Pas barazimit me Sampdorian, trajneri bardhezi është i kënaqur nga loja e skuadrës
Juventusi bllokohet nga Sampdoria në “Olimpico” dhe nuk arrin të përfitojë nga përballja direkte Inter-Milan. Trajneri i bardhezinjve, Claudio Ranieri, në përfundim të ndeshjes ka thënë: “Kur krijon kaq shumë raste dhe nuk bën gola, rrezikon ta humbasësh ndeshjen, po u treguam të zotë që barazuam. Më mirë për ne. Morëm një pikë, skuadra luajti shumë mirë, nuk kam asnjë kritikë ndaj tyre”. Trajneri bardhezi ka vlerësuar dhe meritat e kundërshtarit. “Në rastin e golit gabuam, por duhet të pranojmë edhe meritat e Sampdorias. Do të përpiqemi të përmirësohemi akoma”. Gjithashtu, tekniku juventin, nuk ka pranuar të gjejë justifikime lidhur me lojtarët që mungonin në radhët e bardhezinjve për shkak të dëmtimeve. “Kemi luajtur mirë, nuk më ka pëlqyer ndonjëherë të flas për lojtarët që mungojnë. Giovinco ka treguar gjëra pozitive. Jam totalisht i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të mi”. Gjithsesi, ky barazim e vështirëson akoma më shumë rrugën e Juventusit në kampionat, dhe tani ndeshjet do të jenë gjithnjë dhe më të vështira, pasi shumë shpejt do të rifillojë edhe Championsi. “Nuk është një rezultat shumë i kënaqshëm, sepse ne duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe të shpresojmë që të tjerët të humbin. Gjithsesi, duhet të mendojmë pozitivisht, tani vjen dhe momenti më delikat i kampionatit, pasi tani na presin edhe takimet në Champions”. Më pas Ranieri ka folur edhe për periudhën që po kalon ekipi i tij në këtë moment. “Ne duhet të japim gjithmonë maksimumin. Kishte kohë që nuk shikoja skuadrën time të krijonte kaq shumë raste për gol, ka disa momente të arta ku ndoshta nuk përpiqesh shumë, por rezultati arrihet me lehtësi dhe të tjera momente ku gjithçka është e vështirë. Ekipi mund të dorëzohej dhe nuk e bëri, reagoi. Mbase nuk jemi në 100% të formës, por jemi shumë afër, sepse nëse arrijmë të vëmë poshtë kundërshtarët tanë në pjesën e dytë, kjo do të thotë diçka”. Nuk mund të mungonte edhe një koment lidhur me Cassanon, që mendohet se në sezonin e ardhshëm do të veshë fanellën bardhezi. “Eshtë një lojtar i shkëlqyer dhe po zhvillon një kampionat fantastik. Asnjëherë nuk janë vënë në dyshim cilësitë e tij si futbollist, por ne kemi shumë sulmues të mirë”. Por përveç talentit barez, klubi bardhezi interesohet edhe për brazilianin Diego. “Si braziliani ashtu edhe Cassano janë dy lojtarë shumë cilësorë, njëri është mesfushor i avancuar, tjetri një sulmues i dytë. Por, e përsëris, ne kemi sulmues shumë të mirë. Nëse klubi kërkon të më dhurojë një tjetër, unë nuk them jo”. Ranieri, flet edhe për kolegun e rivalin e tij të ardhshëm në Europë trajnerin e ri të Chelseat, Guus Hiddink: “Që kur Rusia ka marrë Hiddinkun si trajner u kuptua se herët ose vonë ai do të përfundonte tek Chelsea, por nuk besoja se Scolari do të largohej kaq shpejt. Ferguson ka thënë se futbolli anglez po ndryshon dhe se edhe atje do të mbërrijë “modeli” italian. Do të ketë lëvizje të mëdha, kemi të gjithë mundësinë të ndryshojmë punë”, ka përfunduar trajneri i Juventusit.
e martë, 17 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment