e shtunë, 21 shkurt 2009

Trezeguet thërret, Ranieri përgjigjet

Sulmuesi francez kërkon të luajë me çdo kusht dhe trajneri bardhezi do ta aktivizojë titullar në Palermo


Siç ishte parashikuar, për Claudio Ranierin, bollëku në repartin e sulmit, mund të bëhet një problem jo i vogël për administrimin e kampionëve të tij. “I ndihmuar” edhe nga dëmtimi i Trezeguet, trajneri i Juves ka synuar në pjesën e parë të sezonit te dyshja Amauri-Del Piero, pa “lejuar” që Iaquinta ose Giovinco të ngrenë zërin. Por Trezeguet nuk është Iaquinta dhe tani ka gjetur gjendjen e plotë fizike, duke kërkuar dhe hapësirë në sulm: “Tani po afrohen ndeshje vendimtare dhe tani dua të jem, - shpjegoi francezi. Në këta katër muaj kam punuar shumë dhe jam riaftësuar shpejt. Jam i gatshëm tashmë prej katër ndeshjesh… po, jam gati”. Dhe Ranieri e dëgjoi thirrjen e Trezeguet, pasi sot ka vendosur t’i “përgjigjet” dhe ta aktivizojë që nga minuta e parë në Palermo. “Po, do të luajë”. Ndërkohë Trezeguet vazhdon: “Është e rëndësishme që duhet të ripërshtatem pak, por ky nuk është rasti im. Nuk kam luajtur më që prej ndeshjes në kupë ndaj Napolit. Pastaj, për motive të ndryshme, për pezullime apo dëmtime e zgjedhje, e vërteta është se nuk kam luajtur shumë. Por tani është një moment vendimtar. Championsi, Kupa e Italisë dhe Palermo. Championsi është i vetmi trofe që s’e kam fituar akoma me Juven. Është rasti për t’u përballur me lojtarët më të mirë dhe unë kërkoj gjithnjë raste si ky. Tani më në fund erdhi. Është Chelsea, një sfidë e bukur, unë kërkoj vetëm të luaj. Del Piero e Amauri duken të lodhur? Janë dyshja që ka luajtur më shumë në këtë sezon, ka mundësi që e gjithë skuadra ka pësuar një rënie. Është një moment delikat, është nevoja e një rindryshimi”. Një referat i qartë ai i qendërsulmuesit 31-vjeçar, i cili do të jetë titullar sot në sfidën ndaj Palermos. Kështu ka njoftuar trajneri i Juventusit Claudio Ranieri në prag të ndeshjes në mbrëmje: “Do të luajë që nga fillimi, besoj te golat e tij, pastaj do të shoh se cilin do të ketë partner në sulm, - tha tekniku i Juves. - Më në fund në sulm mund të zgjedh”. Në ndeshjen e sotme në Palermo, pra Ranieri do t’i besojë sulmuest francez. “Shokët e tij e njohin mirë dhe nuk besoj se e kanë harruar, - deklaroi Ranieri, duke iu referuar dëmtimit të gjatë të Trezegolit në gju. - Asnjë rrezik nuk ekziston. Për sa i takon pjesës tjetër të formacionit bardhezi, Ranieri nuk lë asgjë të kuptojë, nëse nuk do të nisen titullarë edhe Chiellini me Camoranesin. Duke u kthyer te çështja e titullit, trajneri juventin është i qartë: “Vetëm Interi mund ta humbasë titullin, ne duhet të luftojmë, pavarësisht sesi shkojnë gjërat. Jemi mirë, duhet vetëm të gjejmë atë hap cilësor, që do të na lejojë të paraqitemi mirë. Dhe këtë qetësi na e jep vetëm fitorja. A është një epërsi të dish rezultatin e Interit? Mua nuk më intereson”. Ranieri, më në fund po i riaftëson të gjithë lojtarët e dëmtuar: “Jemi në një moment kyç për të parë nëse infermieria po boshatiset, gjë që na jep besim dhe shpresë, - vazhdoi. - Palermo do të jetë sigurisht një bankoprovë për ne, na mundi në sezonin e shkuar dhe në fazën e parë të këtij kampionati, e dimë se çfarë na pret”. Ndeshja ndaj siçilianëve vjen pak ditë para sfidës së parë ndaj Chelseat në Ligën e Kampioneve: “Të zgjedh mes kampionatit dhe kupës? Unë mendoj t’i marr ndeshjet me radhë”.

Nuk ka komente: