e shtunë, 21 shkurt 2009
Braziliani Diego, mes Werderit dhe Juventusit
Werder Bremeni do të mirëpresë rikthimin e fantazistit të talentuar Diego për ndeshjen e sotme ndaj Cotbusit, ku skuadra e Schaafit është e detyruar të fitojë me çdo kusht, duke parë pozitën e vështirë në kampionat. Werderi renditet në vendin e dhjetë të Bundesligës dhe sot ka apelin e fundit për të zënë një vend në Kupat e Europës. Ata kanë marrë vetëm një pikë në tri ndeshjet e fundit dhe janë dhjetë pikë larg zonës Champions. Diego do të rikthehet pas një skualifikimi trejavor në kampionat, ndërsa shkëlqeu në Kupën UEFA ku shënoi golin e barazimit ndaj Milanit. “Jam shumë i lumtur që do të rikthehem të luaj në Bundesligë, - tha Diego, që është aktivizuar për herë të fundit në kampionatin gjerman gjatë dhjetorit. - E ndjej veten në formë edhe pse jo në maksimumin e mundësive. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që duhet të fitojmë me Cotbusin, përndryshe sezoni ynë nuk do të ndreqet më”. Ndërkohë, shtypi italian ka bërë të ditur se drejtuesit e Juventusit kanë filluar bisedimet me Werderin për të marrë brazilianin. Duket se klubi gjerman ka refuzuar ofertën e parë prej 20 milionë eurosh. Nga ana e tij, Diego tha: “Nuk e di nëse është e vërtetë që Juvja është interesuar për mua, por po të ishte, do të ndihesha krenar. Babai im ka qenë në Torino, por për arsye private, nuk është takuar me asnjë drejtues të Juves. Unë jam një i apasionuar pas futbollit dhe si rrjedhojë tërhiqem nga Juvja dhe ajo që përfaqëson. Del Piero? Eshtë një nga futbollistët më të mirë të botës dhe do të ishte një kënaqësi të luaja me të. Kam folur me Kakàn dhe Ronaldinhon për Serinë A, e ndjej veten të gatshëm për këtë kampionat”. Në një situatë të ngjashme me Diegon është edhe partneri i tij në sulm Claudio Pizarro. Peruani është huazuar nga Chelsea në Bremen, por nuk e di se çfarë do të ndodhë në qershor: “Nuk e di nëse do të qëndroj te Bremeni përtej huazimit, - tha Pizarro. - Ajo që di është se nuk kthehem te Chelsea nëse nuk më garatojnë një vend si titullar”. Dortmund, PSG dhe Villareali janë skuadrat e interesuara për 29-vjeçarin, ish-sulmuesi i Bayernit të Mynihut.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment