e diel, 14 shtator 2008

Alessandro Del Piero, “Il Fenomeno Vero”

“Pasaporta”

Emri i plotë: Alessandro Del Piero

Datëlindja: 9 Nëntor 1974

Vendlindja: Conegliano, Itali

Gjatësia: 173 cm

Pesha: 73 kg

Pseudonimet: Pinturicchio, Mr.Juventus, Il Fenomeno Vero, Alex, Ale, Godot

Pozicioni: Sulmues mbështetës

Klubi aktual: Juventus



Çmimet dhe shpërblimet: 7 Kampionate italiane: 1994‑95, 1996‑97, 1997‑98, 2001‑02, 2002‑03, (2004‑05, 2005‑06): Dy të fundit të revokuara pas skandalit të futbollit “Calciopoli”

4 Superkupat italine: 1995, 1997, 2002, 2003

1 Kupë të Italisë: 1994‑95

1 Ligë Kampionesh: 1995‑96

3 Medalje finalisti në Ligën e Kampioneve:1996‑97, 1997‑98, 2002‑03

1 Superkupë Europiane: 1996

1 Kupë Ndërkontinentale: 1996

1 Kupë Intertoto: 1999

1 Kupë Bote: 2006



Shpërblimet

Futbollisti Europian i Vitit U‑21

“MVP”, Çmimi i Finales së interkontinentales në vitin 1996

Çmimi për lojtarin më të mirë italian 1998

Çmimi për Lojtarin më të Plotë 1998

Golashënuesi më i Mirë i Ligës së Kampioneve 1997

Golashënuesi më i Mirë i Ligës së Kampioneve 1998

Çmimi për Lojtarin më Popullor italian

Çmimi për Futbollistin më Karizmatik në Itali, 2001

Sulmuesi më i mirë i 10 vjeçarit në Ligën e Kampioneve

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohrave për ekipin Juventus





Alessandro Del Piero lindi në 9 nëntor 1974, në Koneljiano të Italisë. E filloi futbollin mbrapa oborrit të shtëpisë së tij dhe përfundoi si futbollist profesionist, si dhe kapiten i Juventusit dhe i ekipit kombëtar italian. Ishte pikërisht “Il Fenomeno Vero”, ai që e çoi Italinë në fitimin e Kupës së Botës “FIFA 2006″. Megjithatë, ndonëse “i janë prerë paksa pendët” nën udhëheqjen e Capellos, në sezonin futbollistik 2006-2007, kur Juventusi e fitoi titullin në Itali, por iu hoq si pasojë e “Calciopolit”, “Fenomeni” tregoi se është i aftë të shënojë gola edhe nga stoli i rezervave…,në rolin e zëvendësuesit të minutave të fundit.

E ëma e tij, Bruna, ishte një shtëpiake “e stazhionuar”, ndërsa Gino Del Piero, i ati i tij, ishte elektriçist. E ëma, duke e parë Del Pieron në fëmijërinë e tij, që kthehej i gjakosur dhe i dërrmuar në shtëpi, dëshironte më shumë që të bëhej portier, pasi djali nuk mund të vazhdonte më tej “vetë‑sakatimin”. Ndërsa po darkonin në shtëpinë e tyre, në fshatin Koneljiano, ajo iu lut atij që të luante në portë. Por, i vëllai i Del Pieros, Stefano, i ktheu përgjigjen aty për aty së ëmës: “Nuk e sheh që Alex është i mirë në sulm?” Alex mezi po priste të nesërmen të fillonte sërish futbollin në oborrin e shtëpisë, së bashku me dy miqtë e tij, Nelsonin dhe Pierpaolon. Të tre dëshironin të bëheshin futbollistë, por vetëm Alessandro arriti t’ia dilte mbanë kësaj, pasi edhe i vëllai i tij, Stefano, për shkak të një dëmtimi në moshën 9‑vjeçare, u shkëput nga ekipi i Sandorias, ku sapo kishte nisur të aktivizohej. Ndërsa në vitet e mëpasshme, Del Piero ka rikujtuar se, si i ri që ishte, asnjëherë nuk kishte pasur para të mjaftueshme të udhëtonte jashtë shtetit, prandaj, për këtë arsye, një fije peri e ndante që të merrte profesionin e shoferit të mauneve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të vizitonte dhe do të njihej me vende, krahina dhe kultura të ndryshme. Më vonë, si një futbollist profesionist, ai do të ishte i aftë të shëtiste jo vetëm përreth botës, por do të bënte që “edhe ajo të rrutullohej përreth tij”.



Karriera futbollistike

Shpesh Del Piero luan si sulmues mbështetës dhe rrallë si mesfushor apo sulmues i vijës së parë, ndërsa në Itali vendosja e këtij futbollisti njihet në termin “Trequartista”. Ai nuk është nga më të lartët apo më të përparuarit në fushë, por një gjë është e sigurt, se Del Piero është sulmuesi më krijues në botë. Jo më kot specialistët e futbollit e kanë konsideruar Del Pieron “gjuetar pa leje i golave”. Ai, madje, është një ekspert i lindur në driblimet ndaj mbrojtësve kundërshtarë, edhe në ato situata që njihen si “topi i vdekjes”, por më tepër është i shquar në gjithë botën për goditjet e lira dhe penalltitë. Veçanërisht zona përreth portës kundërshtare “bëhet kaçurrel”. Prej tij vijnë goditjet e forta nga mbi 10 jardë (9.1 m) jashtë kuadratit të penalltisë, një zonë e cila njihet ndryshe si “La Zona Del Piero” (Zona e Del Pieros).

Po ku e mësoi kaq mirë futbollin Del Piero? Mos ishte gjë ai një talent i lindur, mbrapa oborrit të shtëpisë? Për herë të parë Del Piero u aktivizua me ekipin e qytetit të San Vendemianos, kur ai u largua nga shtëpia e tij në moshën 16-vjeçare, ndërsa karrierën e tij profesionale e filloi më 1991, me ekipin e Padovës në Serinë B të Italisë. Në vitin 1993, Aleks u transferua në ekipin e Juventusit. Del Piero kreu debutimin e tij të parë kundra ekipit të Foggias ,në Serinë A, në shtator 1993. Në ndeshjen pasardhëse ai shënoi golin e tij të parë, kundra Reggianës, kur doli në fushë si zëvendësues, ndërsa në ndeshjen ndaj Parmës kreu një “hat‑trick” (roveshiatë). Me blerjen e tij, Juventusi kishte krijuar “Scudetton” e parë pas tetë viteve, ndërsa ai sezon për Del Pieron do të ishte ngjitja e shkallëve të karrierës. Me klubin e Torinos ai fitoi kampionatin e Serisë A plot shtatë herë (1995, 1997, 1998, 2002, 2003, 2005, 2006), titulli i fundit i mohuar nga “Calciopoli”, Ligën e Kampioneve më 1996, dhe Kupën Ndërkontinentale, në po të njëtin vit. Sezoni më i mirë i tij u shënua midis 1997‑1998, kur Del Piero shënoi 21 gola në Serinë A. Emri i tij u ngjit gjithashtu edhe në krye të golashënuesve të Ligës së Kampioneve me 10 gola, ndërsa u përfshi edhe një gol tjetër nga një goditje e lirë kundra ekipit të Monakos në gjysmëfinale. Del Piero do ta kalonte keqazi sezonin 1998‑1999, kur do të akuzohet për doping nga ekipi i Juventusit, ndërsa më pas gjendet i pafajshëm. Në muajin tetor ai pëson një dëmtim në gju, përgjatë ndeshjes që doli në barazim 2‑2, me ekipin e Udinezes. Ky aksident do ta mbante atë jashtë fushës së blertë dhe madje me vonesa për rikuperim të plotë për këtë sezon. Juventus vuajti për shkak të tij dhe çalë‑çalë shkoi drejt vendit të 6‑të në Serinë A. Qarkulluan madje edhe zëra se asnjëherë Del Piero nuk do ta merrte veten pas këtij aksidenti, njëherësh do të mbyllej në këtë mënyrë potenciali i tij i saponisur, në një moshë tepër të re. Ai merr pseudonimin “Pinturicchio”, bazuar mbi një shaka të Giani Agnellit, i cili e krahasoi daljen në fushë të Del Pieros me atë të Roberto Baggios në një paralele, midis studentit “Pinturicchio” nga Perugia dhe mësuesit “Caravaggio”. Ndërsa nga fansat e tij ai do të quhej “Il Fenomeno Vero”. Në historinë e futbollit, ai do ta tregonte veten se në të vërtetë ishte “Fenomen”. Një prej pikave të forta të Del Pieros është zhdërvjelltësia e tij, e cila e lejon atë që të luajë në pozicione të ndryshme të sulmit. Kur filloi karrierën e tij në klube si “sulmues‑fluturues”, ai u fiksua më tepër në rolin e pozicionimit të mbështetësit të sulmuesve. Për shkak të pregatitjes së tij teknike të admirueshme, duke dhënë pasa të saktë dhe duke krijuar një vizion plot mbresa, ai mori në këtë mënyrë edhe rolin e organizatorit; mbrapa sulmuesve. Në zonën rrethuese të penalltisë, fuqia e tij dhe idea e shpikësit të golit triumfonin sa herë vihej përballë portierit. Nën udhëheqjen e Marcello Lippit si trajner, krijmtaria e Del Pieros u shfaq edhe më shumë. Ai tregoi klas me goditjet vdekjeprurëse të treshes së quajtur “trident‑attack”, e formuar nga veteranët Gianluca Vialli dhe Fabrizio Ravanelli. Pas kësaj, Del Piero fiton “me të drejta të plota” rolin e udhëheqësit dhe organizuesit të kombinimeve, mbrapa Zinedine Zidane dhe Filippo Inzaghit. Në këtë pozicion ai do të qëndronte deri në fillim të vitit 2001, por sërish Del Piero do të ngelej roli vital me partnerin e tij më të ri, Pavel Nedved, si mesfushor, dhe David Trezeguet, i përparuar, duke kontribuar jashtëzakonisht shumë në suksesin e Juventusit dhe atë të ekipit kombëtar italian. Del Piero, në janar 2007, regjistroi vendin e parë në top‑listën e futbollistëve të F.C. Juventus me daljen e tij të 500‑të pranë këtij ekipi.



Fitues i Kupës së Botës

Suksesi i tij në nivelin e klubeve ishte i padiskutueshëm. Por, Del Piero, në të shkuarën e tij, kishte regjistruar disa përhumbje në lojën për ekipin kombëtar italian, ndonëse aktualisht në formacionin kombëtar ndodhet në vendin e 4‑t të golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave. Në Kupën e Botës, “FIFA 1998″, ai mori famën dhe konkuroi me të favorshmin Roberto Baggio, të cilin e la tepër mbrapa. Por lajmet e këqija s’vonuan të vinin edhe për të. Pësoi probleme si pasojë e një dëmtimi, duke lënë fushën e lojës përgjatë finales së Ligës së Kampioneve, ndërsa luante për ekipin e Juventusit. Dy vite më vonë, Del Piero u bë një prej fajtorëve kryesorë që ekipi italian humbi dy shanse në minutat e fundit, në finalen e “Euro 2000″, të cilat automatikisht do të kishin skualifikuar Francën. Megjithatë, ai u rikthye në skenën ndërkombëtare në Kupën e Botës “FIFA 2002″, nga një sezon tepër madhështor në Serinë A, ku Juventusi kishte fituar titullin. Del Piero shënoi një gol vendimtar kundra Hungarisë, duke kualifikuar ekipin “Azzurri” për Kupën e Botës. Në këtë garë ndërkombëtare ai shënoi gjithashtu edhe një gol kundra Meksikës, me prekjen e parë të topit, pas një ndërrimi, duke e dërguar Italinë në raundin e dytë, megjithëse kjo nuk i ndihmoi shumë ata. Pas “Euro 2004″, Del Piero do të kalonte me ekipin e Juventusit një moment tepër të rëndësishëm, pas zëvendësimit të trajnerit Marcello Lippi me Fabio Capellon. Trajneri i ri, Kapelo, nuk ishte tepër i bindur për mundësitë e Del Pieros, duke i dhënë më shumë favore yllit të Ajaksit, Zlatan Ibrahimovicit. Në këtë mënyrë kapitenit të Juves iu desh të luftonte së tepërmi, për t’ia vërtetuar ndryshe. Dhe shënon 14 gola në Serinë A, duke ndihmuar njëkohësisht Juven në “Scudetto 28″, që më pas iu hoq bardhezinjve dhe iu dha Interit, si pasojë e “Calciopolit”. Goli më i veçantë do të mbahet mend një roveshatë drejt portës së ekipit kuqezi milanez. Përgjatë Kupës së Botës 2006, kapiteni i Juventusit do të kalonte pothuajse të gjitha ndeshjet në stolin e rezervave. Do të zëvendësohej në minutat e fundit, siç ishte në ndeshjen kundra Ganës, apo në minutën e 54‑t në ndeshjen pasardhëse, me ekipin amerikan. Del Piero do të ishte më aktiv për Italinë përgjatë ndeshjeve përcaktuese; duke filluar nga të gjashtëmbëdhjetat me Australinë. Në 4 Korrik 2006, ndërsa u ndeshën me shtetin pritës, Gjermaninë, në ndeshjen e gjysmëfinales, Del Piero u risoll në fushën e lojës si zëvendësues, sërish në fund të ndeshjes, duke shënuar për Italinë golin e dytë. Pas një pushimi të shkurtër, ndërsa Gjermania rifitoi epërsinë, Alessandro Del Piero shënon një tjetër gol për Italinë, nëpërmjet një pasi të dhënë perfektshmërisht në një shteg të ngushtë mbrojtësish nga mbrapa kurrizit nga Alberto Gilardino. Del Piero në mënyrë mjeshtërore kalon topin sipër Jens Lehmann. E në këtë mënyrë ai shuan edhe shpresat e fundit të gjermanëve. Goli u konsiderua si ndër më të mirët e të gjithë kompeticionit. Në finale, Del Piero shënoi penalltinë e katërt për Kupën e Botës 2006, duke e ndihmuar Italinë të fitonte Kampionatin Botëror për të 4‑tën herë në historinë e saj. Italia menaxhoi të shënonte të pesta penalltitë. Del Piero do të deklaronte më pas se fitimi i Kupës së Botës kishte qenë përherë ëndrra e tij fëmijërore. Larg të qënit kapiten i Juventusit, Del Piero rastësisht udhëhoqi Italinë në mungesë të gjetjes së një kapiteni po aq të aftë sa edhe ai përgjatë gjithë kësaj kohe. Deri në vitin 2006, Del Piero ka mbajtur titullin e kapitenit plot 5 herë. Ai gjithashtu ka pasur fatin që të ketë numrin 10 në fanellën sportive në ekipin kombëtar italian. Vonë, ai ia dorëzoi fanellën me këtë numër Francesko Tottit. Del Piero u rikthye tek “Azzurrët” me bluzën numër 7 për disa arsye sentimentale, pasi ky ishte pikërisht numri me të cilin Alessandro filloi karrierën në futbollin profesionist.



Progresi direkt nga stoli

Ekspertët kanë pranuar se Del Piero është rikthyer sërish në lavdinë e sezonit 2005‑2006, duke shënuar 20 gola në të gjitha kompeticionet. Goli që do të mbahet mend në memorje do të ngelet ai i goditjes së lirë, me të cilin fituan ndeshjen ndaj rivalëve të tyre më të mëdhenj, Inter. Megjithatë, roli i tij në Juventus ka ndryshuar paksa përgjatë sezonit 2006, nën udhëheqjen e Capellos, i cili ka preferuar ta përdorë atë si një zëvendësues për “impaktet e menjëhershme”. Në sezonin 2006, Del Piero barazoi José Altafinin, në Serinë A, me një rekord prej 6 golash, si zëvendësues i minutave të fundit. Vetë Del Piero është në ambivalencë përreth aftësive të tij, të bëjë gola nga banka e rezervave, duke thënë se “do doja që njerëzit të më njihnin mua më shumë se zëvendësimin nga stoli dhe ndryshimin komplet të lojës”. Në marsin e vitit 2006 u hodh ideja e përfundimit të karrierës futbollistike në një klub jashtë Italisë, në qoftë se ata do t’i garantonin atij një vend ku të fillojë lojën si sulmues i avancuar. Në 10 janar 2006, Del Piero u bë lideri-golashënues i të gjitha kohrave për ekipin e Juventusit, kur shënoi plot tri herë në Kupën e Italisë, në ndeshjen kundër Fiorentinës, dhe regjistroi në total për klubin e tij 185 gola. Pozicioni i mëparshëm ishte mbajtur nga Giampiero Boniperti, i cili kishte shënuar 182 gola për një klub. Pas skandalit të madh italian, “Calciopoli”, kur Juventus shkoi në Serinë B dhe dy “scudettot” e fundit iu revokuan, Del Piero bëri të ditur se do të qëndrojë kapiten i bardhezinjëve edhe për Serinë B. Dalja e tij e parë pas triumfit të Kupës së Botës do të ishte Kupa e Italisë, në ndeshjen kundra Cesenës, në 23 gusht 2006. Që nga koha kur Juventusi do të luante në Serinë B, në sezonin 2006‑2007, fushata për Kupën e Italisë ishte bërë gjithnjë edhe më e rëndësishme për klubin, me qëllimin e vetëm që të linin “një shenjë” për këtë klub në arkivën e Kupës UEFA. Meqënëse ia kishte marrë dorën edhe më parë stolit, Del Piero filloi pikërisht prej andej. Juventus dhe Cesena po e mbyllnin takimin në rezultatin 1‑1, kur Del Piero hyn në minutën e 74‑t dhe, pikërisht pas 9 sekondash, shënon, duke i dhënë Juventusit golin e fitores. Del Piero do të shënonte sërish në 27 gusht, në turin e dytë të Kupës, në rolin e zëvendësuesit, kur në minutën e 61‑të realizon golin kundra ekipit të Napolit, në stadiumin e “San Paolos”. Juventus, i mbështetur nga prapa nga Del Piero, kishte shënuar dy herë radhazi në portën e napolitanëve, duke e ringjitur Juven në krye, por Napoli barazon dhe ndeshja shkon drejt penalltive. Ekipit të Napolit dukej se po i printe fati. Ata do ta fitonin ndeshjen në 5‑4. Në tetor 2006, Del Piero regjistroi 200 gola për Juventusin në ndeshjet zyrtare (përfshirë ato të Serisë A, Ligës së Kampionave, Kupës së Italisë dhe të tjera kompeticione zyrtare). Ai shënoi golin e 200‑të për bardhezinjtë në ndeshjen kundra Frosinone, në 28 tetor 2006.





Shkurt për “Del Piero Gentleman”

Që nga viti 1999, Alessandro Del Piero ishte takuar për herë të parë me Sonia Amoruso, ndërsa në vitin 2005 ata i japin fund kësaj lidhjeje me një…martesë. Del Piero ka realizuar disa CD të tijat, ndërsa konsiderohet si një nga më të paguarit, për bonuse dhe të ardhurat nga reklamat. Del Piero mbahet edhe si mashkulli me arritjet dhe zbritjet e tij të mëdha. Ai ka fituar kështu titujt, “‘Coppa d’Argento’ Premio Speciale Gentleman”, “San Siro Gentleman Serie A TIM”, ndërsa “Associazione Soomaaliya Special Award for Fairness” e vendos atë në listën e personave që nuk kanë qenë kurrë arrogantë, agresivë apo violentë. Pele e angazhoi Del Pieron në 125 futbollistët që morën pjesë në 100-vjetorin e FIFA‑s (FIFA 100). Ai gjithashtu regjistroi emrin e tij si një nga futbollistët europianë më të mirë në 50 vitet e “UEFA Golden Jubilee Poll”. Futbollisti është klasifikuar me notën 10 në 1996, pasi Juventus fitoi Kampionatin, Ligën e Kampioneve dhe titullin Kampionë të Italisë. Po ashtu, futbollisti Del Piero ka marrëdhënie të mira me Noel Gallagher dhe madje gjithë grupin “Oasis”. Gallagher është përdorur si “maskota fatsjellëse” e Del Pieros në Kupën e Botës 2006, ndërsa e ka ftuar atë personalisht në hotelin e “Azzurëve” pas fitores. Ai shfaqet së bashku me Marco Materazzin në koncertin e Rolling Stones në Milano në vitin 2006, pasi Italia kishte fituar Kupën e Botës. Ikona e NBA‑së, Stiv Nesh dhe legjenda e çiklizmit, Edi Merks kanë deklaruar se edhe ata janë fansa të flaktë të Del Pieros. Në fund të vitit 2006, në muajin nëntor, Del Piero mori çmimin Airc: “Believe in Research” për kontributin e tij në promovimin dhe mbështetjen e kurimit të tumorit.

Nuk ka komente: