e shtunë, 28 shkurt 2009
Vialli: Juvja duhet të godasë me kundërsulme
Ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Italisë dhe të Juventusit të viteve 90-të. Më pas ka qenë protagonist edhe tek Chelsea, ku është transferuar në fundin e karrierës së tij. Bëhet fjalë për Gianluca Viallin, i cili ka analizuar përballjen që do të zhvillohet sot në mbrëmje midis dy ish-skuadrave të tij. Në lidhje me sfidën e Championsit Itali-Angli, ish-sulmuesi juventin, është shprehur në favor të “axurrëve”. “Unë them se do të përfundojë 2-1 për ne. Sepse ne e konsiderojmë futbollin një punë të mirëfilltë, ndërsa për ata ka qenë gjithmonë një lojë. Edhe pse në vitet e fundit na kanë mposhtur falë trajnerëve të huaj, të cilët kanë sjellë organizim dhe metoda më profesionale”. Por ndeshja e tij është Chelsea-Juventus. “Jam i kënaqur me këtë përballje, kështu do të mund të ngacmoj miqtë e mi anglezë ose ata italianë. Në letër Chelsea është ekipi favorit, por Juvja që kam parë të shtunën më ka pëlqyer shumë. Ka lejuar Palermon të kontrollojë lojën dhe më pas ka shfrytëzuar rastet që ka pasur. Kundër ekipeve të mëdha jep maksimumin. Nuk më është dukur në gjendje shumë të mirë fizike, por nuk e di nëse kjo ka ardhur nga gjendja e përgjithshme e skuadrës apo sepse kanë kursyer energji për ndeshjen e sotme”. Ndërkohë, sipas Viallit, kalimi i Hiddinkut tek londinezët e ka vështirësuar punën e Ranierit. “Ndikimi i Hiddinkut tek Chelsea është parë menjëherë në ndeshjen kundër Aston Villës. Mesazhi i lojtarëve ka qenë ky: nuk ishte faji ynë nëse luanim keq, pa Scolarin jemi rikthyer të fortë. Tani do të duan ta tregojnë këtë edhe në Europë. Me Scolarin do të kishte qenë e favorizuar Juvja”, ka thënë Vialli, i cili më pas ka shpjeguar edhe mënyrën se si mund të ndalet Chelsea. “Do të shohim duele fantastike: Drogba dhe Anelka kundër Legrottaglies dhe Chiellinit, nga ana tjetër Del Piero dhe Amauri kundër Terryt dhe Alexit. Mund të fitojnë mbrojtësit ndaj sulmuesve dhe në këtë pikë do të bëhej e rëndësishme lufta në mesfushë, ku Juventusi duhet të përpiqet të krijojë superioritet numerik. Do të jetë një sfidë e bukur. Të shohim çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Vialli.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment