e martë, 30 shtator 2008

Juvja: Ndaj BATE-s, duhet sulmi!

Juventusi do të kërkojë të rikthehet te goli, teksa do të udhëtojë për në fushën e BATE Borisovit, skuadra bjelloruse që merr pjesë për herë të parë në Ligën e Kampioneve. Juventusi barazoi pa gola në ndeshjen ndaj Sampdorias, për Serinë A, dhe fitoi 1-0 ndaj Zenitit në Champions, falë “perlës” së Del Pieros. Mes këtyre ndeshjeve ishte edhe barazimi 1-1 me Catanian, në një ndeshje ku bardhezinjtë shpërdoruan shumë rast për shënim. “Ne kemi bërë gabime, dhe kemi paguar për këtë, - tha mbrojtësi Giorgio Chiellini. - Por unë mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe do t’u rikthehemi fitoreve. Nuk është vetëm faji i sulmuesve, edhe ne mbrapa duhet të luajmë më mirë.” Juventusi do të luajë në Minsk pa Gianluigi Buffonin dhe David Trezeguet, të cilët ndodhen në “infermieri”. Ndërkohë, BATE u mund 2-0 nga Reali i Madridit në ndeshjen e parë në Champions, por luajti një ndeshje me të vërtetë të mirë, edhe pse mbeti me dhjetë futbollistë. “Kemi nxjerrë mësime nga humbja me Realin e Madridit, - tha trajneri Victor Goncharenko. - Eksperienca nuk blihet, fitohet! Mendoj se do të jemi një shkallë më lart ndaj Juventusit. Ashtu si ndaj Realit, edhe ndaj Juves nuk e dimë se çfarë na pret. Nuk jemi mësuar të luajmë me të tillë kundërshtarë.” BATE-s do t’i mungojë mbrojtësi i skualifikuar Anri Kagush dhe kapiteni i dëmtuar Aleksandër Ermakovich.

Nuk ka komente: