Sulmuesi francez është rikthyer tek goli të shtunën kundër Palermos dhe pret përballjen e Championsit
Pasi ka rigjetur rrugën e golit të shtunën në mbrëmje kundër Palermos, David Trezeguet, mendon që tani për sfidën e Championsit me Chelsean. “Ata kanë arritur të shtunën një fitore shumë të rëndësishme, mbeten një ekip i madh, Anelka po paraqitet mirë dhe do të luajë në sulm me një tjetër lojtar të madh siç është Drogba, - ka thënë francezi. - Do të jenë dy ndeshje të mëdha për ne dhe të shpresojmë se do të jemi në lartësinë e duhur për këtë eveniment”. Kur e ke golin në gjak, nuk ka dëmtime apo ulje në stol që të ndalojnë, rikthehesh fuqishëm në fushë. David Trezeguet ka treguar edhe një herë, për ata që nuk e kanë kuptuar, se ka lindur për këtë. Këto kanë qenë dhe deklaratat e sulmuesit francez pas transfertës fitimtare të bardhezinjve në Palermo. “Jam shumë i kënaqur, sepse, pas katër muajsh të vështirë për mua, më në fund jam rikthyer titullar, kam bërë një ndeshje të mirë, kam shënuar dhe ekipi ka dashur që unë të mbaja shiritin e kapitenit. Dua të falënderoj shokët e mi të ekipit, sepse më kanë bërë të ndihem gjithmonë i rëndësishëm dhe më kanë qëndruar afër gjatë këtyre muajve”. Trezeguet më pas ka folur për kolegët e tij në sulm. “Unë kam qenë i qartë. Mua më pëlqen të luaj me më të mëdhenjtë dhe Amauri për mua është qendërsulmuesi më i fortë i kampionatit tonë. Shpresoj të jap kontributin tim dhe jam i kënaqur për atë që kanë dhënë Amauri dhe Del Piero deri në këtë moment. Tani jam gati. Të mërkurën kemi një përballje të rëndësishme kundër Chelseat dhe shpresojmë t’i japim një gëzim tifozëve tanë”, ka thënë Davidi.
SISSOKO - Mesfushori i Juventusit, Momo Sissoko, ka qenë protagonisti i madh i takimit të fituar nga bardhezinjtë në stadiumin “Barbera” kundër Palermos. Autor i golit që i ka hapur rrugën drejt fitores “Zonjës së Vjetër”, Sissoko, ka thënë: “Jam i lumtur, kam bërë një gol të bukur dhe kjo ka qenë një fitore e rëndësishme”. Ka dalë nga fusha për shkak të një goditjeje, që ka marrë në këmbë. “Kam ndier pak dhimbje, për këtë arsye kam kërkuar zëvendësimin, por tani duhet të rekuperoj dhe të bëj një paraqitje të mirë kundër Chelseat”. Ekip që nuk e frikëson aspak juventinin. “Eshtë një skuadër e madhe, por nëse ne do të shkojmë në Londër me mentalitetin dhe përqendrimin e duhur dhe do të luajmë lojën tonë, mund të fitojmë. Ata kanë lojtarë të mëdhenj, por nëse ne luajmë të bashkuar, siç kemi bërë kundër Realit të Madridit, mund të arrijmë diçka të madhe. Besoj se Hiddinku do të luajë me skemën 4-4-2 me Anelkanë dhe Drogbanë në sulm. Janë dy sulmues shumë të rrezikshëm”, ka thënë Sissoko.
e hënë, 23 shkurt 2009
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment