford Bridge’? Atmosfera qe fantastike. Ishte shumë bukur të luaje këtu”, përfundon kapiteni. Edhe Guus Hiddink, trajneri i Chelseat, është dakord me numrin 10 juventin. “Nëse Juventusi beson ende te kualifikimi, ka shumë të drejtë, sepse me paraqitjen e dobët të zhvilluar nga ne përpara tifozëve tanë, në Torino mund të ndodhë çdo gjë. Atje Juventusi niset i favorizuar, por ne duhet të bëjmë shumë herë më shumë se sot (dje) për të kaluar në turin e ardhshëm”, tha tekniku holandez.

Juve do të takohet me Diegon

Drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm të takohen me mesfushorin e talentuar Werder Bremenit, Diego, i cili është në Milano për ndeshjen e Kupës UEFA kundër Milanit.“Tuttosport” njofton se Juventusi ka caktuar një takim me babanë e Diegos, i cili është agjenti i tij, dhe mësohet se ata do të bisedojnë për mënyrën se si ta sjellin brazilianin në Torino. Djair da Cunha do të jetë në San Siro për ta përcjellë djalin e tij në takimin e të enjtes mbrëma kundër Rossonerëve dhe pastaj do të takohet me drejtuesit e skuadrës bardhezi. Zonja e Vjetër është e gatshme të paguajë 18 milionë euro për ta transferuar Diegon, ndërsa pritet që Werderi ta pranojë këtë ofertë.

Juventusi, 18 milione per Diegon e Werderit

Juventusi ka rritur ofertën për Diegon. Pasi Werder Bremen, nga sa bëhet e ditur nga e përditshmja gjermane “Bild”, ka refuzuar një ofertë të parë të bardhezinjve, tani ka ardhur oferta e re e Juves: 18 milion euro plus disa bonuse, që mund të jepen në vazhdim në dy mënyra. E para do të varet nga arritja e objektivave: fitore në Champions, kampionat, Kupën e Italisë ose thjesht kualifikim në Champions. E njëjta formulë, kjo e shpërblimeve në bazë të objektivave të arritur, është përdorur për transferimin e Sissokos nga Liverpooli. Zgjidhja e dytë konsiston në një përqindje të shumës, që do të përfitohet në rastin e një shitjeje të mundshme në të ardhmen të Diegos në një skuadër tjetër, duke parë se fantazisti brazilian është vetëm 24 vjeç. Zgjidhje kjo që është ndjekur më parë nga Paris St. Germeni kur ka shitur Ronaldinhon tek Barcelona ose nga San Paolo për transferimin e Kaka's tek Milani. Me këtë ofertë Juventusi shpreson të bindë Werder Bremenin dhe të lërë pas kështu konkurrencën e Realit të Madridit dhe Manchester Unaitedit.Në fund kemi të bëjmë me një shifër që shkon afër 22-23 milionëve të kërkuar nga klubi gjerman për të lënë të lirë numrin 10, të cilit i skadon kontrata në vitin 2011-të. Për momentin ka ardhur oferta. Nëse do të pranohet, negociatat me Bremen do të fillojnë vetëm nga fundi i marsit. Për momentin klub gjerman, që ndodhet në vendin e 11-të në Bundesligë, nuk ka ndërmend të fillojë operacione zyrtare të merkatos. Një gjë është e sigurt: Werderi e ka kuptuar se Diego kërkon një skuadër të madhe. Edhe për këtë do të donte që lojtari ta bënte publike këtë dëshirë. Diego duket se i ka rrëfyer miqve të ngushtë se ëndrra e tij është të luajë me Del Pieron. Ndërkohë, të enjten Giacomo Petrallitto, agjenti i Italisë në çështjen Diego, do të jetë në Milano për Milan-Werder. Ndoshta pret një telefonatë nga Alessio Secco.

Nedved konfirmon pensionimin

Mesfushori legjendar i Juventusit, Pavel Nedved, ka njoftuar se ai ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist aktiv në fund të këtij sezoni. “Do të tërhiqem në fund të sezonit, pavarësisht suksesit tonë në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve”. “E kam marrë këtë vendim dhe kështu do të veproj. Nuk mendoj se do të ndryshoj mendje. Mendoj se ky është momenti më i mirë për t’u pensionuar”. “Po ia kaloj shumë mirë, por ka ardhur koha që të lëshoj vend për lojtarët e rinj. Ata meritojnë të luajnë. Ndoshta mendoni se jam ende i ri, por unë jam 37-vjeçar dhe vërtet mendoj se ka ardhur koha të tërhiqem”. “Dëshiroj të jap maksimumin tim në këto tre muajt e mbetur dhe shpresoj ta përfundoj karrierën me titullin e Ligës së Kampionëve”, ka përfunduar ‘Furia çeke’.

Lampard: E rëndësishme ishte që nuk pranuam gol

Mesfushori anglez Frank Lampard është tepër i kënaqur nga fitorja e Chelseat edhe pse pranon se blutë nuk e luajtën të gjithë ndeshjen në mënyrën më të mirë. “Krijuam mjaft raste dhe shënuam një gol, por me rëndësi është se nuk pranuam gol në shtëpi. Juve është një ekip i klasit. E kaluam fazën e grupeve dhe tash secili ekip që do të përballemi mund të na shkaktojë probleme”, ka thënë Lampard. “Është mirë që nuk pranuam gol, tash kemi shans që t’u shkaktojmë probleme në fushën e tyre. Nuk luajtëm aq mirë në gjithë ndeshjen, por ishim të qëndrueshëm dhe arritëm tek një rezultat pozitiv”. “Kishte momente kur luajtëm shumë mirë. Filluam shkëlqyeshëm, por kjo nuk ishte kështu gjatë gjithë ndeshjes”, ka shtuar anglezi.

Ranieri beson se Juve do të kualifikohet

Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, thotë se biankonerët do të hakmerren ndaj Chelseat në ndeshjen e kthimit dhe do të arrijnë të kualifikohen për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. “Nuk filluam mirë. Në 15 minutat e para kishim problem për ta zhvilluar lojën tonë. Por djelmoshat janë të bindur se në ndeshjen e kthimit do të luajmë një ndeshje perfekte. Do të preferoja të kishim luajtur jo edhe aq, por të shënonim”, ka thënë Ranieri. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por jemi të bindur se do të fitojmë”, shton italiani, i cili mbrëmë u prit me duartrokitje nga tifozët e ish-ekipit të tij, Chelseat. “Ishte e habitshme. Të rikthehem dhe të fitoj duartrokitje, do të thotë se kam punuar mirë dhe tifozët nuk e kanë harruar atë”, ka shtuar Ranieri.

Drogba dënon Juventusin


Takimi i parë i 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve, i zhvilluar ndërmjet Chelseat dhe Juventusit në Stamfrod Bridge, ka përfunduar me rezultat minimal prej 1-0 në favor të vendasve. Blutë e filluan furishëm takimin duke arritur të kalojnë në epërsi që në minutat e para të ndeshjes (12’), ndërsa golashënues ishte Didier Drogba, i cili iu shmang mbrojtjes juventine, dhe pastaj e mposhti portierin Gigi Buffon. Në fillim të ndeshjes mysafirët nga Torino e patën të vështirë të adaptoheshin në fushë, porse kah fundi i pjesës së parë dhe në pjesën e dytë ishin skuadër më dominuese. Megjithatë, mesfushorët dhe sulmuesit nuk arrinin t’i lidhnin aksionet e tyre. Përkundër disa rasteve dhe presionit të shkaktuar, sidomos në njëzet minutat e fundit të takimit, Zonja e Vjetër nuk arriti ta barazonte rezultatin dhe të shënonte një gol në terren mysafir, gjë që do t’i ndihmonte shumë. Chelsea ka shënuar një fitore të mençur, duke shënuar vetëm një gol, por duke mos pranuar gol në fushën e vet, që do t’i ndihmojë në ndeshjen e kthimit që luhet në Torino pas dy javësh.

Të dhëna rreth ndeshjes: CHELSEA-JUVENTUS 1-0 (1-0).
Golashënues: 12’ pt Drogba.
CHELSEA: Cech; Bosingwa, Alex, Terry, Cole; Lampard, Mikel, Ballack (81’ Mancienne); Kalou (71’ Malouda), Drogba, Anelka. Në dispozicion: Hilario, Ivanovic, Ferreira, Stoch, Di Santo. Trajner Hiddink.
JUVENTUS: Buffon; Mellberg, Legrottaglie, Chiellini, Molinaro; Camoranesi (51’ Marchionni), Sissoko (86’ Trezeguet), Tiago (61’ Marchisio), Nedved; Del Piero, Amauri. Në dispozicion: Manninger, Grygera, Poulsen, Iaquinta. Trajner Ranieri.
Gjyqtar kryesor: Benquerença nga Portugalia.
Karton të verdhë: 51’ Molinaro, 57’ Ballack, 82’ Sissoko, 90’ Marchisio.

Video rreth ndeshjes

Camoranesi: Juve duhet të luajë sikur kundër Realit

Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, Juventusi e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të sezonit kundër Chelseat për 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa i rikthyeri nga lëndimi, Mauro Camoranesi, thotë se Juve duhet të jetë në formë sikur në përballjet kundër Real Madridit gjatë fazës grupore. “Duhet të luajmë sikur luajtëm kundër Real Madridit. Mendoj se ka momente kur kemi luajtur mirë dhe ka momente kur luajmë keq”. “Ndërsa kohët e fundit e kemi rikthyer sërish formën dhe dëshiroj që të jemi në momentin tonë më të mirë në përballjen e sotme”, ka thënë anësori i Juves për “La Gazzetta dello Sport”.

Petr Cech 200 ndeshje me fanellën londineze

Në përballjen e mbrëmjes së sotme me Juventusin, portieri çek i Chelseat do të festojë 200 prezencat e tij me fanellën e bluve të Londrës. Gjithsesi, më shumë sesa te ndeshjet e tij me Chelsean, ai është i përqendruar tek përballja e vështirë me bardhezinjtë. “Sigurisht që 200 ndeshje të zhvilluara me një skuadër të madhe si Chelsea janë një arritje e madhe për këdo, por unë shpresoj që me këtë fanellë të luaj edhe 200 të tjera. Jam mjaft i përqendruar për t’u paraqitur mirë në sfidën e nesërme (sot) kundër juventinëve italianë, pasi do të jetë padyshim një përballje tepër e fortë. I njohim cilësitë e Juventusit, ndonëse shumë thonë se ne jemi të favorizuar. Në këtë kompeticion nuk ka skuadra favorite, prandaj çdo kundërshtar vlerësohet në mënyrë të njëjtë. Kjo sfidë përfaqëson një finale për ne, e sigurisht që nuk duam t’i zhgënjejmë tifozët tanë, të cilët do të na mbështesin”.

Di Matteo: Kujdes nga Del Piero!

Roberto Di Matteo, mesfushori italian, i cili pjesën më të madhe e më të suksesshme të karrierës së tij e ka kaluar në radhët e formacionit të Chelseat, së bashku me Gianfranco Zolan, paralajmëron për kujdes ish-skuadrën e tij. “Juventusi mund të jetë skuadra që ka kaluar shumë vështirësi në vitet e fundit, por ‘Zonja e Vjetër’ mbetet gjithnjë ‘Zonja e Vjetër’. Ata janë mjaft të uritur për suksese, kështu që Chelsea duhet t’i vlerësojë maksimalisht bardhezinjtë. Kanë rikuperuar nga dëmtimet lojtarët më të rëndësishëm dhe ndeshje pas ndeshjeje, skuadra e Ranierit po fiton besim në forcat e saj. Nga ana tjetër, në radhët e tyre është një si Alessandro Del Piero që nuk plaket kurrë. Është ai lojtari më i rrezikshëm për Chelsean, pasi Del Piero mund të jetë vrasës nga goditjet e dënimit. Deri tani ka shënuar katër gola, nga të cilët tre me goditje dënimi, kështu që...”, nënvizon Di Matteo.

Braziliani ka besim në forcën e grupit juventin

Carvalho de Oliveira Amauri është shprehur me tone euforie në vigjilje të sfidës së Ligës së Kampioneve me Chelsean: “Do të jetë e vështirë, por ne do të provojmë të fitojmë, pasi besojmë në forcën tonë. Jemi të karikuar për të bërë më të mirën në një kompeticion shumë të rëndësishëm si ky. Është e kotë të mendojmë se ne, ashtu si Chelsea jemi skuadra që nuk po kalojmë një formë të mirë si rrjedhojë e rezultateve dhe paraqitjeve jo shumë të mira në javët e fundit në kampionat, pasi Liga e Kampioneve është krejtësisht tjetër gjë. Këtu çdo gjë fillon nga e para, nuk ka barriera, nuk ka llogari, nuk ka favoritë, por të gjithë hyjnë në fushë me objektivin e vetëm për të marrë fitoren. Ne besojmë tek ajo, shpresoj që të jem në formacionin titullar dhe ëndërroj një gol, pse jo vendimtar në “Stamford Bridge”, sepse sigurisht kjo ndaj Chelsea, është ndeshja ime më e rëndësishme me Juventusin”, tha Amauri.

“Kur mendoj ku ishim tri vite më parë, më dridhen këmbët”

“Kur mendoj se ku ndodheshim tri vite më parë, më dridhen këmbët, ndërsa tani më duhet të luajmë 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve kundër Chelseat”. Nicola Legrottaglie shpreh emocionet e tij në prag të përballjes londineze, emocione që Juventusi ka tri vite që pret t’i shijojë. “Seria B ka qenë një makth për të gjithë ne, ndërkohë që tani kemi rastin të bëjmë diçka të madhe për tifozët tanë. Ashtu si Buffon, edhe unë e kam shprehur që në fillim të sezonit se, ne jemi një skuadër e pajisur më shumë për Ligën e Kampioneve sesa për kampionatin. Duam të magjepsin në Evropë, pasi jemi të bindur se mund të përballemi si të barabartë me cilindo kundërshtar. Chelsea është një skuadër shumë e madhe, e mbushur me kampionë, dhe padyshim që do të na vërë shumë në vështirësi, por nga ana tjetër, edhe ne do t’u kundërpërgjigjemi me sulmuesit tanë”, përfundon Legrottaglie.

Del Piero-Amauri, titullarë


Sot në mbrëmje në “Stamford Bridge”, në sulmin juventin do të rikthehet dyshja Del Piero Amauri, ose të paktën këto janë informacionet që vijnë nga stërvitja e fundit e bardhezinjve. Dyshja sulmuese juventine, që ka bërë një punë të shkëlqyer deri në këtë fazë të sezonit, rikthehet të luajë së bashku pas transfertës palermitane në Serinë A, ku sulmi formohej nga Iaquinta – Trezeguet, të cilët do të jenë të gatshëm për Claudio Ranierin në pankinë.

Claudio Ranieri nuk firmos për barazimin

Juventusi nuk do të shkojë në Londër me synimin për të marrë një barazim, ose të paktën kjo është ajo çfarë lihet të kuptohet nga fjalët e shprehura nga trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, në konferencën për shtyp në prag të kësaj përballjeje. “Mund të kujtojmë se nuk kemi qenë shumë fatlumë nga shorti i 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Në grup mundëm Realin në të dyja përballjet direkte, mbyllën fazën e grupeve në vendin e parë dhe si përfundim, në këtë tur të këtij kompeticioni gjetëm përballë Chelsean, një ndër skuadrat më të forta në botë. Fati nuk ka qenë në anën tonë, por gjithsesi tashmë nuk është koha të ndalemi në një aspekt të këtillë. Duhet ta përballojmë këtë ndeshje me maksimumin e forcave tona, pasi sigurisht që nëse kualifikohemi, e ardhmja jonë në Ligën e Kampioneve mund të jetë madhështore. Pikërisht për këtë arsye nuk kemi ardhur në Londër për të marrë një barazim, por duam të luajmë deri në fund shanset tonë për kualifikim”, shprehet Claudio Ranieri. Trajneri i Juventusit nuk kërkon të tregohet arrogant, por thjesht ka besim në lojtarët e tij. Respekti për Chelsean, ish-skuadrën e tij është ende i madh, i paprekur më saktë: “Skuadra e Hiddink është favorite për kualifikimin e këtij raundi, pasi duhet të mos harrojmë se vitin e kaluar duhet të fitonte këtë kompeticion, por ishte shumë e pafat nga pika e njëmbëdhjetëmetërshave. Realisht e kisha studiuar mirë Chelsean e Scolarit, por tani që në vend të tij ka mbërritur Hiddink, skuadra më duket shumë më e motivuar dhe kjo më frikëson pak. Gjithsesi, edhe ne nga ana tjetër kemi rikuperuar disa lojtarë të rëndësishëm, si Tiago, Buffon, Camoranesi dhe Trezeguet dhe kjo gjë më bën shumë optimist. E rëndësishme për ne në këtë sfidë do të jetë të mos pësojmë gol dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë ne në sulm. Amuri apo Trezeguet? Nuk kam vendosur ende mbi formacionin, ndonëse braziliani niset i favorizuar për vendin e titullarit. Gjithsesi, e rëndësishme është që i kam të gjithë sulmuesit në dispozicion”, përfundoi Ranieri.

Mbrojtësi, i sigurt për fitoren

Ashley Cole, mbrojtësi i Chelseat, ndjen se mbërritja e Guus Hiddinkut në krye të stolit i ka dhënë mjaft besim në vetvete skuadrës. Fitorja e fundit në kampionat, në transfertën e vështirë me Aston Villën, është një faktor që konfirmon një gjë të tillë, por Cole premton se me atë sukses në “Villa Park”, Chelsea ka startuar një rrugë të gjatë fitoresh. “E kemi nisur mjaft mirë sezonin, por në javët e fundit kemi lëshuar mjaft. Gjithsesi, atmosfera në skuadër ka ndryshuar shumë me mbërritjen e Hiddinkut dhe të gjithë ndihemi si të rilindur. Jemi të etur për fitore dhe besojmë në objektivat tanë sezonalë. Ndaj Aston Vilës morën një fitore të rëndësishme, dhe të njëjtën gjë presim të bëjmë edhe ndaj Juventusit”, ka thënë mbrojtësi Cole.

“Dua spektakël dhe një fitore bindëse”

Përpara ndeshjes me Juventusin, trajneri i Chelseat, Guus Hiddink, zbuloi se synimi që i ka vënë vetes në këtë sezon është t’i dhurojë Roman Abramovichit trofeun e ëndërruar prej shumë kohësh, atë të Ligës së Kampioneve. Në ndeshjen e parë të tij në “Stemford Bridge” si trajner i “bluve”, holandezi kërkon që të lërë përshtypjet më të mira te tifozët, të cilët do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit, për të parë ndeshjen kundër Juventusit. Pas katër gjysmëfinaleve në pesë sezonet e fundit dhe finales së trishtueshme të Moskës, Hiddink e di shumë mirë se çfarë e lumturon pronarin e klubit, ndaj mendon se ëndrra për fitimin e Ligës së Kampioneve duhet të kthehet në realitet. Aktualisht në Premier Ligë, Chelsea ndodhet 10 pikë larg Manchester United dhe shpresat për titull janë të pakta, ndaj dhe përqendrimi i teknikut është vetëm te Liga e Kampioneve, një fitore me të cilën do të justifikojë shpenzimet dhe dy sezonet të fundit pa trofe për “blutë”. “Ashtu si për një futbollist të ri, edhe për një trajner të ri është ëndërr të mbajë në dorë trofeun e Ligës së Kampioneve. Si lojtar, kam pasur fatin të ngre lart kupën Ligës së Kampioneve dhe të them të drejtën ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua. Por, ëndrra ime mbetet sërish ai trofe, kësaj radhe në rolin e trajnerit të një klubi. Kam shansin se shumica e skuadrës sime kanë eksperiencë në Ligën e Kampioneve. Kjo do të na e lehtësojë akoma më shumë punën. Normale që është një betejë e gjatë deri në fund, sepse përballë kemi skuadra të forta, megjithatë shpresoj deri te finalja. Përballjen me Juventusin e parashikoj si tepër delikate dhe se duhet të tregojmë kujdes të madh për të siguruar kualifikimin. Sot në mbrëmje dua prej lojtarëve që të bindin me lojën e tyre, sepse nuk më pëlqen futbolli pa spektakël. Jam partizan i fitoreve të bukura”, shpjegoi Guus Hiddink.

Hiddink: Ranieri është një xhentilmen i vërtetë

Trajneri i Chelseat, Guus Hiddink, vlerëson maksimalisht rivalin e tij të radhës, Claudio Ranierin. Holandezi shpreh respektin e tij maksimal për trajnerin e Juventusit në prag të ballafaqimit mes këtyre dy skuadrave. “Ranieri është një trajner me të vërtetë xhentilmen”, shprehet Guus Hiddink. “Do të preferoja të kasha më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur këtë sfidë, por, kjo nuk ishte e mundur - deklaron trajeri i Chelseat. Me këtë nuk dua të nxjerr pretekste. Juventusi? Është një skuadër e madhe, por, për fat të keq na u desh të përballeshim në këtë tur”.

“Unë, te Chelsea falë Claudio Ranierit”


Ajo e nesërmja në “Stamford Bridge” nuk do të jetë aspak një mbrëmje normale për Claudio Ranierin. Janë të shumta kujtimet e tij në radhët e “bluve” të Londrës, aq sa është e pamundur për të mos u prekur nga emocionet e kësaj përballjeje. Gjithsesi, përveç tifozëve të Chelseat, ende të dashuruar me trajnerin Ranierin, si rrjedhojë e sjelljes së tij shumë britanike, do të jenë edhe lojtarët londinezë, që do të nderojnë ish-teknikun e tyre. Njëri prej tyre, tashmë e ka konkretizuar një gjë të tillë, nëpërmjet të përditshmes birtanike, “Daily Telegraph”. Bëhet fjalë për Frank Lampard, i cili ia atribuon Claudio Ranierit karrierën e tij të suksesshme në radhët e skuadrës së Roman Abramovichit: “E adhuroj atë, sepse nëse nuk do të kishte qenë për Ranierin, unë nuk do të ndodhesha sot te Chelsea. Ishte ai që nguli këmbë për mua që të vishja këtë fanellë, më ndihmoi të përmirësohesha, më tregoi se ekziston një tjetër lloj loje, - tregon mesfushori “i bluve”. - Kur në radhët e West Hamit isha thjesht një djalosh me një të ardhme të bukur, e kisha horizontin e mbyllur dhe sigurisht që nuk dija sesi jetonte një profesionist. Ranieri më solli në Londër dhe më ka gjithçka mbi futbollin dhe e falënderoj, për mënyrën sesi më ka ndihmuar me karrierën time”. Përveç Lampardit, nga mirësia e Claudio Ranierit ka përfituar edhe John Terry: “Ai pati kurajën t’i dhuronte Johnit fashën e kapitenit të Chelseat, ndonëse në atë periudhë ai ishte vetëm një adoleshent. Gjithashtu, solli në radhët tona dy ndër shtyllat kryesore të skuadrës në vitet e fundit, William Gallasin dhe Petr Cech. Na drejtoi deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve dhe ka një meritë të madhe në atë që ne kemi arritur në vitet e më pasme. Në këtë mënyrë, nuk ka njeri në këtë skuadër që të flasë keq për Ranierin”. Pas kujtimeve të bukura me trajnerin aktual të Juventusit, Frank Lampard është shumë i kënaqur edhe nga mbërritja e fundit, Guus Hiddink. “Që në ndeshjen e tij të parë në drejtimin tonë është parë një Chelsea ndryshe, shumë i fortë, pasi mbërritja e Hiddinkut na ka bërë shumë optimistë. Ndaj Aston Villës kemi zhvilluar me të vërtetë një ndeshje të madhe, si ato të zhvilluara në sezonet tona të arta. Të njëjtën paraqitje duam të shfaqim edhe ndaj Juventusit”, përfundon mesfushori londinez.

“Trezeguet mund të jetë çelësi i suksesit bardhezi”

Didier Deschamps, i cili në karrierën e tij ka luajtur si mesfushor si për Juventusin, ashtu edhe për Chelsean, ka analizuar formën e dy skuadrave. “Do jetë një përballje me të vërtetë shumë e bukur. Juventusi është ekip më kompakt, ndërsa Chelsea më shumë teknik. Gjithsesi, jam i bindur që do jenë elementët, ata që do vendosin fatin e kësaj sfide. Juventusi ka një sulm me të vërtetë shumë të fortë, madje mund të them se nëse David Trezeguet është në formë të mirë, atëherë ai do arrijë të jetë çelësi i fitores për skuadrën e tij. Është një golashënues i vërtetë dhe me eksperiencë për përballje të tilla”, tha francezi Didier Deschpams, duke këshilluar disi edhe Claudio Ranierin.

Juventusi zbarkon në Londër për sfidën kundër Chelseat

Juventusi ka zbarkuar në tokën angleze për përballjen e nesërme me Chelsean. “Zonja e Vjetër” është nisur paradite nga Torino, dhe ka mbërritur në Londër rreth orën 13:00 (lokale). Mbërritja është vonuar një orë nga orari i parashikuar, për shkak të vonesave në nisje. Pas pak minutash, në orën 18:00, është parashikuar të mbahet konferenca e parë për shtyp. Konferenca do të mbahet nga tekniku Claudio Ranieri dhe kapiteni Alessandro Del Piero.Për kapitenin Del Piero kjo është ndeshja e 89-të në Ligën e Kampioneve. Deri tani legjenda juventine ka arritur të shënojë 43 gola në këtë kompeticion. Ndeshja mes Chelseat dhe Juventusit do të zhvillohet nesër në orën 20:45.

Buffon shfaqet optimist për Juventusin e tij


Gianluigi Buffon dëshiron të karikojë shokët e skuadrës tek Juventusi në prag të ndeshjes me Chelsean. Ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve për 1/8-at e Ligës së Kampioneve do të zhvillohet nesër në mbrëmje në Londër. “Ndeshja kundër Chelseat është me të vërtetë e madhe, dhe është një kënaqësi e veçantë që këto dy skuadra përballen në 1/8-at e Ligës së Kampioneve - deklaron portieri Buffon. Për ne është një rikthim në origjinë pjesëmarrja në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm. Shpresoj që të kalojmë turin, sepse të arrish deri në këto nivele nuk është e rëndësishme vetëm pjesëmarrja”. Kundërshtari i Juventusit, Chelsea, ka në përbërjen e vet majaft futbollistë të kalibrit të lartë, mafton të përmendësh Drogban dhe Anelkan.“Të arrish deri në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, do të thotë që ke në përbërje shumë kampionë të mëdhenj. Chelsea është njëra prej këtyre skuadrave”, deklaron Gigi Buffon. Në fund të deklaratës së tij në prag të përballjes me Chelsean, portieri i Juventusit shprehet: “Është evident fakti se në Ligën Kampioneve ekipi ynë mund të bëjë më shumë sesa në kampionat, pasi garat janë në sistemin vajtje-ardhje, dhe këtu duhet të tregosh karakter dhe kurajo për të triumfuar”.

Legrottaglie: Juve do të shkëlqejë kundër Chelseat

Qendërmbrojtësi i Juventusit, Nicola Legrottaglie, pranon se është shumë i emocionuar para ndeshjes kundër Chelseat, e cila do të zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge, duke shtuar se skuadra e tij do të shkëlqejë në Ligën e Kampionëve. “Të gjithë e kemi pritur një ndeshje të këtillë me vite dhe e di se Juventusi do të shkëlqejë në Evropë”. “Do të ishte mirë sikur të mos pësonim asnjë gol në Londër dhe të shënonim një në portën e tyre”. “Nëse hymë në fushë me të njëjtin motivim sikurse në Bernabeu, atëherë mendoj se mund ta mposhtim çdo skuadër”, ka thënë Legrottaglie për “La Gazzetta Dello Sport”.

Vialli: Kundërsulmet mund ta dënojnë Chelsean

Sulmuesi i dikurshëm i Juventusit, Gianluca Vialli, beson se së paku dy nga skuadrat italiane do të kualifikohen për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ndërsa njëra nga ato është Juventusi. Të martën mbrëma fillon beteja anglo-italiane e Ligës së Kampionëve. Sonte në Giuseppe Meazza do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Interit dhe Manchester Unitedit, ndërsa Roma do të jetë mysafir i Arsenalit në Emirates. “Mendoj se ne (italianët) do të fitojmë 2-1. Mendoj që Manchester Unitedi është në formë më të mirë se Interi, mirëpo ata kanë mbrojtës të lënduar, ndërsa sulmi i Interit është i rrezikshëm”. “Pres që përballja Arsenal-Roma të jetë më interesantja nga të gjitha tjerat. Spalleti ka disa probleme në mbrojtje, ndërsa Wenger do të luajë pa Cesc Fabregasin dhe Emmanuel Adebayorin, të cilët e kanë vlerën e njëjtë sikurse De Rossi dhe Totti për Romën”. Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge takohen Chelsea dhe Juventusi, ndërsa Vialli mendon se arma e Juves do të jenë kundërsulmet. “Jam i kënaqur se pas përfundimit të ndeshjes, do të më jepet mundësia t’i ngacmoj, ose miqtë e mi italianë ose miqtë e mi anglezë”. “Chelsea është favorit në letër, mirëpo mua më pëlqeu fitorja e fundit e Juves kundër Palermos, dhe mendoj se kundërsulmet e tyre mund ta dëmtojnë seriozisht Chelsean”, ka përfunduar Vialli për “La Gazzetta dello Sport”.

Boniek: Del Piero dhe Amauri do ta gjunjëzojnë Chelsean

Legjenda e Juventusit, Zibigniew Boniek, beson se dy sulmuesit bardhezi, Alessandro Del Piero dhe Amauri, do ta thyejnë Chelsean në Stamford Bridge të mërkurën mbrëma. “Chelsea është skuadër angleze, e cila ka shumë lojtarë të huaj. Ata luajnë lojë të ngadalshme dhe e mbajnë topin. Juve do ta ketë vështirë nëse e lejon Chelsean ta luajë lojën e vet”. “Megjithatë, Juventusi ka lojtarë të mirë dhe mendoj se Amauri dhe Del Piero do të jenë thelbësor në ndeshjen në Londër”. “Juve dhe Roma i kanë shanset e barabarta përballë kundërshtarëve të tyre anglezë, ndërsa Interi e ka shumë të vështirë, pasi që përballë e ka skuadrën e fuqishme të Manchester Unitedit”, ka thënë Boniek për “La Gazzetta Dello Sport”.

Sacchi këshillon Ranierin: Jo vetëm mbrojtje

Ish-trajneri i Italisë, Arrigo Sacchi, i ka sugjeruar Ranierit të heqë dorë nga loja mbrojtëse nëse do të mundë Chelsean. Trajneri juventin është konsideruar gjithmonë nga Sacchi si profeti i lojës mbrojtëse. “Të mendosh më shumë për t’u mbrojtur dhe më pas të shfrytëzosh kundërsulmin mund të mos mjaftojë kundër rivalëve me cilësi të mëdha teknike si Anelka, Ballack, Drogba, Lampard dhe të tjerë. Juventusi duhet të jetë më shumë skuadër, të ketë më shumë lojtarë të gatshëm në momentet që do të zotërojë topin për të shfrytëzuar ritmin dhe shpejtësinë, që Chelsea i zotëron vetëm pjesërisht”, ka thënë ish-trajneri i Milanit.

Ranieri grumbullon edhe Salihamidzicin

Janë njëzetenjë lojtarët e grumbulluar nga trajneri Claudio Ranieri për transfertën e Londrës, ku sot në mbrëmje Juventusi do të përballet me Chelsean në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions Ligës. Do të jetë i njëjti grup lojtarësh që ka fituar të shtunën e kaluar kundër Palermos, të cilit i është shtuar vetëm Salihamidzic, grumbullimi i parë për të në 2009-ën. Ndërkohë që janë në përmirësim e sipër Zebina dhe Knezevic, të cilët stërviten rregullisht me ekipin, por nuk janë akoma gati. Në listën e të dëmtuarve qëndrojnë emrat e mbrojtësit të ri De Ceglie dhe mesfushorit Cristiano Zanetti.

Vialli: Juvja duhet të godasë me kundërsulme

Ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Italisë dhe të Juventusit të viteve 90-të. Më pas ka qenë protagonist edhe tek Chelsea, ku është transferuar në fundin e karrierës së tij. Bëhet fjalë për Gianluca Viallin, i cili ka analizuar përballjen që do të zhvillohet sot në mbrëmje midis dy ish-skuadrave të tij. Në lidhje me sfidën e Championsit Itali-Angli, ish-sulmuesi juventin, është shprehur në favor të “axurrëve”. “Unë them se do të përfundojë 2-1 për ne. Sepse ne e konsiderojmë futbollin një punë të mirëfilltë, ndërsa për ata ka qenë gjithmonë një lojë. Edhe pse në vitet e fundit na kanë mposhtur falë trajnerëve të huaj, të cilët kanë sjellë organizim dhe metoda më profesionale”. Por ndeshja e tij është Chelsea-Juventus. “Jam i kënaqur me këtë përballje, kështu do të mund të ngacmoj miqtë e mi anglezë ose ata italianë. Në letër Chelsea është ekipi favorit, por Juvja që kam parë të shtunën më ka pëlqyer shumë. Ka lejuar Palermon të kontrollojë lojën dhe më pas ka shfrytëzuar rastet që ka pasur. Kundër ekipeve të mëdha jep maksimumin. Nuk më është dukur në gjendje shumë të mirë fizike, por nuk e di nëse kjo ka ardhur nga gjendja e përgjithshme e skuadrës apo sepse kanë kursyer energji për ndeshjen e sotme”. Ndërkohë, sipas Viallit, kalimi i Hiddinkut tek londinezët e ka vështirësuar punën e Ranierit. “Ndikimi i Hiddinkut tek Chelsea është parë menjëherë në ndeshjen kundër Aston Villës. Mesazhi i lojtarëve ka qenë ky: nuk ishte faji ynë nëse luanim keq, pa Scolarin jemi rikthyer të fortë. Tani do të duan ta tregojnë këtë edhe në Europë. Me Scolarin do të kishte qenë e favorizuar Juvja”, ka thënë Vialli, i cili më pas ka shpjeguar edhe mënyrën se si mund të ndalet Chelsea. “Do të shohim duele fantastike: Drogba dhe Anelka kundër Legrottaglies dhe Chiellinit, nga ana tjetër Del Piero dhe Amauri kundër Terryt dhe Alexit. Mund të fitojnë mbrojtësit ndaj sulmuesve dhe në këtë pikë do të bëhej e rëndësishme lufta në mesfushë, ku Juventusi duhet të përpiqet të krijojë superioritet numerik. Do të jetë një sfidë e bukur. Të shohim çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Vialli.

Gigi Buffon: Në Champions, japim zemrën

Portieri bardhezi do të zhvillojë ndeshjen e tij të parë në Europë kundër Chelseat në këtë sezon

“Nëse jam këtu është meritë e trajnerit dhe e shokëve të ekipit, tani shpresoj t’i ndihmoj”. Gianluigi Buffon, pak para se të merrte avionin për në Londër (Juventusi ka zbarkuar në mesditën e ditës së djeshme, me një orë vonesë për shkak të mjegullës që kishte mbuluar aeroportin e Torinos) ku sot në mbrëmje do të ndeshet me Chelsean në ndeshjen e parë të 1/8 të Champions Ligës, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj skuadrës. Për portierin kjo do të jetë dhe ndeshja e parë në Europë pas dëmtimit që e ka lënë jashtë fushave deri në fillimin e këtij viti. “Kundër Chelseat, - ka vazhduar ai -, do të jetë një sfidë e rëndësishme dhe është një kënaqësi e madhe të jesh sërish i pranishëm në 1/8 e këtij kompeticioni. Për ne është një rikthim në origjinën tonë, në skenën e madhe të futbollit ndërkombëtar dhe tek ndeshjet që na takojnë. Shpresojmë të kualifikohemi, pasi kur arrin në këto nivele nuk mjafton më vetëm të marrësh pjesë”.

ATMOSFERA IDEALE - Kundër “Bluve”, Buffon do ta shohë veten përballë kampionëve të mëdhenj si Drogba dhe Anelka. “Kur arrin të kualifikohesh në 1/8 e Champions Ligës, ndeshesh gjithmonë me skuadra që kanë kampionë në çdo repart dhe Chelsea është një nga këto”. Më pas portieri i Juventusit ka analizuar paraqitjet më të mira të bërë nga ekipi i tij në Champions, ndoshta kompeticioni ideal në këtë sezon. “Po, efektivisht Juvja në Champions mund të arrijë më shumë në krahasim me kampionatin, sepse kur ka ndeshje ku duhet treguar karakteri dhe zemra, Juventusi nuk zhgënjen asnjëherë”.

EMOCIONE - “Kur kujtoj se ku isha tre vite më parë, më dridhen këmbët nëse mendoj se tani do të ndeshem me Chelsean në çerekfinale”. Nicola Legrottaglie shpreh gjithë emocionet që ndjen me rastin e sfidës së Championsit kundër londinezëve. “Të gjithë ne e presim këtë ndeshje prej tre vitesh, dhe jam i bindur se Juvja në Europë do të befasojë”. Për mbrojtësin bardhezi, objektivi më i rëndësishëm do të jetë ai i konfirmimit edhe në Europë të repartit të mbrojtjes, që është më i miri në kampionatin italian. “Në realitet, - thotë Legrottaglie -, do të ishte ideale të mos pësonim gol në Londër dhe ndoshta të shënonim një. Nëse do të futemi në fushë me të njëjtin mentalitet, që kemi pasur në “Bernabeu”, mund të përballemi me këdo”.

Juve, sulmi final për Diegon ose për Silvën


Mungojnë 100 ditë nga fundi i kampionatit, por në harkun e pak orëve, Juve mendon të zhvillojë tratativa të mëdha në lidhje me afrimin e disa futbollistëve. Komiteti sportiv i bardhezinjve ka aprovuar planin, që parashikon një investim të rëndësishëm në prag të sezonit të ardhshëm. Një goditje që vlen të paktën 20 milionë euro. Emri më i kotuar periudhën e fundit është ai i David Silvas (23 vjeç), por me gjithë krizën e rënë financiare, që po kalon Valencia, ata nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga mesfushori i majtë spanjoll. Ngelet për t’u vlerësuar situata e tij. Prandaj më shumë garanci ofron ardhja e brazilianit Diego (24 vjeç). Tashmë është verifikuar dëshira e lojtarit për të ardhur në Torino dhe Werder gjatë këtyre ditëve ka bërë të ditur se ka refuzuar një ofertë të bardhezinjve. Por rruga që të çon te Diego nuk duket e pamundur. Shumë pozicione ka fituar edhe mundësia e ardhjes së Antonio Cassanos, por më e mundshme është pista më e realizueshme e Juventusit mbetet ajo e brazilianit Diego.

e hënë, 23 shkurt 2009

[Video] Primavera: Juvja mposht Sampdorian në finale



Skuadra e të rinjve të Jueventusit ka mposhtur skuadrën e Samdporias në finalen e turneut tradicional, Viareggio me rezultatin 4-1. Golashënues i dyfishtë për Juventusin ishte sulmuesi Immobile, ndërsa nga një gol shenuan Daud (i cili është shpallur golashënuesi më i mirë i këtij turneu) si dhe një autogol i shënuar nga Perazzo. Golin e nderit për skuadrën e Sampdorias e shënoi Di Leva, nga një gjuajtje e lirë.


Të dhëna rreth ndeshjes Juventus - Sampdoria 4-1 (2-0).

Juventus (4-2-3-1): Pinsoglio, Duravia (79' Mirarchi), Ariaudo, De Paola, D'Elia, Marrone, Castiglia, Esposito (71' Rossi), Giovinco (62' Ekdal), Daud, Immobile. Në dispozicion: (Piccolo, Bamba, Alcibiade, Toukam, Pirrotta, Libertazzi). Trajner Maddaloni.
Sampdoria (3-5-2): Fiorillo, Patacchiola, Perazzo, Regini, Grieco, Muratore, Soriano, Mustacchio (59' Zamblera), Pondaco (77' Di Leva), Marilungo (71' Lamorte), Ferrari. Në dispozicion (Negretti, Leto, Zingani, Campanella, Donati, Carofiglio). Trajner Pea.
Gjyqtar kryesor: Rocchi di Firenze.
Golashënuës: 13' autogol Perazzo, 38' Immobile; 48' Daud, 87' Di Leva, 92' Immobile.
Karton të verdhë: Giovinco e Immobile per gioco scorretto.
Spekator: 5.100 shikues


Juve cakton skuadrën që do të udhëtojë në Londër


Të mërkurën mbrëma në Stamfrod Bridge do të zhvillohet njëra nga ndeshjet më interesante të 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve, ndërmjet Chelseat dhe Juventusit. Trajneri i Bianconerëve, Claudio Ranieri, e ka bërë të njohur listën zyrtare të lojtarëve të cilët do të udhëtojnë në Londër. Ish-trajneri i Chelseat nuk do t’i ketë në dispozicion të lënduarit prej kohësh, Jonathan Zebina dhe Dario Knezevic, ndërsa po ashtu si pasojë e lëndimeve do të mungojnë edhe Paolo De Ceglie dhe Cristiano Zanetti. Lajmi i mirë për tifozët e Zonjës së Vjetër është rikthimi i Giorgio Chiellinit dhe David Trezeguet, të cilët luajtën në fitoren kundër Palermos vikendin që shkoi dhe dukeshin në formë të mirë.

Lista e plotë e lojtarëve të Juventusit:
1 Buffon, 3 Chiellini, 4 Mellberg, 7 Salihamidzic, 8 Amauri, 9 Iaquinta, 10 Del Piero, 11 Nedved, 12 Chimenti, 13 Manninger, 16 Camoranesi, 17 Trezeguet, 18 Poulsen, 19 Marchisio, 20 Giovinco, 21 Grygera, 22 Sissoko, 28 Molinaro, 30 Tiago, 32 Marchionni, 33 Legrottaglie.

Lampard: Dyshja Anelka-Drogba do të ketë sukses


Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, mendon se dy partnerët në sulmin e Bluve, Didier Drogba dhe Nicolas Anelka, do të jenë produktivë në ndeshjen kundër Juventusit të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge. "Kundër Juventusit duhet ta mbajmë topin dhe të lëvizim shpejtë, sepse skuadrat italiane janë shumë të fuqishme në mbrojtje”. “Nëse humbim kohë në pasime dhe në mbajtjen e topit, duke mos sulmuar, atëherë nuk do të mund të depërtojmë kurrë në gjashtëmbëdhjetëmetërshin e tyre”. “Mendoj se Nico dhe Didier së bashku në sulm ofrojnë më shumë opsione, këtë së paku e kanë treguar në ndeshjet e fundit”, ka thënë Lampard.

Sissoko: Chelsea frikësohet nga Juventus

Të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge përballen Chelsea dhe Juventusi, ndërsa mesfushori shkatërrues i Zonjës së Vjetër, Mohamed Sissoko, ka njoftuar se Nicolas Anelka i ka thënë se Blutë ia kanë frikën Bianconerëve. “Kam folur me Nicolasin. Ai dhe Drogba krijojnë një partneritet të shkëlqyer në sulm, mirëpo unë e di se ata na kanë frikën”. “Chelsea është një skuadër e madhe dhe ndeshja e parë do të ketë shumë rëndësi, pasi që skuadrat angleze janë shumë të fuqishme para tifozëve të vet”. “Megjithatë, nëse shkojmë në Stamford Bridge, ashtu si shkuam në Bernabeu, mendoj se mund të bëjmë diçka të madhe”, ka thënë Sissoko për “Tuttosport”.

Trezegol i gatshëm për Chelsean

Sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, ndjehet i gatshëm për t’u përballur me Chelsean, pas performancës së tij të pëlqyeshme kundër Palermos ku arriti të shënojë golin e dytë. Të mërkurën Juventusi do të përballet me Chelsean në Stamford Bridge, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve, ndërsa sulmuesi francez mendon se është i gatshëm për këtë lojë. “Ka qenë shumë me rëndësi për mua të luaja të gjithë ndeshjen (kundër Palermos), si edhe të shënoja. Kjo fitore do të na shërbejë për ngritjen e moralit tonë”. “Unë jam në formë të mirë fizike dhe jam i gatshëm për Chelsean. Tani i mbetet trajnerit të vendosë se kë do ta inkuadrojë në fushë”, ka thënë Trezegol. Përkundër entuziazmit të francezit, mësohet se sulmin e Juves nga minuta e parë në Stamford Bridge, do ta përbëjnë kapiteni Alessandro Del Piero dhe sulmuesi brazilian Amauri.

Ranieri mbështet Zolan për trajner të Chelseat

Ish-trajneri i Chelseat, Claudio Ranieri, mbështet idenë që lojtari i dikurshëm i Chelseat, trajneri aktual i West Hamit, Gianfranco Zola, të merr drejtimin e Bluve në fund të sezonit. Pas shkarkimit të Luiz Felipe Scolarit, pronari i Chelseat, Roman Abramovich, e caktoi trajnerin e Rusisë, Guus Hiddink, në stolin e Bluve, mirëpo holandezi ka thënë se ai është vetëm zëvendësues i përkohshëm dhe se në fund të sezonit do ta vazhdojë punën me përfaqësuesen e Rusisë. Ndërsa trajneri aktual i Juvntusit, i cili ka qenë për katër vite te Chelsea derisa u zëvendësua nga Jose Mourinho, thotë që Zola do të ishte zgjidhja më e mirë për stolin e Bluve. “Gianfranco Zola po punon shumë mirë si trajner. Mendoj se ai do të ishte zgjedhje e mirë për ta udhëhequr Chelsean. Ai ka një histori shumë të mirë në këtë skuadër, dhe mendoj se tifozët do të ishin shumë të kënaqur”, ka thënë Ranieri për “The Times”.

Ranieri: Me Chelsean do të jetë e vështirë

Claudio Ranieri është dukur shumë i kënaqur pas fitores së Juventusit kundër Palermos. “Të dy skuadrat kanë zhvilluar një lojë të bukur në pjesën e parë. Në të dytën ne kemi vuajtur pak, duhej ta kishim qarkulluar më mirë topin, por mbi të gjitha jam i kënaqur me mbrojtjen dhe për unitetin që ka treguar ekipi”. Trezeguet është rikthyer tek goli: “Ka qenë shumë i qartë në veprimet e tij, edhe në fazën mbrojtëse. Prezenca e tij është shumë e rëndësishme. Sissoko? Vazhdon të përmirësohet”. Kapitulli Chelsea, “revolucioni” Hiddink, që ka provuar tredhëmbëshin, duke aktivizuar njëkohësisht Anelkanë dhe Drogbanë: “Më parë ishin më të ngadaltë në qarkullimin e topit, ndërsa tani loja e tyre është më e shpejtë dhe më me shumë vertikalizime. Do të jetë e vështirë”, ka thënë Ranieri.

Amauri afër pashaportës italiane

Pas shumë muajsh pritjeje ndoshta më në fund ka ardhur momenti: Amauri është gjithnjë dhe më afër marrjes së pashaportës italiane. Nga sa bëhet e ditur nga shtypi italian, gruaja e futbollistit bardhezi, Sinthia Kozini Valaderes sot ose nesër do të tërheqë në prefekturën e Torinos pashaportën italiane, gjë që do të sjellë automatikisht edhe nisjen e praktikave për natyralizimin e burrit të saj. Në fakt, presidenti italian, Napolitano ka konfirmuar në ditët e kaluara vendimin për të bërë një qytetare italiane zonjën Amauri. Por kur do të vijë pashaporta italiane edhe për sulmuesin që pëlqehet shumë nga Lippi? Amauri duhet të bëhet një lojtar që mund të grumbullohet në kombëtaren “axurre”, duke filluar nga qershori i ardhshëm, në kohë për Kupën e Konfederatave.