e enjte, 19 shkurt 2009

Cassano, pasardhësi i Del Pieros te Juvja


Sacchi “e sponsorizon” si trashëgimtarin e kapitenit. Buffoni e bekon, por duhen 20 milionë euro

Në shtëpinë e Juves lëvizjet e merkatos, në prag të qershorit që vjen, kanë filluar prej kohësh. Objektivi kryesor është të gjëndet një zëvendës i Nedvedit. David Silva i Valencias është individualizuar si numri një. Vlera? 25 milionë euro. Por drejtuesit bardhezinj po punojnë edhe për Antonio Cassanon. Presidenti Cobolli Gigli ia ka hapur dyert barezit, që mund të shfrytëzojë mundësinë e zgjidhjes së kontratës prej 15 milionë eurosh. Dhe kështu Juvja mund të ëndërrojë një dyshe të madhe, duke shpenzuar në total rreth 40 milionë euro.

VLERA - Megjithatë, për momentin, më afër duket Cassano, sesa spanjolli. Italiani është rritur në një pikë të tillë sa që konsiderohet i pjekur për hapin e madh cilësor në karrierë. Te Reali dështoi, te Juvja mund të shpërthejë përfundimisht. Presidenti bardhezi, Gigli, para dy ditësh u shpreh se “do ta marrim në konsideratë Cassanon në merkaton e ardhshme” dhe me 15 milionë euro gjithçka mund të zgjidhet, gjithnjë nëse Sampi kërkon bashkëpronësi teknike, përfshirë edhe talentin Giovinco.

“SPONSORIZIMI” - Dhe ideja ka filluar t’u pëlqejë shumë njerëzve. Edhe Arrigo Sacchi është dakord me blerjen e Cassanos nga ana e Juventusit. Ish-trajneri i kombëtares dhe i Milanit, lavdëron talentin barez, duke e veshur me një përgjegjësi të madhe në të ardhmen: “E kam thënë gjithnjë që Antonio është një talent i madh, - shpjegoi Sacchi. - Besoj se mund të jetë ai pasardhësi i Del Pieros te Juvja, kur natyrisht Aleksi të vendosë të tërhiqet nga futbolli. Por me kusht që Cassano të arrijë të ketë të njëjtën pjekuri dhe të njëjtët ekuilibra të Del Pieros, brenda dhe jashtë fushe. Kur të ndodhë kjo, futbolli italian do të ketë gjetur një kampion të ri e të madh”

BUFFONI E BEKON - Të dielën në fushë si kundërshtar, në të ardhmen kush e di. Antonio Cassano i ka ëmbëlsuar tifozët bardhezinj në ndeshjen ndaj Juventusit, duke marrë deri dhe duartrokitjet e stadiumit “Olimpico” dhe vlerësimin e Cobolli Giglit, i cili nuk e mohoi që “Zonja e vjetër” po e ndjek. Ndër të tjera edhe Gigi Buffon ka bërë “bekimin” e tij për talentin puljez: “Nuk jam një drejtues, - tha numri një bardhezi, - ndaj nuk po flas për një kalim të mundshëm, por Antonio është pjekur shumë. Sidoqoftë nuk them se do të më pëlqente të luaja me të, pasi do të kisha mungesë respekti për shokët e mi…”

IDEJA - Me kontratën e Del Pieros, që i skadon në vitin 2010-të, i ashtuquajturi “Fantantonio”, do të ishte pikërisht emri i përshtatshëm për të mbuluar rolin e sulmuesit të dytë te Juventusi dhe për ta pasur, klubi juventin qenka gati të sakrifikojë deri dhe Giovincon, që duhet të shitet në bashkëpronësi te Sampdoria. Një ide që i ka entuziazmuar të gjithë ditët e fundit. Sampdoria deri tani ka deklaruar se Cassanon e kërkojnë shumë klube, që do të thotë se bisedimet në merkaton e verës cilësohen të hapura që tani. Edhe vetë Antonio nuk do të gjente një skuadër më të përshtatshme se Juventusi.

Nuk ka komente: