e martë, 23 shtator 2008

Spalletti: Juve e Inter, më të fortë se ne

Roma është rikthyer bindshëm tek suksesi, pas fitores së regjistruar të shtunën në mbrëmje në “Olimpico” kundër kalabrezëve të Reginas me rezultatin 3-0. Trajneri Luciano Spalletti nuk e fsheh kënaqësinë e tij për fitoren e parë sezonale, ashtu sikundër nuk fsheh superioritetin tekniko-taktik të dy kryesuesve aktualë të Serisë A, Inter e Juventus, kundrejt Romës së tij. “Bardhezinjtë dhe zikaltrit sigurisht që janë dy skuadra të mirorganizuara, pasi dhe vetë historia e këtyre dy klubeve e tregon një gjë të tillë. Marrja e kryesimit dhe rendimenti i lartë i këtyre dy formacioneve në këtë fillim sezoni nuk më habit aspak, pasi drejtuesit e tyre kanë bërë një merkato të shkëlqyer gjatë kësaj vere, me elementë të rëndësishëm, të cilët i kanë fuqizuar akoma më tej grupet e lojtarëve të sezonit të kaluar. Gjithsesi, edhe ne do të mundohemi që t’i qëndrojmë sa më pranë Interit e Juventusit menjëherë sapo të kemi zgjidhur problemet tona”, ka thënë Spalletti. Trajneri verdhekuq buzëqesh kur përmendet emri i Francesko Tottit, i cili tashmë është shumë pranë rikuperimit të tij të plotë. “Fracesko është kapiteni ynë dhe lideri i Romës. Pa diskutim, mungesa e tij i ka kushtëzuar disi rezultatet tona, por jam i sigurt se sapo të rikuperohet, atëherë do të rishihni atë skuadër që jemi mësuar të shohim vitet e fundit”.

Nuk ka komente: