e shtunë, 21 shkurt 2009

“Dua të bëhem pjesë e historisë juventine”

E përditshmja franceze “Le Figaro” ka pub likuar dje në faqet e saj një shkrim të gjatë për Juventusin dhe historinë e tij, duke intervistuar ndër të tjerë edhe drejtorin e përgjithshëm të klubit bardhezi, Jean-Cladue Blanc dhe sulmuesin David Trezeguet. Ringjitja – Blanc tregon rënien dhe ringjitjen e klubit bardhezi në vitin 2006: “Kishim 100 ditë për të vendosur. Duhet t’i merrnim vendimet për një kohë shumë të shkurtër. Duhet të vendosnim një buxhet të ri pa Ligën e Kampionëve, të negociojmë sërish me sponsorët, “Nike” dhe “Sky”, të bindim lojtarët më të mirë të skuadrës që të qëndronin, pavarësisht rënies në Serinë B. Më duhet të theksoj që kam shumë respekt për lojtarë si Buffon, Del Piero dhe Nedved. Kishin mundësi të largoheshin në cilëndo skuadër të donin, por pranuan të përjetonin një aventurë të re krejtësisht njerëzore”. Kursi i ri – Blanc ka shtuar, shumë i kënaqur, se disa njerëz mendonin që “Zonjës së Vjetër” do t’i duheshin dhjetë vjet për ta rimarrë veten: “Jam shumë i kënaqur që i zhgënjyem të gjithë ata që mendonin se do të na duhej një dhjetëvjeçar për ta marrë plotësisht veten dhe për t’u rikthyer bujshëm në Serinë A. Ne i treguam që e kishin gabim”. E përditshmja franceze ka treguar projektin e një stadiumi të ri dhe drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve ka shpjeguar kursin e ri juventin: “Modeli ‘dy kampionë për çdo fanellë’ ishte Juventusi i tre viteve më parë. Kushton shumë dhe ne duam një klub që të ecë me këmbët e tij. Që këtu na ka lindur dëshira e formimit të lojtarëve të rinj, të cilët kanë aftësi për të ardhmen, për t’i marrë më pas në skuadrën e parë. Pas tre ose katër vitesh do të humbasim lojtarë si Buffon, Trezeguet dhe Del Piero, prandaj kemi nevojë të shpejtojmë”. “Trezegol” – Sulmuesi francez (“golashënuesi më i mirë i huaj në të gjithë historinë e Juventusit”, thekson “Le Figaro”), i gatshëm tashmë për të sfiduar shokët e skuadrës për një vend si titullar pas dëmtimeve të shumta fizike, pranon: “Të jesh pjesë e historisë së Juventusit si Platini, ose Zidane është një nder dhe një gjë me të cilën mund të krenohesh. Kjo skuadër është si një familje për mua. Është një ndër klubet më të rralla në Evropë, në të cilin ka futbollistë që luajnë prej dhjetë vitesh”. Përsa u përket perspektivave me bardhezinjtë, Trezeguet shpjegon: “Përfundimi i karrierës sime në Torino është një mundësi, por pas dëmtimeve të shpeshta të kohëve të fundit, mendoj se është më mirë të mos bëj plane. Kontrata ime – ka përfunduar ai – skadon në vitin 2011. Megjithatë, nuk kam fiksuar ndonjë datë të qëndrimit tim këtu, pasi ndihem shumë mirë te Juventusi”.

Nuk ka komente: