e shtunë, 28 shkurt 2009

“Dua spektakël dhe një fitore bindëse”

Përpara ndeshjes me Juventusin, trajneri i Chelseat, Guus Hiddink, zbuloi se synimi që i ka vënë vetes në këtë sezon është t’i dhurojë Roman Abramovichit trofeun e ëndërruar prej shumë kohësh, atë të Ligës së Kampioneve. Në ndeshjen e parë të tij në “Stemford Bridge” si trajner i “bluve”, holandezi kërkon që të lërë përshtypjet më të mira te tifozët, të cilët do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit, për të parë ndeshjen kundër Juventusit. Pas katër gjysmëfinaleve në pesë sezonet e fundit dhe finales së trishtueshme të Moskës, Hiddink e di shumë mirë se çfarë e lumturon pronarin e klubit, ndaj mendon se ëndrra për fitimin e Ligës së Kampioneve duhet të kthehet në realitet. Aktualisht në Premier Ligë, Chelsea ndodhet 10 pikë larg Manchester United dhe shpresat për titull janë të pakta, ndaj dhe përqendrimi i teknikut është vetëm te Liga e Kampioneve, një fitore me të cilën do të justifikojë shpenzimet dhe dy sezonet të fundit pa trofe për “blutë”. “Ashtu si për një futbollist të ri, edhe për një trajner të ri është ëndërr të mbajë në dorë trofeun e Ligës së Kampioneve. Si lojtar, kam pasur fatin të ngre lart kupën Ligës së Kampioneve dhe të them të drejtën ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua. Por, ëndrra ime mbetet sërish ai trofe, kësaj radhe në rolin e trajnerit të një klubi. Kam shansin se shumica e skuadrës sime kanë eksperiencë në Ligën e Kampioneve. Kjo do të na e lehtësojë akoma më shumë punën. Normale që është një betejë e gjatë deri në fund, sepse përballë kemi skuadra të forta, megjithatë shpresoj deri te finalja. Përballjen me Juventusin e parashikoj si tepër delikate dhe se duhet të tregojmë kujdes të madh për të siguruar kualifikimin. Sot në mbrëmje dua prej lojtarëve që të bindin me lojën e tyre, sepse nuk më pëlqen futbolli pa spektakël. Jam partizan i fitoreve të bukura”, shpjegoi Guus Hiddink.

Nuk ka komente: