e hënë, 22 shtator 2008

Amauri, gjashtë pikë brenda një jave


Me golin e djeshëm dhe atë me Udinesen javën e shkuar, braziliani i jep Juves fitoren në Cagliari.
Praktikisht, nga fillimi i sezonit, Claudio Ranieri nuk ka munguar asnjëherë ta pranojë lehtësinë e përfshirjes së lojtarëve të rinj në lojë. Pikërisht të rinjtë vunë “firmën” në suksesin ndaj Cagliarit: Amauri me një gol tjetër me peshë, Manningeri me një pritje prej kampioni në minutat shtesë. Pas atij me Udinesen, braziliani del edhe një herë njeriu i ndeshjes në “Sant’Elia” ndaj Cagliarit. “Krijuam shumë aksione dhe nuk arritëm t’i konkretizojnë të gjitha rastet, por rëndësi ka fitorja, - thotë braziliani, që kërkon të natyralizohet si italian, së shpejti. -Jam i kënaqur për golin; mendoj gjithnjë të luaj mirë për skuadrën. Ky është shansi i jetës sime dhe unë dua ta shfrytëzoj. Loja me Iaquintën funksionon, por është grupi ai që funksionon, para së gjithash, ndaj do të përpiqemi të fitojmë së bashku. Trezeguet? Më vjen keq për dëmtimin e tij. E di ç’do të thotë të qëndrosh jashtë për shumë kohë, por jam i sigurt që do të kthehet më i fortë se më parë.”

VLERËSIMI I RANIERIT - Trajneri i Juventusit e shijon fitoren në Cagliari. Një sukses i vuajtur në Sardenjë, por bardhezinjtë marrin tri pikë të çmuara. “Do të ishte më mirë, nëse do t’i kishim konkretizuar rastet që na u paraqitën dhe do të siguronim fitoren, - shpjegon Ranieri. - Ndeshja ishte e fortë deri në fund; Kaljari pati mundësi të barazojë në fund me Matrin. Ne nuk ishim të saktë para portës, por, mbi një terren si ai i sotmi, (dje), nuk ishte e lehtë ta qarkulloje topin në tokë.”
Vendimtar ishte goli i Amaurit. “Është një blerje e madhe, është një mjeshtër në përpunimin e topit, - vijon Ranieri për brazilianin. - Ishin të zotë edhe ata që kanë luajtur pak deri më tani se të tjerët; nuk është e lehtë të jesh gjithnjë gati. Tiago ishte në formë, të gjithë e adhurojmë për gatishmërinë e tij dhe, kush e di nëse këtë vit, pa trysni, mund t’i shfaqë cilësitë e tij.” Mbi dëmtimin e Buffonit, në fund të pjesës së parë, Ranieri shtoi: “Do ta vlerësojmë nesër (sot) gjendjen e tij, parapëlqeva të mos rrezikoj, por të shohim shkallën e problemit”.





Nuk ka komente: