e diel, 14 shtator 2008

Ranieri paralajmëron: Kujdes nga Di Natale!

Trajneri i Juves kërkoi përqëndrim nga skuadra e tij në sfidën e sotme ndaj Udinezes. “Di Natale po kalon një moment magjik, është si Mbreti Mida, gjithçka që preket prej tij kthehet në ar.” Në vigjilie të ndeshjes së mbrëmjes së sotme të Juves së tij ndaj Udineses, Claudio Ranieri nuk e fsheh se “armiku publik numër një” në Olimpico të Torinos do të jetë pikërisht napoletani, i cili ka shënuar dy dygolësha radhazi me Udinezen dhe kombëtaren italiane: “Të vjen mirë kur përballesh me kampionë të tillë, - tha tekniku roman përpara se të fliste për ekipin kundërshtar në përgjithësi. - Do të ndeshemi me një skuadrë e cila vjet na mundi, ndaj duhet të luajmë me përqëndrimin maksimal. Udinese po zhvillon kampionate tepër të bukura, po arrin të qëndrojë në majat e larta dhe të nxjerrë futbollistë të vlefshëm; ka një projekt të rëndësishëm dhe familjes Poco i duhen bërë me të vërtetë shumë përgëzime për atë që po arrin.” Për sa i takon skuadrës vazhdojnë të mungojnë Zebina dhe Zanetti, ndërsa Ranieri mund të përdorë rrotacionin në kuadër të ndeshjes të së mërkurës ndaj Zenitit: “Formacionin e kam në mendje.” Trajneri tha se Juventusi duhet të nxjerrë në pah shpirtin e sakrificës për t’ia dalë mbanë: “Në futboll shumëçka varet nga përqëndrimi dhe nga thjeshtësia me të cilën përgatiten ndeshjet, - tha trajneri i “Zonjës së Vjetër”. - Ky është çelësi i suksesit. Ne jemi një skuadër e shkëlqyer kur japim maksimumin, por nëse e ulim nivelin e përqëndrimit nuk jemi në lartësinë e duhur. Nuk është se kaq e kemi kufirin, por kështu e ka futbolli: kur jepet maksimumi, dalin në pah teknika dhe cilësitë, në rast të kundërt skuadrat e tjera arrijnë t’i fshehin ndryshimet. Ndeshja e Italisë në Qipro është një shembull i kësaj dhe unë e prisja.” TREZEGUET - Është gjithnjë e njëjta histori, e cila kthehet herë pas herë në vëmendje, edhe pse kanë kaluar dy vjet. Bëhet fjalë për “Calciopoli”-n, për historinë e përgjimeve, të penalizimeve dhe të titujve të dhënë aforfe, apo të hequr, si në rastin e Juventusit. Bardhezinjve nuk i’u quajt titulli i fituar në vitin 2005 dhe 2006, ndëshkim të cilin Torino e bardhezinjve nuk e ka kapërdirë kurrë, përfshirë edhe lojtarët, sidomos ata të “gardës së vjetër”, të cilët kanë provuar se çfarë është edhe Seria B. Mes tyre spikat David Trezeguet, i cili gjatë një interviste të dhënë për kanalin televiziv “France 2″ e ka risjellë në kujtesë çështjen me shumë klas: “Këtë vit e imagjinoj duke fituar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve, çka mendoj se nuk është pak. Për më tepër, mbi fanellë kemi dy yje dhe jemi të ndërgjegjshëm se nëse e fitojmë titullin, ata do të bëhen tre, pra diçka e jashtëzakonshme.” Problemi është se llogaritë nuk dalin mirë kështu, në rast se i hidhet një sy pemës së artë zyrtare të Serisë A. Sepse sikurse dihet, pas dy kampionateve që i janë hequr Juves, numri i titujve për bardhezinjtë ka zbritur nga 29 në 27. Por me sa duket, Trezegeja nuk i sheh kështu gjërat dhe më pas sulmuesi francez deklaroi diçka të veçantë: “Më kontaktoi Barcelona e Guardiolës dhe më kërkoi të shkoja atje.” Por ai s’mund të largohej nga Juvja, pikërisht tani që ylli i tretë është fare pranë…

Nuk ka komente: