e shtunë, 21 shkurt 2009
Trajneri Ballardini i trembet “Zonjës së Vjetër”
“Skuadra e Ranierit nuk do të vijë në Palermo për të marrë një barazim. Ata duan me çdo kusht suksesin, gjithashtu t’u kundërpërgjigjen rezultateve të fundit jo shumë pozitive. Ndërkohë, ne duam të vazhdojmë të përmirësojmë rezultatet në përballjet e luajtura në shtëpi”. Davide Ballardini është gati të vërë bast për suksesin e skuadrës së tij ndaj “Zonjës së Vjetër”, ndonëse e di mirë se për arritjen e një objektivi të tillë nuk do të jetë aspak e lehtë. Gjithsesi, “Renzo Barbera”, stadiumi i skuadrës së Palermos është padyshim pika më e fortë e formacionit sicilian, ku kanë grumbulluar 27 nga 36 pikët e mundshme në shtëpi, por trajneri Ballardini kërkon në të njëjtën kohë edhe ndihmën e publikut për këtë takim. “Në shtëpinë tonë paraqitemi mjaft mirë, edhe si rrjedhojë e entuziazmit që na ofron publiku ynë. E duam shumë këtë fitore, pasi mund të na motivojë edhe më tepër për ndeshjet e ardhshme”. Por Ballardini nuk kërkon ta krahasojë Juventusin aktual me atë të mundur 2-1 nga palermitanët në fazën e parë të sezonit. “Ai ishte një Juventus me mungesa të shumta dhe mjaft vështirësi, ndërkohë që ne gëzonim një formë të shkëlqyer. Tani, torinezët janë rikthyer fuqishëm dhe nëse ndodhen në një ditë të mirë, mund të të vrasin”, përfundon Ballardini.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment