Mesfushori bardhezi është shprehur optimist për sfidën në Championsin ndaj Chelseat
Dy javët e ardhshme do të jenë përcaktuese për të mësuar fatin që Juventusi do të ketë në arenën ndërkombëtare. Bardhezinjtë do të zhvillojnë përballjen e dyfishtë me londinezët e Chelseat, të vlefshme për 1/8 e Champions Ligës. Një takim i vështirë që do të bazohet, duke parë karakteristikat e dy ekipeve, tek forca fizike. Pikërisht takimet që preferon mesfushori juventin Momo Sissoko, i cili është gati të rikthehet pas problemeve fizike. “Tani ndihem më mirë, jam stërvitur dhe nuk ndiej më dhimbje. Jam gati për Palermon dhe Chelsean”, ka thënë lojtari bardhezi. Ndërkohë, ai dhe Amauri janë konsideruar si dy blerjet më të mira të Juventusit, pas periudhës Moggi. “Jam krenar për këtë. Në fillim askush nuk priste që unë të luaja në këtë mënyrë”. Gjithashtu, Sissoko është shprehur se ka besim akoma tek titulli kampion. “Eshtë e vështirë, por jo e pamundur, duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet. Nuk ndihemi inferior ndaj Interit”. Por përveç titullit Juvja është në luftë edhe për Championsin dhe Kupën e Italisë. “Jemi në garë për gjithçka, nuk duhet të dorëzohemi, e rëndësishme është të fitojmë diçka, nuk ka rëndësi se çfarë”. Më pas vjen Chelsea dhe një nga përballjet kryesore do të jetë Lampard-Sissoko. “Mendoj se po. Nuk do t’i ndahem për asnjë moment. Nuk është vetëm ai rreziku, pasi ata kanë Drogban dhe Anelkan, dy kampionë të mëdhenj. Do të jetë një supersfidë, që do të duam ta fitojmë”. Shorti ka vënë përballë Anglinë me Italinë. “Them se Manchesteri do të kualifikohet, pasi bashkë me Barcelonën janë ekipet më të forta në Europë. Roma ka 50% të mundësive, ashtu si ne, të shpresojmë”, ka thënë Sissoko.
e shtunë, 21 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment