e shtunë, 28 shkurt 2009
Claudio Ranieri nuk firmos për barazimin
Juventusi nuk do të shkojë në Londër me synimin për të marrë një barazim, ose të paktën kjo është ajo çfarë lihet të kuptohet nga fjalët e shprehura nga trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, në konferencën për shtyp në prag të kësaj përballjeje. “Mund të kujtojmë se nuk kemi qenë shumë fatlumë nga shorti i 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Në grup mundëm Realin në të dyja përballjet direkte, mbyllën fazën e grupeve në vendin e parë dhe si përfundim, në këtë tur të këtij kompeticioni gjetëm përballë Chelsean, një ndër skuadrat më të forta në botë. Fati nuk ka qenë në anën tonë, por gjithsesi tashmë nuk është koha të ndalemi në një aspekt të këtillë. Duhet ta përballojmë këtë ndeshje me maksimumin e forcave tona, pasi sigurisht që nëse kualifikohemi, e ardhmja jonë në Ligën e Kampioneve mund të jetë madhështore. Pikërisht për këtë arsye nuk kemi ardhur në Londër për të marrë një barazim, por duam të luajmë deri në fund shanset tonë për kualifikim”, shprehet Claudio Ranieri. Trajneri i Juventusit nuk kërkon të tregohet arrogant, por thjesht ka besim në lojtarët e tij. Respekti për Chelsean, ish-skuadrën e tij është ende i madh, i paprekur më saktë: “Skuadra e Hiddink është favorite për kualifikimin e këtij raundi, pasi duhet të mos harrojmë se vitin e kaluar duhet të fitonte këtë kompeticion, por ishte shumë e pafat nga pika e njëmbëdhjetëmetërshave. Realisht e kisha studiuar mirë Chelsean e Scolarit, por tani që në vend të tij ka mbërritur Hiddink, skuadra më duket shumë më e motivuar dhe kjo më frikëson pak. Gjithsesi, edhe ne nga ana tjetër kemi rikuperuar disa lojtarë të rëndësishëm, si Tiago, Buffon, Camoranesi dhe Trezeguet dhe kjo gjë më bën shumë optimist. E rëndësishme për ne në këtë sfidë do të jetë të mos pësojmë gol dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë ne në sulm. Amuri apo Trezeguet? Nuk kam vendosur ende mbi formacionin, ndonëse braziliani niset i favorizuar për vendin e titullarit. Gjithsesi, e rëndësishme është që i kam të gjithë sulmuesit në dispozicion”, përfundoi Ranieri.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment