e premte, 5 dhjetor 2008

“Interi, të bëjë kujdes ndaj nesh !”

“Të vazhdojmë të fitojmë për të mbetur gjithmonë e më pranë Interit”. Është ky sinjali që mbrojtësi i skuadrës së Juventusit, Giorgio Chiellini, lëshon në prag të fundjavës së ardhshme në të cilën bardhezinjtë do të udhëtojnë drejt Lecces, një rast tjetër i mirë për torinezët për të marrë tri pikët e radhës në Serinë A. Chiellini e sheh këtë fundjavë si një rast të shkëlqyer për t’iu afruar me tej Interit, pasi zikaltrit do të udhëtojnë të shtunën drejt “Olimpicos” së Romës, në sfidën e vështirë kundër Lazios. “Na mbeten tri ndeshje përpara pauzës së fundvitit dhe duhet të japim maksimumin tonë për të marrë nëntë pikët që janë në dispozicion, pasi vetëm kështu mund t’i afrohemi më tej kryesuesve të Interit. E dimë që nuk do të jetë absolutisht e lehtë, pasi përveç transfertës me Leccen, na pret përballja e madhe kundër Milanit. Ne si gjithmonë duhet të japim 110 për qind të forcave tona për të kërkuar fitoren dhe padyshim që duke njohur karakterin e grupit tonë, asgjë nuk është e pamundur”, deklaron mbrojtësi i bardhezinjve.

Nuk ka komente: